POEMA XII
... Zogjtë që preheshin në shpirtin tënd mërgojnë, matanë arratisen.
Nga Pablo Neruda
Zemrës time kraharori yt i mjafton,
lirisë tënde i mjaftojnë flatrat e mia.
Nga goja ime ka për të prekur qiellin
gjithçka prehet në shpirtin tënd.
Ti je shpresa e çdo dite.
Njom petalet porsi vesa.
Zbraz horizontin me mungesën tënde.
Përherë në ikje si valë deti.
Për ty kam thënë se mes flladesh këndon
porsi pisha e direkë anijesh.
E lartë, e heshtur, njëlloj si ata.
Ligështohesh befas, si rrugëtimet.
Gjithmonë mikpritëse, si udhë të moçme.
Gëlon ti nga jehona e zëra nostalgjikë.
Zgjohem tashmë e zogjtë që preheshin në shpirtin tënd
mërgojnë, matanë arratisen.
* "20 POEMAS DE AMOR Y UNA CANCIÓN DESESPERADA" & (20 Poema Dashurie dhe një Këngë e Dëshpëruar), viti 1924.
© Elvi Sidheri, në Shqip
Comments (0 posted)
Post your comment