Buqetë poetike nga Romeo Çollaku
Erëmonin rozmarinat... Vegime Shën Antoni...
Mbi çati e gjerdhe
Nga Romeo Çollaku
Një grimë kundërmimi i jonxhës nga arat erdh' i lagësht, por kot i vishte brym' e ftohtë xhamat në dritare.
Ngjante, mbi çati e gjerdhe, krejt jeta në të ngrysur, shpirt i munduar tymi i zi drejt qiellit tek ngjitej.
U nder pastaj një mugëtirë ndër fusha e kodrina, por i qiririt kot po mpiksej dylli sipër letrash.
Ishte ajo, por edhe s' ishte, visorja që kërkoja; diç mungonte përthellë saj, por si ta dija çfarë?
Nuk mënoi dhe, sakaq, u terratis dritarja, edhe një ëndërr u avit, më joshi për të fjetur.
Në Meshë
Në çastin e epërm të asaj meshe,
diçka t’u kujtua, më duket, dhe qeshe
me një të qeshur si prej priftëreshe.
Ishte qetësi dhe qetësia u prish,
të thashë «Pusho!» dhe ti qeshe sërish.
Qesha dhe unë. Përse? Ku ta dish.
Na pa prifti dhe qeshi, qeshi edhe psalti,
Besimtarët, shenjtorët në ikonat ngjyrëmjalti,
dhe Krishti zu të qeshte në kryqin prej smalti
në çastin e epërm të asaj meshe.
Murg nën Bajame
Afshit të drekës, tek po ngjiste
shtegun drejt manastirit
dhe kohë e shkuar, kohë bujare
erëmonin rozmarinat,
bëri të çlodhej një copë herë
nën hijen e një peme,
që, gjersa nuk i shëmbëllente,
s’ish qiparis i zymtë,
dhe ré, në rrugën e përditshme,
s’e kishte vënë më parë.
Ikonën e një shenjtëreshe
sikur të kish kundruall,
a -atë që mote i shmangej-
të vetes gjysmën tjetër,
iu drithërua ajthi krejt
mes ngasjes së dalldisur
gjithë përkushtim t’i puthte lulet,
t’i ledhatonte trungun,
një grusht argjilë të paarrirë:
vegime Shën Antoni.
Porse në mendje porositë
e jetës së përunjur
vringthi u kthyen me vërshimë
dallge mbi bash të thyer,
dhe nxori shpejt nga gjoksi kryqin,
e nderi kundër saj.
Me lutje përzuri dëshirat,
që, si nën gur të ftohtë,
iu mblodhën kutullaç poshtë parzmit,
u strukën, u tulatën.
© Romeo Çollaku
Comments (0 posted)
Post your comment