Ti, planeti im më i afërt...
Ndjej, si fryjnë erërat e shirave...
Nga Agim Pipa
*E bardha - foshnja që më flet për altarin...
Rrugën drejt saj e di, e njoh, qysh se u linda;
të paktën
kështu më thotë uni, që më rri si një foshnje
thellë kokës,
ku më fshihet e gjithë bota.
Rrugën e bardhë, dëborat e heshtjes,
ngricat, duart që s’i arrij dot mes reve,
gjoksin e bardhë, llërët, gushën dhe qafën
i ndjej, ju flas,
më përqafojnë me fjalë të bardha
dhe ju them duke kënduar: “Ju dua...”
Rri aty fryma e saj e bardhë;
ajo qëndron fare pranë meje
gati të më tregojë sa të bukura janë ëndërrat
dhe rruga e prekjes së tyre;
rri aty fryma e saj e bardhë
gati të fshijë të gjitha ngjyrat që s’i dua
duke më bërë të mendoj veç të bardhën e altarit,
ku betimi është një dhe i vetëm.
Foshnje, me frymë dhe trup të bardhë
ikona e lumturisë, që e puth haptaz
edhe ngre për të
statuja të bardha gjithë jetën.
E ëndërrt e bardha;
gjithçka e jotja -
edhe më e bardhë...
**Nga cikli:
“Baladat e ngjyrave të padukshme, që i dua...”
*Sy i madh dhe i bukur, çfarë unë shoh...
Syri kundron tokën,
syri kundron qiellin;
ngjyrat, avionët lart dhe në aeroport
kur zbret ti;
syri ndalon mbi një tryezë çaji, pastaj
humbet në mjegulla mbrëmjesh
me shi.
Unë shoh
sepse ashtu dua të shoh;
unë shoh
sepse ngjyrat, dhe toka, dhe qielli
janë të gjitha siç i shoh unë
unë shoh ndryshe;
Syri -
e dukshmja dhe e padukshmja
e hënës që qëndron mbi supet e mia.
Eja -
ngjyrë toke trupi yt, dhe
tela telefonësh mbushur me zogj
pamja që më kundrojnë sytë.
Lind dhe vdes dashuria
pa sy...
*Ti, planeti im më i afërt...
Ndjej, si fryjnë erërat e shirave;
si gjethet e reja në pyll, pasi të takoj ty,
më shëndrrohen në ëndrra; dhe ëndrrat
në shtresëza të gjelbërta poemash.
Unë, rimar frymë
mbi gjendjen e diellt të liqenit tim, ku
zhurma e lopatave të barkave shëtitëse
më çon në brigje të njohura;
Mua, nuk më shkon mendja kurrë
t’i ngjis qiejt me copa letrash në duar;
as me vargonj dëshirash kalpe
që mund të më mbajnë peng
gjithë jetën time
pas teje.
Unë
kam lindur të jem i lirë si ty, shpirti im
dhe ti,
edhe pa qenë pranë meje,
qëndron si një planet i afërt
që i jep tokës sime
pamjen e fytyrës tënde...
Comments (0 posted)
Post your comment