Home | Literature | Ta bëjmë botën më të mirë

Ta bëjmë botën më të mirë

image Photo: Jason
Njerëzimi teshtitë ankth...

 

 

Nga Ndue Ukaj

 

 

Bota po teshtitë përpara një mikrobi

që e ka lidhë tokën dhe po e tund si një lodër të lehtë.

 

Njerëzit po dihatin se qen të lodhur nga një udhëtim i gjatë dhe pa cak.

Po dihatin të gjithë dhe brenda mureve po kompozojnë simfoninë e frikës.

 

Përpara kemi mure dhe lajme të frikshme.

Planeti - si një zemër e dridhur është mbyllë

dhe po dëgjon rrufe.

 

Sonte hëna ishte e bukur dhe unë në dritën e syve të saj

pashë sytë e trazuar të botës së lodhur.

 

Edhe dita ishte me diell.

Unë rrija në ulësen e pasme te një makine

që gjarpëronte përmes heshtjes dhe frikës

dhe shihja si natyra merrte frymë pa njerëz.

 

Tashmë akrepat e orës janë të ngadalshëm.

Vajzat nxjerrin kohën prej pizhameve të tyre.

Gratë me rruzure në dorë luten për një mot të ri.

E burrat si unë trishtohen përballë xhamit të zi.

 

(Trishtohen edhe ata që rrinë në kështjella të mëdha e frone të larta).

 

Matanë është heshtja si një oqean i tërbuar

ku fundosen anije me dëshira plot -

dhe të mbyllurit shohin si digjet Edeni.

 

Akrepat lëvizin ngadalë.

Lajmet shtohen dhe frika përhapet më shpejt se virusi.

Dikush numëron orët e jetës që ka përpara

dhe sheh cakun final - vdekjen.

Ata më të rinjtë dihatin si qen të lodhur

dhe fikin cigaret në duart e tyre të përzhitura.

Fëmijët mbushin thasët me lodra

dhe të hutuar presin ditën e re.

 

Por ka edhe të tillë që nuk kanë nevojë për orë dhe kalandër:

ai plaku që rri i menduar nën pemën e dashur

dhe mjekët që luftojnë për një jetë më shumë.

 

Tufat e gazetarëve bredhin si era që paralajmëron përkeqësim të motit.

Po shtohen lajmet e këqija – thonë -

sepse disa qëmoti i kanë mbyllë dritaret për lajme të mira.

 

Mediumet janë të mbushura me trishtim

dhe lajme të trazuara

që teshtijnë viruse dhe mikrobe.

 

Njerëzimi teshtitë ankth.

Në këtë natë të gjatë me errësirë të frikshme.

 

Unë rri në ulësen prapa dhe shikoj si teshtijnë orëligët

dhe zërat zemërmirë që rrëfehen në altarin e faljes.

 

Por kur bien kambanat e katedraleve

të gjithë kthejnë sytë kah qielli -

dihatin e teshtijnë

dhe luten që nesër bota të bëhet më e mirë

dhe të thuhet një meshë e madhe e dashurisë.

 

© Ndue Ukaj

 

20 Mars 2020.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00