Bashkëudhëtarët
Kërcëllima shpirtërash ...
Nga Ibrahim Kazimi
Kundërmim
Jo veç
nga coftinat e lakmive mesjetare qelbej sheshi
mbase
nga maniri i xhambazëve të puplave
me ambicie ilegale të shpresave të retarduara
Flijime
ju më thoni
të heq dorë më nga mburrja me flijime
në cep të një rrëfimi tragjik
kuptime tjera gjymtësitë e gjalla të idhujve
gjithçka m`u afrua për haraç shpirtëror
veç në versionin tjetër
rigjeta librin e humbur të jetës origjinalin e pluhurosur
një udhë të legjitimohej kapitull në vete
sa iu dashka njeriut të çalojë
i përgjakur me imazhe të horizonteve të thyera
flijimet që i mveshja me miqëzime të hershme
më thoni të heq dorë nga mburrja
me aq shumë mbanëdalje
të konvertohem në mosflijues...
Bashkëudhëtarët
Në atë singlën e lakuar me variante të censuruara, për një karvan të rënë
në zavallë udhe,
në prrita egërsirash e ndërsymje të papritura cerberre në një orë të
zbarët, në një ekspeditë
mistike me gjurmë të shpluara...isha unë...
I trashëguar me një qeshje pa epidemi hale në sy (pa ma thënë kush se
këtu kjo paguhej
shtrenjtë një ditë), drejt një parashikimi boll të përmbushur, i kalitur me
përkorrje, me një lutje
për të gjithë. Kërcëllima shpirtërash më kishin mëkuar padurim. Unë
me një çerek lutje ia dilja
mbanë.
E, aktin e kafshimit e fillojnë te ushqyesi, si rëndom, zbrapsje duelesh
në blasfemi mbi kurriz
intuite -
Ata të ekuipazhit të brendshëm, veshur me marshe të mia, jashtë
fshehnin autorësinë.
I ngarkuar me aq marrëzi tokësore natën vjellja erë trolli të sëmurë.
Parandjenjën, kah shkoja e merrja me vete talisman.
Fate të sintagmuara udhësh e yçkla nënkrejesh në ca beteja tjera
mbijetese. Një lutje të djegur
dëshmie.
Qenka gabuar hata paraardhësi në përzgjedhjen time të besimit të
bartur.
Kryet të mos e kthejë kurrë më kah darkat e bashkëudhëtarëve?
...tetor `96 / Bern
© Ibrahim Kazimi
Comments (0 posted)
Post your comment