Home | Literature | Tapi

Tapi

image
Në treg ia behën tapitë e para të Hënës, ato të Marsit zëre se ...

 

 

 

Nga Shkëlqim Çela

 

 

 

 

Ligjet janë bërë për t’u shkeluar, tapitë për t’u fallsifikuar. 

Arborjes i doli tapia e tretë në davanë e stërzgjatur mbi pronësinë e saj, e cila ishte më e vjetër se dy të tjerat që po haheshin jo ti po unë për pronësinë mbi të. Edhe ato të dyja të rreme ishin, askush nuk diskutonte më nëse tapitë ishin të vërteta apo kallpe, gjithë puna ishte të vërtetoje që e rremja jote ishte më e vjetër se kallpja e tjetrit. Mosha e grave nuk dëftehet, ajo e gënjeshtrës yshtet. Sepse një tapi toke nuk mund të jetë kurrë e vërtetë, ara nuk ndërtohet, tokat “e reja” janë një llagap taksëz, nuk ka tokë të re, toka aty ka qenë gjithnjë, qysh në krye të herës, dhe gjithnjë ka qenë dikush para teje. Edhe tapia e tretë po ashtu, u shkrua nga një zanatlli i këtyre marifeteve, dhe beu i Qiranakut që ia kishte vënë synë Arborjes, e futi letrën e shkruar në një oxhak që ta rrihte tymi e të dukej e vjetër. Në krye të pesë vjetëve tapia dukej sikur ishte tre qind vjeç. U bë gjyqi, duallën tre tapitë, të tamëmta janë të trija, u tha vendimi, por kjo e beut Qiranak si më e vjetra dhe më e tymta e fiton davanë, edhe ashtu u mbyll ajo punë, Arborja u bë pronë Qiranake. 

Një ethe për tapi më të vjetra se shoqet pushtoi gjindjen. Për çdo pasuri filluan të buisnin tapitë nga s’e prisje. Më e famshmja u bë një lëndinë, së cilës i dolën plot 37 tapi. Të rregullta të gjitha, të vjetra të gjitha, a thua se i patën futur në të njëjtin tymtar për t’u vjetëruar. Fallsifikues tapish u bë një zanat i nderuar: ç’shkollë po të bën djali, o Zalo, e kam çuar për shkrues tapish, ooo po pse s’thua që e paske rregulluar për jetë… epo për atë evlat punojmë, pranonte me kokëunjësi Zaloja dhe lëngu i lëvdatës i rridhte mu si mjalti nëpër hojet e shpirtit e mezi ia mbulonte krenarinë e shitmendësinë e njëmendtë, si të ish një tapi taze e shkruar nga i biri në ndonjë detyrë kursi në shkollën e skribëve të tapive. Lëndina e Skifterisë u tha në fillim se i përkiste vëllezërve Haka nga i ati Demir që ia pati blerë çifutit Efraim me karta të rregullta. Pastaj u ngrit bajraktari i Shpatajve i cili deklaroi se çifuti nuk ia kish blerë gjyshit të tij, të cilit i përkiste Skifteria, por ia kish marrë me be të rreme, çka duke u nisur nga etnia e berremësit, nuk ishte ndonjë gjë që s’besohej, dhe Shpatajt kishin letra të qarta që vërtetonin benë e rreme, një letër që çifuti ia kishte nisur të vëllait ku tregonte fill e për pe se si kishte gënjyer: letra niste me fjalinë “Dje, më datë aq e kaq, unë çifuti Efraim gënjva në gjyq duke bërë një be të rreme për Skifterinë," etjera etjera etjera… Ishte e çuitshme se si gënjeshtari që ishte aq dinak e i zgjuar kishte shkruar një letër aq kompromentuese dhe që i voliste Shpatajve, por me fat janë ca gjëra, kupton apo jo, e drejta e gjen rrugën dhe del në mos një herë, një herë tjetër, or mik, nuk ka çare ajo punë. Mirëpo, shi kur u duk që Shpatajt e kopsitën punën, doli një më i fortë, fisi i Gëzhojsave që gjeti një dokument në arkivat e fshehta të Landit të Brroçkadënit, kortezi e kontit brroçkadëns, të cilin Gëzhojsi e kishte mik personal, dokument në të cilin përshkruhej se si Skifteria i ishte dhënë me ferman nga Sulltani i Samarkotit stërgjyshit Gëzhojs, në të cilin fajlëpërfjalshëm shprehej që ky duhej ta gëzonte Skifterinë brez pas brezi, pasi ajo nuk ishte për shitje, dhe çdo shitje e mundshme, sidmos prej tregtarësh çifutë, deklarohej e zhbërë qysh në akt, pra blerësi e humbiste të drejtën e pronësisë menjëherë, pasi çdo transaksion për Skifterinë ishte zero me xhufkë, apo nul siç thuhej ndryshe, ta gëzoni pra Skifterinë… Gëzhojsit e gëzuan për pak mallin, derisa mbrritën me tërsëllëmë Barutallinjtë, e pastaj Zorrësit, Princi i Madh i Kotësit të Vogël, Duka i Krimesë pellazqene, Viskonti Marko i Brashnjës së Poshtëme, një aktor i dorës së tretë që prezantonte cirkun Ronkhale i cili u hoq si mbret i principatës Skifteriane me 7.2 hektarët e plota të saj me një jallan shahit që tundte kokën në shenjë pohimi gjatë dëshmive të aktorit që hiqej si mbret, duke thënë po, po, kam qenë aty, ashtu është, edhe pse ngjarjet zhvilloheshin 150 vjet më parë, gjë që natyrisht iu çorr maska nga feudali Mete i krahinës Mateo të Ditëmirës së Mesme… e kështu me radhë 37 mëtonjës, më shumë nga ç’kish Penellopa e Homerit, babam, me gjithë Gillgamesh e Kama Sutrë.

 

Ethja e tapive pushtoi çdo gjë, u shfaq deri koncepti i gruas me tapi, që zëvendësoi celebrimin e mëparshëm famëkeq, fraza “e ka me celebrim” u bë “e ka me tapi”, për gruan gjithnjë, se kështu zhvillohet gjuha, organizëm i gjallë është, kryen frymëmarrje dhe fotosintezë, prodhon oksigjen aq të domosdoshëm për jetën dhe të marrët e frymës, e ka me tapi, me mendje të fjetur, pronë të patudshme, që nuk e luan topi i allemanit, për gruan gjithnjë fjala. Dikur kish letra dashurie, shkruar me bojë të kuqërremtë në karta manushaqe të çelët, parfumuar me livado frëngu, tani ka tapi të kopsitura mirë, “e kam rritur vetë” thuhet për gruan kur e ke njohur qysh në klasë të gjashtë të tetëvjeçares, si një fidan domateje, e ke selitur, futur në kubik, transplantuar nga shtrati i nxehtë i fidanishtes në serrë, mbajtur në plastmas e mushama, si floriri, gjithnjë jotja, me tapi, ç’po themi…

 

Dhe kur u mendua që mania pas tapive kish arritur kulmin e s’kish ku shkonte më, ethja mori një formë të re: u bë kolektive. Ashtu si seksi që Perëndia e ka proftasur si diçka dyshe, hardalloset e merr kot në orgji, edhe dëshira e lektisja për tapi kaploi grupe njerëzish, të marrosur së bashku, njëzëri, ose me gjuhën e re “sup më sup si malet”, me një dëshirë dhe një qëllim. Dikush mund të kish një arë apo një ngrehinë, apo të shoqen me tapi, por kjo nuk ishte mjaft mesa dukej. U kuptua se historia botërore nuk qenkësh gjë tjetër vetëm një ngasje e përjetshme pas tapive. Qysh nga mbretërit e gjysmëperënditë e epeve të kohës së Nuhut të shkruara me kunja mbi pllaka balte ajo punë paskësh qenë. Njeriu asëll-asëll nuk dashkësh gruan, por tapinë e saj. Helena? Ia vodhi Paridi Menelaut një natë, se si ai e di, ama gjithësesi Menelau u gëdhi pa tapi në sepet, kërko tapi të gruas kot, ai tjetri kishte ikur ndërkaq, me Helenën në bord, e cila s’kish ç’bënte, ti ke tapinë time, imzot, jam e jotja tani, Menelau në më do vërtet, bujrum të marrë tapinë…, në mos kish ndodhur sak kështu, një version i kësaj do të ishte e vërteta, e cila sidoqoftë ka tapinë e saj edhe ajo, dhe për të cilën bëhet luftë gjithashtu… Por që të mos largohemi nga fjala e parë, gjindja e lektisur pas tapive pa me tromaksje se nuk kish tapi për dheun e vet, secili kishte një tapi të paluajtshmesh, për kodrën përballë apo vërrinë atje tej, për kullën, kasollen, depon, qilarët, për pjesë shtëpie, dhomat, paradhomat, banjot, vëllai i dytë nga nëna, i treti nga babai, djali i njerkës në fund që merrte më shumë, jetimi që mbetej pa të, por sidoqoftë, një copë tapi e kishin të gjithë veç e veç, ama kur vinte puna për të gjithën, panë të çmeritur se nuk kishin një tapi përmbledhëse sagllam. Të tjera gjindje i kishin të tyret, copëra të pamata dheu, madje edhe uji, të kopsitura në ca xhindër me emrin si nata, “noter”, që më shumë se shënues donte të thoshte pikërisht natëxhi, të errët e të murgët që mos, o Zot, u qoftë thënë, por ata kopsisnin hesapin ama, të bënin pronar, veç e veç, edhe më e rëndësishmja, të gjithë bashkë po ashtu, këto fusha pa fund, e male varg si farfuri e zonjës së madhe, nga dëborat, janë tuajat, t’i gëzoni. Gjindja u rrënqeth, kërkoi në arkiva të vjetra më kot, të tjerët e rrudhnin dorën, nuk jepnin gjë. Duhej ndonjë tapi e futur në tymtar për vendin, duhej bërë diçka, sepse… siç bëhej sherr mes bashkëfshatarësh apo vëllezërish për një copë are apo për një katua, po ashtu mund të bëhej sherr për gjithë vendin…

 

E di, e lemerishme është e gjitha, ç’më thua. Më kujtohet epidemia e tapive pas rishpërndarjes së tokave, secili e mori një në dorë, u bënë tapitë më të kudondodhura se ato fletët fluturuese në festat për presidentët e sapozgjedhur amerikanë, çdo fshatar e kish një në dorë, tapitë pushtuan qiellën, ishin Zeusi që binte në formë shiu tapish mbi çati shtëpishë dhe arash filmike, ku fshatari pa tapi deri tani i gëzohet plisit dhe poplës që u bë e tij, edhe këndon me uf e me oi… oh, e di atë ethe kolektive, e di ç’të bëjnë një qind mijë tapi… Gjindje të tjera rreth e rrotull, mu si peshkaqenët kur ndjejnë gjakun, ndjenë erën e mungesës së tapisë së madhe, edhe bënë gati tymtarët e tyre, futën fletët e tyre të shkruara nga skribët nëpër tymtarët e tyre, edhe erdhën, kërkonin vend e katandira krahinash e ultësirash, tapia ime është më e vjetër se e tjetrit, shikoje me datë aq e kaq kemi qenë këtu, shiko emrin e vendit filan e fistek, fistek i thonë pistachios, pra filan pistachua e filan kikiriku me japin të drejtë pronësie, dhe gjethe fiku, lum miku, ju duhet të ikni e mos t’ju zërë dekiku… Shtatë kombe mëtuan tapitë e tyre, dhe mirë fqinjët se merret vesh, komshiu të ha kokën, siç dhe i yti, por ia behën fise selxhuke me tapi në duar, të futura në furrat e tyre të gëlqereve, të cilat lëshonin një tym bezhë prej kalciumi, që iu jepte letrave të tyre fermanore një ngjyrë më të hidhur vjetërsie, ngjyrë sahariane, u shfaqën si fantazma ca gjindje mongole, normande, që flsinin një gjuhë që s’e mësonte dot kurrkush, pra që fallsifikimin e kishin më të lehtë, pasi që të dallosh gënjeshtrën nga e vërteta duhet të dish gjuhën e tyre, dhe beso mos beso, e vërteta dhe gënjeshtra flasin një gjuhë, ja e mësuam edhe këtë, sepse ka edhe mosgjë, çgjuhë, që është mbi të vërtetën apo gënjeshtrën, Allahu na ruajt, ka çaste kur je i thekur e i lumaksur për pak gënjeshtër, kur je në mes të mosgjësë, gënje por ji, ekzisto, pra gëneshtrën mos e shih sikur ke pikuar nga qielli me Krishtin, madje duke ditur se porsi pika materiale, e vërteta është praktikisht e pamundur dhe e paarritshme, mbetet që gënjeshtra të jetë faza normale e të qenit, domethënë gënjej pra ekzistoj.

 

Erdhi një fis nga Tajlanda me tapi në duar, kishin dëgjuar se rridhnin nga taulantët e vjetër, ua kishim dhënë vetë në dorë atë argument, taulantët bënë Tajlandën thamë, erdhën pra me tapi në dorë edhe ata, dhe si më të largët dhe të vjetër, ilirikë, e fituan davanë, erdhën pesë milionë prej tyre një mëngjes të hirtë, të ngrysur, më saktë të paqeshur, thanë shatra-patra, duke i flakur foljet si bezdi shajaku në verë, thanë “ky vendi jona”, shatra-patra duam fshatra, dhe caktuan një kohë 30 ditëshe që ne të iknim, që e quajtën si gjë të madhe, bujari të paparë, e quajtën “kohë të hirshme” që hi u bëfshin, edhe ne mblodhëm rraqet, laçkat e plaçkat, edhe ia mbathëm siç kemi bërë gjithnjë, zanatin e muhaxhirit e njohim mirë, ikëm nga sytë këmbët dhe vendi u mbush me kolonë tajlandezë, që atyre që mbetën, pasi tajlandezët i donin ca nga ne për shërbëtorë, ua ndërruan fenë, dhe vendeve filluan t’u vinin emra të dytë në tajlandezçe, që qenkësh gjuhë e kollajtë, për shembull Rushbullit i thanë Rrush Bu Lli, sikurse Lapardhasë i thanë La Par Dha. Natyrisht fshati Kuç ndenji i pamposhtur, Kuç përgjithnjë, si dhe Spaçi, së bashku me Laçin, ndërsa Lezha mori emrin e lashtë Lesh, çka solli ngatërresa me emrin e ri të Kurveleshit, gjë që i hutoi tajlandezët më zi se bullgarët me emrat e vendeve që ia sëlluan në kohë të tyre me nja dhjetë Novosela dhe pesëmbëdhjetë Izvore, të cilave vendësit e mbetur u thoshin Ixuar. Teqenë në Tomor e bënë një tempull nga të tyre dhe dervishët i shndrruan në murgjër kokërruar që fluturonin nga Kulmaku në Shashicë të Vlorës dhe kthim në round trips duke hapur krahët mu si lakuriqë nate…

 

Sëpata mori shtrembër, uria e tapive nuk kish të ngopur, për herë të parë u pa dëshira për tapi kontinentesh të tëra: ku i keni tapitë i thanë gjindjes lëkurëkuqe vendase të ardhurit tapiplotë. Vendasit nxorrën ca pupla dhe gjerdanë floriri. Jo këto, u thanë gjindja ardhëse me tapi të rregullta në dorë, kopsitur në skribë dhe vjetëruar në oxhaqe që shkrinin hekur dhe e bënin armë, tapi themi, ku i keni noterët tuaj? Nuk kemi, thanë gjindja lëkurëkuqe, a doni një të thithur duhan? Ç’është ky? Tym, u thanë. Ah, mirë, ja pak alkool… Faleminderit, faleminderit, urdhëroni me ç’të na ndodhet, gjel deti, mmm qenka i mirë, faleminderit, faleminderit… Tani të vijmë tek tapitë e kontinentit: ku i keni tapitë, s’na thatë. Nuk kemi. Ashtu? Shumë keq. Shumë keq. Si mund të rrini në një vend pa tapi, ja shikoni tonat, të kopsitura, me noter… Shamanët tanë… Po ju japim një javë kohë të mblidhni tepet e vigvamet… 

Sot planetin e kemi të mbërthyer me tapi më mirë se me paralele e meridiane. Shpejtoni, në treg ia behën tapitë e para të Hënës, ato të Marsit zëre se dolën, do të ndërtojmë lagjet e para atje, të cilat natyrisht duan tapitë e tyre… Planet për tapitë e Jupiterit dhe të Hënave përkatëse janë gati, me kometat ka disa vështirësi konceptuale, pasi kometat nuk mund të futen tek pasuritë e patundshme, ato janë pluhur më së shumti, dhe po kështu me asteroidet…

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0