Home | Literature | EMIGRANTJA, një shtjellim në kohë e letërsi

EMIGRANTJA, një shtjellim në kohë e letërsi

image
Emigrantja është pikërisht një sintetizim i larmisë së përvojave, ndjesive, shtysave, stepjeve, ngurrimeve, çartjeve ...

                                 

 

 

Romani " Emigrantja " i autorit Elvi Sidheri, edhe në këtë krijim letrar, në rolin e njëkohshëm të shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh, veçanërisht gjykuar nga shumësia burimore e personazheve, ndërthurja e kulturave, rrezatimeve gjuhësore, dialektore, kombëtare dhe mendësore që plotësojnë ylberin përmbajtësor të këtij libri, gjithsesi ofron të tjera arsye për t’u lexuar me ëndje, mënjanë preambulës së mësipërme.

Emigrantja është një histori emigrimi, ku dukuria në fjalë arrin të shtjellohet në përpjekjen e çiltër për ta shndërruar një tregim të këtillë në diçka të prekshme, të ndjeshme dhe krejtësisht të përthithshme nga lexuesi, përgjatë një rrugëtimi që gjarpëron përmes shtigjeve, kthinave e anëve të errta të Hënës metaforike të emigrimit, që jo rrallë sidoqoftë, përkundër gjithçkaje, edhe ndër ngjarjet e përshkruara në këtë roman, gjen sakaq edhe diellin e pamungueshëm, arsyen përse shumëkush, veçanërisht mes shqiptarëve, do të merrte udhët e emigrimit mbas vitit 1990.

Emigrantja është pikërisht një sintetizim i larmisë së përvojave, ndjesive, shtysave, stepjeve, ngurrimeve, çartjeve e ligështimeve, haresë e marrëzisë që përbëjnë vetvetiu emigrimin, sidomos në rastin e shqiptarit si “qenie emigruese” në veçanti, duke shqyrtuar këtë dukuri jo vetëm në prizmin e emigrimit masiv në Greqi pas ndryshimit të sistemit në vitet 90, po gjithaq duke ditur të jetësohet frymëmarrja e romanit përmes pranisë mbizotëruese, sikundër edhe të nënkuptuar mjeshtërisht të emigrantëve të tjerë shekullorë shqiptarë, në Greqinë e sotme dhe atë mesjetare, por edhe në Stambollin shumëmilionësh, ku shtresimet e prurjeve shqiptare në shekuj, kanë lënë gjurmë të gjalla akoma sot e kësaj dite.

Emigrimi, që dallohet qartësisht si frymëzim parësor i këtij romani, është diçka që mund të përkufizohet kthjelltësisht vetëm duke e kundruar atë nëpërmjet lupës ku zmadhohen për t’u bërë të kuptueshme veçoritë e këtij fenomeni njerëzor, sa edhe shoqëror, etnologjik, gjeografik e historik, ku ndërveprojnë vetvetiu gjuhë të folura e të harruara, doke të gjalla e të zbërdhulura, shprehi e nocione që kanë depërtuar malet e Ballkanit, Gramozin e Pindin, në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë si dy popuj e vende përjetësisht fqinje, duke bërë zgavra të përhershme në mendësitë e shqiptarëve, grekëve, por edhe tërë popujve të tjerë që (bashkë)jetojnë krahas dy kombeve tona në këto troje.

Ngulmim ky, në këtë pikëpamje në veçanti, që pikaset në çdo faqe të romanit Emigrantja, paralelisht me secilën histori të çdonjërit prej personazheve të tij, në çdo rajon, vend, qytet, lagje apo ngulim, në gjirin e secilës traditë kombëtare e gjuhësore, që përbën mozaikun e këtij krijimi letrar, ku një grua shqiptare në emigrim, do të përvijohet faqe pas faqeje si emëruesi i përbashkët i gjithçkaje që e bën këtë roman një lexim grishës e një sendërtim madhor për autorin e tij.

Emigrimi është padyshim një përvojë pa dallim gjinie, krahine apo ideje, nëse do të huazonim pakëz nga shprehja e njohur, por në rastin specifik shqiptar, roli i femrës, meriton një thellim të mëtejshëm, duke e shqyrtuar edhe vetë emigrimin e përmasave të jashtëzakonshme të shqiptarëve pas përmbysjes së regjimit monist, përmes rrugëtimit femëror të një shumësie të panumërt shqiptaresh që lanë pas atdheun për t’u siguruar fëmijëve, familjeve të tyre, por edhe vetvetes, përkundër mijëra vështirësish e sakrificash, vetëmohimesh e pengesash në zgripin e të pakapërcyeshmes, një të ardhme të mbrothët.

Gjithmonë në kërkim të së mirës, larg të shkuarës shpesh ndrydhëse, larg tundimeve prapanike të shoqërisë tonë, larg kulturës së thashethemit pandemik, larg zbrazëtisë botëkuptimore dhe pafytyrësive shumëplanëshe sipërfaqësore, duke synuar përmbushjen vetjake në kontekste të reja, në shoqëri të huaja, në kultura gjer atëherë të panjohura për to, me barrën familjare në shpatullat e tyre, me xhelozi, smira, por edhe mbështetje të anasjelltë mes emigrantesh dhe emigrantësh shqiptarë që do të shndërrohej në palcën e plotësimit të ëndrrave të tyre, larg atdheut, në tokë të huaj.

Ky roman sjell një mural ku shpërfaqen me ngjyra të gjalla e të ndezura aspektet e shumëllojshme të emigrimit në përgjithësi e veçanti, duke gjetur “kraterin” figurativ të vlimit të ngjarjeve dhe njerëzve të cilëve u mvishen rolet e historive jetësore që mishërojnë thelbin e këtij romani, pikërisht në Greqi, aty ku emigrimi shqiptar arrin pikun, pas vitit 1990, por edhe në mesjetën e hershme me arvanitasit, njërën nga shtyllat kryesore të shoqërisë së sotme greke.

Emigrantja është një roman që kremton, qëmton e shtjellon emigrimin shqiptar, për të lexuar, kuptuar, mos harruar.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00