Home | Literature | Buqetë poetike nga P. D. Gjoni

Buqetë poetike nga P. D. Gjoni

image
Âsht’ i turbullt vegimi...

 

 

 

Nga Pranvera Drita Gjoni

 

 

 

DLIRËSIA...

 

Rapsodi e jetës, është gurra e burimit,

mbushur tingujsh askund të artikuluar.

Vallëzon pa pengesë enëve të shpirtit,

ndrydhë të keqen, e çel dritën e harruar.

 

Melodinë e saj, askush se ka shkruar,

ka pentagram të brendshëm dridhjesh.

Dëgjohet e përjetohet heshtjeve zgjuar,

në rezonancë me veten, larg çjerrjesh...

 

Brumi i saj i ujshëm, gatuar urtësimalit,

ushqen pa dallim, racën njerëzore...

Në udhëtim kohësh ndan çajin nga helmet,

sipërorët në fron, të mekurit i merr për dore.

 

Trupi i saj i brishtë, admirohet pa pasthirrma,

ecë udhës thjeshtë, slloganeve zhveshur.

Madhështinë krijon epokë-lindjes pa za,

lenë pas guralecët, rreth vetes të kremtohen.

 

 

VIRUS BARBAR...

 

Në të gjitha epokat

kjo sëmundje kaloi parashikimet,

e dëshmitarët shënojnë

me një kryq në ditar ikjet...

 

Asnjë “medikament”

akoma s’u zbulua për trajtimin,

e jetët e shkurtuara të grave

stivohen varreve të dëshpërimit.

 

Asnjë virus, qoftë dhe bakterial,

s’mund të bëj kërdinë

sa bu(r)rat ndaj brishtësisë,

duke u përçudnuar qenësinë

në totalin e njeriut:

- frymë,

- ëndërra,

- civilizim,

- vizion,

- nëna...

 

... e shoqëria shqetësohet

për dashnorët e “VIPA-ve”,

për butox-ët e tyre,

për vakancat e shtirura,

për ndjekësit në fb-uk,

instagram e në djall...

 

I kemi shpërdoruar

kufinjtë e natyrës,

Zotit,

Universit...

Qitnim pushkë kur lindte djalë,

e kjo pushkë gjuan pa dhimbtë

mbi dashurinë e mbjelljes!

 

Fatkeqësia e njerëzimit,

vjen nga dora dhunuese

e ngritur mbi krijuesin...!

 

 

PËRHUMBJE E PËRHIME...

 

Kur zhytem n’kujtesë,

mijëra ulurima skeletesh

kërkojnë emnat e tretun

humbnerave pa adresë...

 

Provoj mos t’a bâj për ditë,

se s’kam takat në shpirt

t’çoj vuejtjet e shekujve

që persekutuen e vranë dritë...

 

Âsht’ i turbullt vegimi,

drejtësia t’shkoi tek i biri

rrumpallës s’inkriminuar

t’varrmihëseve hibrid...

 

Kur zhytem n’kujtesë,

revoltohem n’ekstrem

kam turp t’jem shqipëtare

për çfarë populli im ka heq...

 

...e keqja se len t’keqen t’flejë,

por âsht’ e gjithëkund gjetur

pa prishur udhën e shtrëmbt’

qëkur dreqnit, shenjtër i bâmë!

 

© Pranvera Drita Gjoni

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00