Home | Literature | “Kopshti i Edenit”, aty ku shpërfaqet Hemingway i vërtetë

“Kopshti i Edenit”, aty ku shpërfaqet Hemingway i vërtetë

image Hemingway, 1923.
Bëhet fjalë për një stil të mahnitshëm, krejtësisht shtangës e mbresëlënës...

 

Nga Elvi Sidheri

 

Shumëkujt, me tepër të drejtë, Ernest Hemingway mund t’i ndërlidhet me romanet e tij epikë më të njohur gjerësisht, titujt e të cilëve na janë skalitur të tërëve në kujtesë, ashtu si ngjarjet apo personazhet e paharrueshëm, jo vetëm Plaku i paepur që shenjon Plakun dhe Detin, në luftë e përballje të vazhdueshme me elementet natyrorë, përkundër gjithçkaje, por edhe shumë të tjerë syresh, që kanë ngjizur mahnitshëm epopenë e letërsisë së këtij shkrimtari kaq thellësisht atipik.

Unë ndërkaq, kam përshtypjen se jo krejt i vetëm, ndiej ngaherë një joshje nxitëse për një tjetër vepër të Hemingway, ndoshta më “periferikes” së shkruar prej tij, pikërisht në muzgun e frymimit të shkrimtarit në botën e vdekatarëve të rëndomtë, përpara se t’i (vetë)dorëzohej përjetësisë që veç dimensioni artistik i qenies njerëzore të fal.

Siç dihet, Kopshti i Edenit do të botohej pas vdekjes së Hemingway, në vitin 1986, duke pas qenë punuar ngurrueshëm mbi këtë libër prej shkrimtarit mes viteve 1946-1961.

E një libër i shkruar në këtë mënyrë, i botuar në këtë mënyrë, që ngërthen kaq kuptimplotësisht thelbin e vetë autorit të tij, është krejtësisht e pamundur të mos lërë gjurmë.

Për këtë arsye, nuk nevojitet të zhytesh fort në të thella letrare, për ta pohuar me plot gojë faktin se Kopshti i Edenit është libri ku shpërfaqen qartësisht majat e letërsisë së krijuar nga Hemingway, ku shkrimtari arrin pikërisht që edhe dobësitë e tij t’i shndërrojë në përparësi.

Sepse bëhet fjalë pashmangshëm për një roman skajshmërisht kundërthënës. 

Ndokush arrin të pohojë se ky është një libër që gëlon nga mosngjarjet. Thjesht pra, një femër epshore pret flokët shkurt e më shkurt përgjatë faqeve të librit, përkitazi me ecjen e ndërthurjes së ngjarjeve të përshkruara aty, paskëtaj nis një trekëndësh dashuror, ka shumë gjerbje alkooli, seks të shfrenuar e gjithçka mbështillet me zënka pafund, ndërsa si përfundim gruaja flokëprerë ia mbath në çartje mendore e sipër.

Nuk gjendet dot në këtë libër kaq atipik (u përsërit kjo fjalë, ashtu si cilësimi i mësipërm për vetë autorin e tij), asnjë përshkrim skenash lufte. Ka veç një pasazh të shkurtër gjuetie elefantësh, por është thjesht diçka metafizike, si për të klithur: “Pirdhu megjithë gjuetinë e elefantëve” (sa mirë, sepse nuk m’i ka ënda aspak elefantët, kjo është ndër gjërat e vetme ku nuk përputhem me stilin e Hemingway).

Mund të pikaset veç ndjesia e njësores, dykuptimësisë, epshit.

Rrjedhimisht, do pranuar se Kopshti i Edenit ia vlen ndoshta të lexohet (jo domosdoshmërisht edhe të kuptohet) si një roman erotik bashkëkohor, por, ndërkaq, përmbledhur artificialisht në këtë kornizë të zgjyrosur përkufizuese, disa nuanca dalin në pah.

Pikësëpari, në këtë roman nuk ka skena seksi të mirëfillta. Gjithçka përshkruhet, tregohet, sendërtohet letrarisht si nënkuptim e hamendësim përkatës. Kjo e bën këtë roman tejet lehtësisht të lexueshëm, tmerrësisht të rrjedhshëm, duke mos qenë aspak sakaq një libër ku lexuesit i tregohet saktësisht si personazhet ndihen apo si bëjnë (hollësisht) dashuri në shtrat, veranda apo plazhe të Jugut të Francës qoftë. 

Gjatë pak dhjetra faqeve të para, gjallon epshi më i ndjeshëm, veçanërisht kur lexuesi prezantohet me dy ndër personazhet kryesorë. Dejvidi dhe Kethrina janë në Muajin e Mjaltit dhe kur Kethrina vrapon në qytet për t’i prerë flokët si djalë.

Teksa lexon këtë libër, lexuesi bashkëkohor shpesh qëllon të rivetëdijësohet për faktin se e kaluara mirëfilli përket diku tutje në kohë, mendësi e hapësirë krahasuar me të tashmen.

Prerja e guximshme e flokëve e Kethrinës, përzgjedhja, pak të thuash e veçantë, e gjuhës së saj seksuale, janë aspekte që ngërthejnë nënkuptime shumë më domethënëse për epokën të cilës i përkasin ngjarjet e këtij libri. Por gjithsesi, ky libër vijon të mbetet tejet i guximshëm edhe parë nga këndvështrimi i një lexuesi të kohës së sotme.

Ky është një krijim letrar që mund të merrte përkufizimin e epshores psikologjike apo ndoshta estetike, ku Kethrina përvijohet si rrënuesja, ndërsa Dejvidi si krijuesi, duke qenë ky personazh në vetvete shkrimtar, sidoqoftë ta kujton jo pak vetë Hemingway-n.

 

Thuhet diku në libër:

 

-Seç kam këto zdritjet e intuitës, - tha ai. – Jam tip me intuitë.

- Ndërsa unë jam tip rrënues, - tha ajo. – E ty kam për të të rrënuar. Gjindja kanë për të vënë një tabelë përkujtimore në murin e ndërtesës jashtë kësaj dhome. Do të zgjohem natën e kam për të të bërë diçka të padëgjuar e të papërfytyrueshme prej teje. Kisha për ta bërë mbrëmë, por më flihej shumë.

 

Ky është një libër i shkruar pikërisht në mënyrë të atillë që të anashkalohet mesazhi i të qenët një roman erotik. Këtu qëndron edhe hijeshia e pakrahasueshme e stilit të të shkruarit të këtij libri. Sepse vërtet bëhet fjalë për një stil të mahnitshëm, krejtësisht shtangës e mbresëlënës.

Dejvidi, personazhi mashkullor kryesor, thuajse asnjëherë nuk bën monologje të thella me veten, e kur faktikisht bën ndonjë syresh, janë veç pak fjali që ngërthejnë një kuptim veçanërisht të fuqishëm pikërisht për shkak të rrallësisë së tyre. E folura e tij është e papeshuar, e prerë, shpeshherë, zemërake, e mprehtë.

Personazhet e këtij libri shpesh shprehin emocione të padepërtueshme. Lexuesi ndërkaq rrugëton krahas faqeve të këtij libri nëpër brigjet e praruara të Mesdheut, duke shijuar ushqime e duke gjerbur Martini pafund, duke notuar gjatë nëpër valët përkundëse të detit e duke u shulluar nën rrezet e diellit gjersa truri (ynë, i lexuesve, dhe i tyri, i personazheve të librit, por dyshoj fort, edhe i vetë Hemingway-it teksa kridhej në krijimin e këtij romani) të bëhet përthithës dhe krejt i hapur për emocione e ndjesi të reja, pa na thënë aspak detyrueshëm sakaq, saktësisht se çfarë nevojitet të ndiejmë.

Vetë nevojitet të vendosim. 

Kjo është dashuria e autorit për ne, lexuesit e tij.

Ndër elementët thelbësorë në stilin e Hemingway, është rrëmuja e tij letrare. Ai përdor fare pak mbiemra apo ndajfolje. Sendërton fjali risiprurëse dhe krejt të habitshme duke i mveshur çdo sektori të letërsisë së tij pafund domethënie, kudoqoftë, në çdo pikëtakim me ngjarjet, personazhet dhe lexuesin. 

Ka vijimësi të përhershme mbrujtur me “Dhe”, me “Por” magjepsëse, me plot “Sepse” të papritura, si për shembull:

 

-Në një kafene ai hasi menunë dhe porositi për vete një Fine à l’Eau sepse ndihej i zbrazët nga dashuria që kish bërë tërë natën.

 

Kethrina shpërfaq gjithaq nuanca sëmundje mendore, që ajo vetë e ndërlidh me smirën e saj të pashërueshme kundrejt dhuntisë së Dejvidit për të shkruar, gjë të cilës ajo i hakërrehet me theksimin e fuqisë së saj financiare kundër tij. Sepse të shkruarit e tij i përket asaj. Sepse ai shkruan veç falë bujarisë së saj. 

Pikërisht falë këtij stili të papërcaktueshëm e gjithashtu ngaqë mungon një mbyllje e mirëfilltë e librit, për këtë libër mund të hamendësojë gjithkush dhe ky roman mund të lexohet si një risi e mahnitshme për epokën e vet, faktikisht edhe për tonën.

Metafizika e këtij romani të trondit, duke të shtyrë të pandehësh se vetë Hemingway pasqyrohet në këtë libër, ndonëse Hemingway nuk mund ta (para)gjykojmë si autor psikologjik, prapëseprapë, vetë jeta e Hemingway si Yll i letërsisë, duke luajtur shpesh me imazhin e tij, të bën ta dyshosh këtë.

 

Siç thotë Dejvid diku në libër:

 

-Nëse nuk i kryen tërësisht gjërat, asgjë nuk ia vlen fare.

 

Sa metafizike! 

 

Megjithëse Hemingway kurrë s’e përmbylli dot këtë roman, sidoqoftë ky libër të mrekullon.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0