Cikël poetik nga Virion Graçi
Eh… Perëndoi ai shekull i artë...
Nga Virion Graçi
*
Shumë gjëra na dorëzohen të gjalla
Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.
Shumë gjëra na dorëzohen të heshtura
Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.
Shumë gjëra na dorëzohen të mplakura
Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.
Shumë gjëra na dorëzohen të shenjtëruara
Sendet e të vdekurve
Dorëshkrimet e të heshturve
Këpucët e ulokëve, albumet familjare
Vajzat e hoteleve.
E vërteta s’është vetëm e tashme.
*
Eh… Këngë e filluar me tytë pistolete
E vazhduar me bisht fshese
E vulosur me të kuq buzësh.
Eh… Dramë e filluar me perde të mbyllura
E vazhduar me vernik të skaduar qyshkur
E vulosur me të kuq buzësh.
Eh… Mbrëmje e filluar me brumë petullash
E vazhduar me tehun e një thike
E vulosur me të kuq buzësh.
Eh… Perëndoi ai shekull i artë
Ai shekull përsiatjesh, dilemash, psherëtimash.
Shekull me ethe, serenata
Semaforë, senatorë.
Perënduan vargmalet, gadishujt, lagunat.
Në perëndim e sipër perëndoi
Vetë perëndimi.
© Virion Graçi
Comments (0 posted)
Post your comment