Odë për Jetën
Jetë, Ti je porsi vreshtat...
Nga Pablo Neruda
Tërë natën
Dhimbja më godet
Me sëpatë,
Por ëndrra
Tashmë kaloi
Duke shpëlarë si ujë i mugët
Guriçka të përgjakura.
Sot jam gjallë sërish
Sërish
Të ngre në këmbë,
Ty, jetë,
Mbi shpatullat e mia.
Oh jetë, gotë e kthjellët,
Menjëherë mbushesh
Me ujë të ndotur,
Me verë thartuar,
Me agoni, me humbje,
Me pezhishka lebetitëse,
Të shumtët pandehin
Se këtë zheg të ferrit
Do përflakësh përherë.
Nuk është e sigurt.
Kalon nata ngadalë,
Kalon një minutë e vetme
E gjithçka ndryshon.
Mbushet befas
Në tejdukshmëri
Gota e jetës.
Përpjekje madhore
Na presin.
Njëkohshëm ngjizen pëllumbat.
Drita zbardh krejt tokën.
Jetë, poetët e ngratë
Të pandehën të hidhur,
Nuk dolën nga shtrati
Ku dergjeshin me ty
Në puhizën e botës.
Të goditur fort
Pa të kërkuar ty,
Gërmuan
Guvën e errët
Dhe u krodhën
Në dhimbjen
E një pusi të vetmuar.
Nuk është e vërtetë, jetë,
Ti je e bukur
Si ajo që dashuroj unë
E mes gjinjve të tu
Përçon aromë mendër.
Jetë,
Ti je
Një mekanizëm i plotë,
Lumturie, tingujsh
Të stuhishëm, butësisë
Së vajrave të brishtë.
Jetë,
Ti je porsi vreshtat:
Përqafon dritën dhe e shpërndan tutje
Të shndërruar në vile rrushi.
Kushdo të mohon ty
Le të presë
Një minutë, një natë,
Një vit, të gjatë a të shkurtër,
Të dalë njëherë
Nga vetmia e tij mashtruese,
Të hetojë, të përleshet,
T’i bashkojë duart e veta
Me të tjera duar,
Mos t’i nënshtrohen, as ta lëvdojnë
Mjerimin,
Ta degdisin
Duke e murosur,
Siç bën skalitësi me gurin,
Ta shqyejnë copash
Mjerimin
Të qepin me të
Pantallona.
Jeta na pret
Të gjithëve
Neve që e duam me shpirt
Aromën e egër
Të detit dhe mendrës
Që përçohen
Mes gjinjve të saj.
© Elvi Sidheri, në Shqip
Comments (0 posted)
Post your comment