Cikël poetik nga Virion Graçi
Lumturia ime - specie e ndaluar...
Nga Virion Graçi
* * *
Në çelje të programit
Valltaret mulate derdhin tajfune epshi
Mbi minutat e dlira të paqes.
Gjatë shfaqjes i blen patatinat
Nga mulati i vafër.
Mbas darke merr në telefon
Dhe përunjësisht i kërkon lejë për nesër
Shefit mulat.
* * *
Pasi doli nga kulla i hypi kalit
Pasi i hypi kalit u largua nga kulla
Pasi u largua nga kulla i’u afrua lumit
Pasi u takua me lumin ajo i mbajti frerin kalit
Pasi i mbajti frerin kalit zbriti në zallin e nxehtë
Pasi zbriti në zallin e nxehtë
Kërkoi me sy një vend të fshehtë
Pasi e gjeti vendin e fshehtë
Filloi të zhvishej
Pasi u zhvesh plotësisht
Ajo kërkoi rrobat e banjos
Pasi kërki rrobat e banjos
U kujtua se nuk i kish marrë me vete
Pasi u kujtua se nuk i kish marrë me vete
Nxitoi të fshihej në kallamishtë
Pasi u fsheh në kallamishtë
Lumi ngriti valë e shkumë
Pasi lumi ngriti valë e shkumë
S’u dukëm më as kallamat, as ime zonjë.
Pasi s’u duk më ime zonjë në kallamat e përmbytur
Unë u ktheva pa hingëllima për në kullë.
* * *
Lumturia ime varej kryekëput
Nga kërcinjtë e nyjëtuar të asaj specieje
Të cilën botanistët e quajnë karkalec.
Lumturia ime varej kryekëput
Nga trajektorja e tij tërë dredha
Aty bëhej kulm i trekëndëshit barabrinjës
Këtu përmesore e këndit të gjerë
Fushat humbisnin fëmijët e gjelbër
Nga shikimi i tij tejet i vëngër
Vajzat humbisnin pastërtinë e syrit
Nga harku i tendosur prej tij në skuta.
Karkalec quhet. Me pëlqimin e tij
Po i’a shpall sekretin:
Ndodhej nën juridiksionin e një shteti tjetër
Lumturia ime - specie e ndaluar
Dezinfektohej me aksione të vrullshme lokale.
© Virion Graçi
Comments (0 posted)
Post your comment