Buzë limanit të shpresës
Brigjeve të Kaonisë i nis motivet...
Nga Dashamir Malo
Ndërsa agimi i purpurt ia beh në qytet,
dhe peshkatarët kthehen prore në liman,
në tavernën “Poseidon” fillikat jam ulur,
dhe përsëris me vete vargun Naimian.
Sakaq njëri syresh vjen e më afrohet,
një kapiten i zoti, i njohur në këtë qytet,
më thotë: Ç’bëre ti për këtë dhe’? Asgjë o mik!
Pa le pastaj, i thua vetes edhe poet!
Pse vjen kështu e drojtur, e nemitur,
kjo e sotme në vendin tënd, në vendin tim?
A do të jetë e nesërmja aq e ndritur,
siç i këndoi me mall rilindasi Naim?
Buzë këtij deti të trazuar ,
ç’ përgjigje t’i kthej kapitenit riosh?
Ndodhka të jesh poet mbushur plot me shpresë, dhe përsëri në këtë vend të ndjehesh bosh!
Kupën e të sotmes e kthej me fund,
tek ky liman ku ish Naimi doganier,
këtu ku i dha udhë vjershërimit shqip,
dhe si qiri mandej për mëmëdhe u ter.
Brigjeve të Kaonisë i nis motivet,
si grigjë kuajsh ranishtes me revan,
nxitoj të bëj ç’ka mundem si poet,
teksa më prin udhën ylli Naimian.
Comments (0 posted)
Post your comment