Home | Literature | Nostradamët e kohës sonë

Nostradamët e kohës sonë

image
Nostradamët

krekosen me profecitë ...

 

Nga Ahmet Selmani

 

 

 

ZGJIMI I QYTETIT

(ose statujat e kalbura)

 

Qyteti

me emër të lashtë

zgjohet

veç me fytyrën e re

të statujave

që kalben nga shiu

i verdhë

si ëndrrat e banorëve

të sëmurë.

 

 

 

NOSTRADAMËT E KOHËS SONË

(ose vdekja e profecive të sëmura)

 

Nostradamët

e kohës sonë rrinë strukur

në nevojtore

duke e parë fundin e botës

nga vrima e saj

flasin vetëm për orët e zeza

që do të vijnë

krekosen me profecitë e tyre

të sëmura

të cilat vdesin sa çel e mbyll

sytë.

 

 

PSE DUHET TË PRESIM

(ose kujtesa e keqe)

 

Pse duhet

të presim gjersa të na bjerë e keqja

mbi kokë

e më pastaj të flasim për dashurinë

ta shikojmë

njëri-tjetrin në sy si të përmalluar

e t’ia tregojmë

të gjitha gjërat e bukura që i kemi

e ta mësojmë

njëri-tjetrin se ia vlen të jetojmë

e të ndihemi

si homo sapiens me zemër të gurtë

dhe në fund

kur e keqja të fashitet si retë në qiell

ne rishtazi

të rikthehemi mu aty ku kemi qenë

e ta fshijmë

me gomë kujtesën e keqe që shpesh

na bën mirë.

 

DEKAMERONI NË KOHËN E VIRUSIT KORONA

(ose frika nga fjala dhe jo nga lëngata)

 

Njerëzit

po ikin larg nga lajmet e zeza

e po struken

kokë më kokë në guvat e thella

e vetmisë

s’duan të flasin për lëngatën

e kohës sonë

por duan të qeshin sikur s’ka

ndodhur asgjë

e ta zbojnë vdekjen me shqelma

të harresës

nuk frikësohen nga virusi korona

por nga fjalët

që shurdhojnë si refren gjinkalle

ndaj vriktas

e krijojnë dekameronin e tyre

për ta mundur

gjëmën e lëngatës misterioze

me kujtime

për jetën apo për paqen e bukur

me rrëfime

për dashurisë apo për mallin

eh njerëzit

po bëhen personazhe të gjallë

dhe frikën

e varrosin me duart e dekameronit

të ri

duke mbjellë lule fjalësh në sagën

e mbijetesës.

 

 

© Ahmet Selmani


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00