Letërsia dhe Pablo Neruda
... Puhiza natore endet nëpër qiell këndueshëm...
Nga Elvi Sidheri
Siç dihet, Pablo Neruda në fakt nuk quhej pikërisht kështu, ngaqë emri i tij i vërtetë ishte Neftalí Reyes Basoalto, i lindur në qytetin Parral në Kili në vitin 1904, ndërsa jeta e tij (kurrsesi jo vepra sakaq) do të shuhej më 23 Shtator të vitit 1973.
Secilit nga ne që veprën letrare të Nerudës e lartësojmë në Olimpin më të epërm të letërsisë, vazhdimisht na vijnë në mendje qindra vargje të poetit kilian që veç ai mund t’i kish shkruar në atë mënyrë, e pikërisht për këtë arsye Neruda do të vlerësohej botërisht jo vetëm për çfarë shkruante, por si shkruante vargjet e tij.
Ky stil kaq i papërsëritshëm i detyrohej pikësëpari karakterit të tij të paepur, të mbrujtur me bindje të majta, prej njeriu të vendosur e kokëfortë gjer në pasoja të skajshme, duke i dalë në mbrojtje me vendosmëri gjithçkaje në të cilën besonte dhe që i dukej e drejtë sipas bindjeve të tij, siç kanë shkruar për Nerudën shumë miq të tij, por edhe e veja e poetit të madh, Matilde Urrutia.
Për këdo që e pati njohur poetin dhe që pati bashkëndarë me të kohët e mjerimit dhe shtypjes, Pablo Neruda do të ishte shëmbëlltyrë e njeriut me karizëm të jashtëzakonshme që vetëm pak qenie njerëzore e shpërfaqin në jetën tokësore.
Në të vërtetë, Neruda ishte njeri krejtësisht i ndryshëm nga çfarë dukej në publik, fort i ndrojtur, thuajse i padukshëm dhe i strukur në botën e vet...
Pablo Neruda kish pasur dy nëna, të vetën, nënën biologjike që pati vdekur pak mbas lindjes së poetit për shkak të tuberkulozit, si dhe Trinidad Candia Malverde, gruan e dytë të babait të tij, José del Carmen Reyes Morales.
Siç pohonte vetë Neruda “nëna e tij e dytë ishte një grua e ëmbël, e zellshme, me ndjesinë e bashkëlindur të humorit rural dhe një mirësi të përhershme të palodhur”.
Që në vitet e parë të shkollës Neruda do të hidhte hapat fillestarë si shkrimtar në gazetën vendore të quajtur “La Mañana”, ku artikulli i tij i parë i botuar do të titullohej “Entuziazëm dhe ngulmim”. Më tutje do të njihej edhe me Gabriela Mistral, poeteshë tejet e njohur kiliane, që do të fitonte si Neruda Çmimin Nobel (viti 1945), e cila do t’i dhuronte poetit disa libra të Tolstoit, Dostojevskit dhe Çehovit, që do të kishin ndikim shumë të rëndësishëm në fillesat e formimit letrar të tij.
Ndonëse babai do të mbante qëndrim krejtësisht kundërshtues ndaj vijimit të Nerudës në shtegun e letërsisë, sidoqoftë grindjet e shpeshta me të birin nuk do të kishin ndonjë efekt të veçantë.
Kjo do të ishte arsyeja përse Neftalí Reyes Basoalto nis të përdorë pseudonimin Pablo Neruda, me qëllimin e vendosur për t’i humbur gjurmët nga mbikëqyrja e të atit, që ky i fundit mos e merrte vesh faktin se poeti vazhdonte të lëvronte letërsi.
Mbiemrin Neruda e pati hasur rastësisht në një revistë, e për kuriozitet, Neruda ishte një shkrimtar me origjinë çeke i cili, ndër të tjera shkruante balada gjithaq të bukura.
Pablo Neruda shkruante pesë poema në ditë, shumë ndër të cilat do të gjenin strehë në librin e tij të vetëbotuar me titullin “Crepusculario” (E Muzgut).
Ç’të thuash pra? Ndërkohë që në ditët e sotme akoma vijojmë të ankohemi sa e vështirë është që të na botohet një libër...
Sa për dijeni, mënyra sesi Pablo Neruda do të arrinte ta vetëbotonte këtë libër, ishte falë të hollave të fituara me mund e me djersë duke shitur mobilje, duke lënë peng orën e dorës që i pati dhuruar i ati dhe falë ndihmës në çastin e fundit nga një kritik letrar dashamirës.
Përkundër gjithçkaje, libri “Crepusculario” do ta linte të pakënaqur Nerudën, duke e nxitur poetin që t’i kushtohej edhe më zellshëm shkrimit të një libri tjetër, që do të ishte fort më tepër personal, më i shtjelluar dhe më i vyer, në këndvështrimin letrar.
Bëhej fjalë për “Veinte Poemas de Amor y Una Canción Desesperada” (Njëzet Këngë Dashurie dhe Një Këngë e Dëshpëruar), nga i cili shkëputen këto vargje, në përkujtim të fillimit të shkrimit të këtij libri:
Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë.
Të shkruaj, për shembull: “Është një natë me yje,
e yjet dridhen, të kaltër, diku larg”.
Puhiza natore endet nëpër qiell këndueshëm...
Nga botimi i këtij libri të dytë, letërsia e Nerudës do të ngarkohet më shumë politikisht, por gjithashtu edhe jeta e tij do të vështirësohet për shkak të rrethanave ekonomike, meqënëse i ati do t’ia mohonte çfarëdo mbështetje financiare kur Neruda do të vendoste t’i linte studimet që kish nisur për t’u bërë profesor frëngjishteje në Institutin Pedagogjik.
Në kërkim të ndihmës për të dalë nga kjo gjendje, si përfundim Nerudës do t’i caktojnë vetëm një post konsullor në Rangun të Birmanisë, ku poeti do të njihte Josie Bliss, e cila do të bëhej partnerja e tij e parë dashurore. Marrëdhënie e këtillë që do të vijonte shumë pak si pasojë e xhelozisë së djallëzuar së kësaj të fundit. Neruda do t’i largohej dashnores së tij ekzotike sapo do të informohej për detyrën e re diplomatike në Cejlon, duke e përgatitur udhëtimin krejt në fshehtësi pa u ndarë fare me Josie Bliss, duke lënë në shtëpinë e saj edhe veshjet dhe librat e tij.
Disa vite më tutje, në 1930, Pablo Neruda do të martohej me María Antonieta Agenaar, që do të ishte nëna e bijës së tij, Malva Marina.
Në Buenos Aires Neruda do të njihej me Federico García Lorca, i cili do të ngulmonte që poeti kilian të udhëtonte në Spanjë, ku do të njihej edhe me Miguel Hernández, Luis Cernuda e Vicente Aleixandre, ndër të tjerë, poetë të shquar spanjollë, por ndërkaq, qëndrimi i tij në truallin spanjoll do të zgjaste pak, sepse pas shpërthimit të Luftës Civile Spanjolle në vitin 1936, do të detyrohej të largohej në Paris.
Aty, thellësisht i ligështuar nga çfarë po ndodhte në Spanjë, por edhe nga vdekja e mikut të tij, García Lorca, do të shkruante librin me poezi, “España en el corazón” (Spanja në zemrën time).
Në vitin 1946, tashmë poeti ishte kthyer në vendin e tij, ku do të bëhej pjesë e Partisë Komuniste, e ku gjithaq do të zgjidhej senator i republikës në provincat e Tarapacá dhe Antofagasta. Po në këtë vit do të fitonte edhe Çmimin Kombëtar të Letërsisë, por mbrothësia e fatit të tij në mëmëdhe nuk do të vazhdonte gjatë, sepse pas bërjes publike të një proteste që ngrinte zërin kundër përndjekjes së sindikatave nga presidenti Gonzáles Videla, Neruda do të dënohej me burg, po falë miqve të vet do t’i shpëtonte burgut dhe do të ikte nga vendi.
Në periudhën e jetesës në fshehtësi, Neruda do të botonte një tjetër nga veprat e tij më gjeniale “Canto General” (Këngë e Përgjithshme), libër i botuar në Meksikë dhe që do të shpërndahej në mënyrë klandestine në Kili.
Këto vite mërgimi do të ishin tmerrësisht të trishtuar për poetin, që ndërkaq do të nderohej me të tjerë çmime prestigjiozë, si Çmimi Ndërkombëtar i Paqes në 1950, krahas të tjerë artistësh mitikë, si Pablo Picasso dhe Nazim Hikmet (jo rastësisht, të gjithë skajshmërisht të majtë).
Pavarësisht trishtimit të thellë, Neruda gjithsesi do të gëzonte shoqërinë e pandashme përkundëse të Matilde Urrutia, grua që do t’i qëndronte pranë gjer në ditën e fundit të jetës, me të cilën do të jetonte gjithashtu si klandestin marrëdhënien e tyre dashurore, derisa do të ndahej zyrtarisht nga bashkëshortja e tij e mëparshme.
Në vitin 1958 do të botohej një tjetër libër, që vetë Neruda do ta cilësonte si librin e tij më intim, me titullin “Estravagario”, ndërsa më tutje do të shkruante të tjera vepra si “Fulgor y muerte de Joaquín Murieta” (Shkëlqimi dhe vdekja e Hoakin Murietës).
Në vitin 1971 do të vlerësohet me Çmimin Nobel për Letërsinë dhe dy vite më vonë, në vitin 1973, do të vdesë më 11 Shtator, një datë padyshim e dhimbshme, duke pasur parasysh edhe 11 Shtatorin 2001.
Stili i të shkruarit i Pablo Nerudës ishte kryekëput i pakrahasueshëm, meqënëse poeti i madh kilian shkruante duke arritur t’i ngërthente në krijimet e tij letrare të gjitha shqisat: dëgjimin, nuhatjen, shikimin, prekjen, shijen...
Në këtë mënyrë Neruda synonte përshkrimin e një skene apo ngjarjeve dhe ndjenjave, në formën më të natyrshme, duke arritur t’ia përçojë lexuesit këto ndjesi mirëfilli për t’i bërë pjesë të poemave apo shkrimeve të tij.
Neruda ishte gjithashtu tejet i saktë në përzgjedhjen e fjalëve më të përshtatshme për ta emocionuar lexuesin, veçanërisht edhe me aspektet shpirtërore, ndijore, po edhe jofrymore të letërsisë së tij, natyrën, sendet, mjedisin, gjërat më të vështira për t’u përshkruar.
Neruda përdorte përherë metafora të shumta duke dashur të sendërtonte përshkrime të hollësishme e tejet prekëse të njerëzve, gjërave, natyrës e ndjenjave.
Në përshkrimet e tij ndihet qartas ndikimi i surrealizmit, meqënëse Neruda përdorte rregullisht shprehje mjaft të rralla e të vështira për të shpjeguar gjëra që në të vërtetë qenë fort të thjeshta, siç mund të ishte dashuria e humbur apo magjia e natës.
Prirja për të mishëruar jofrymoren në poezinë e Nerudës, haset kur poeti bisedon me një narrator si Simon Bolivari në “Un canto para Bolívar” (Një këngë për Bolivarin), me vdekjen në “Alturas de Macchu Picchu” (Lartësitë e Maçu Piçu), ose me detin në “Oda al mar” (Ode për detin).
Ky lloj i epërm mishërimi letrar veç ia shton madhështinë dhe universalizmin poezisë së tij sepse Neruda arrinte mahnitshëm t’i falte jetë, emocione dhe frymë gjithçkaje në këtë botë përmes letërsisë së tij.
Për të gjitha këto arsye, po edhe shumë më tepër se kaq, Neruda do të jetë gjithnjë aktual, përkundër kohës që kalon, politikës apo evoluimit letrar, duke mbetur përherë pararendës.
Comments (0 posted)
Post your comment