Shtëpia në lëngim
Shtëpia tashmë është në vitet e lëngimit. myshku i ngjitur...
Nga Nurie Emrullau
Rutinë
shtëpia
tashmë është në vitet e lëngimit.
myshku i ngjitur
shtëpisë nga cepi në cep,
si mbulesa e hedhur
mbi trupin e atij që fle.
dielli nuk ia pjek më ballin asaj...
a thua se mali rriti shtatin kaq shpejt?
apo dielli iku në një anë që s'di nga të
kthehet prapë?
shtëpia
është plakur prej frazave të njëjta,
shkallët hipin dhe zbresin të njëjtat këmbë
që asnjëherë nuk patën guximin t'i kalojnë nga dy përnjëherë.
shtëpia po lëngon.
luledelet nuk çelën rreth saj,
sepse pranvera nuk kalon më këndej.
në shtëpinë që po lëngon,
veç hana kupton çfarë po ndodh,
po kur ajo vjen pranë nesh,
asnjë yll atë natë nuk ndez.
ku është fshehur dielli, ku janë zogjtë,
si ta njohim jetën kur ajo të vi?
si të ngjallemi prapë?
* * *
Kthehem këtu për të të gjetur
Por asgjë nuk mbeti pasi ti shkove.
Kthehem këtu për të ndjerë erën e duhanit mbi gushë
Por asgjë nuk ka veç bishtash të vjetëruar cigaresh
Kthehem këtu për të ta dëgjuar zërin
Po asgjë s'dëgjoj pos këtij uji
Që s'u ndal dhe pas ikjes tënde.
Kthehem këtu për të të gjetur
Dhe krejt çka gjejë është unë.
Dëshira t'marra
Un', pak gjana i du pi jetës.
Nâtën me u ba hânë...
Veç me ia ndrit rrugën hijes tânde.
E kur t'plasë mëngjesi,
Me qenë djell,
E me u kthye n'dritë.
Me ta ngroh at' copë shpirt.
Prej dielli me u ba ajr.
Prej ajri
me u kthye n'erë.
Me u përzi nëpër flokun tand, nëpër mendjen tande...
Me u ba mjegull
E me u kthye n'shi.
Me ta lag jo veç trupin po dhe shpirtin me ta la.
Me qenë borë,
E me e ngroh tokën veç me bardhësinë time...
Me t'i zbut ty kambët që t'janë vra nëpër jetë..
Me qënë hânë, djell e ajr.
E me u kthye n'trup.
Me u taku ndoshta pak të dy.
Ma vonë.
Natën.
N'errësirë.
Du.
Me u kthye n'flutur
E me vallzue përreth llambës,
Që na ndrit ma shumë se hâna
E n'groh ma shumë se djelli..
E me u djeg.
Me u djeg duke vallzue rreth saj...
Tu të pa.
Tu të pa ty ndë sy.
E shef?
Pak gjana du pi jetës.
Me qenë yll,
me u shue.
Me ra prej qielli
Me t'u plotësu ty nji dëshirë...
Comments (0 posted)
Post your comment