« Erdha, Pashë, Dashurova », Fragment
Në Kullën e Orës, ikonë e ...
Nga Elvi Sidheri
* * *
Jashtë binte vetëm një vesë e hollë, që nuk po arrinte dot të shndërrohej në reshje shiu të mirëfillta e për t’u mbrojtur nga tekat e motit, Artemisa i mori masat paraprake, duke hedhur krahëve një shall të madh ku ndërthureshin ujshëm tërë ngjyrat e ylberit, ndërkohë që ishte bërë gati të pllaquritej nëpër rrugët e rruginat e Tel Avivit me çizmet e hareshme të shiut që i pati sjellë Achilleas-i me përkujdesjen e tij që po spikaste qysh në ditët e para të njohjes së tyre.
Kështu, pak më vonë, nën mbrojtjen dashamirëse të ombrellës së tij të tejdukshme, strukur në përqafimin e krahëve të tij të kalitur, Artemisa me kokën e mbështjellë thuajse tërësisht me shallin e saj shumëngjyrësh, hasi për herë të parë vetëdijshëm buzët e tij. Nuk ngurroi që t’i falte qipriotit të përkushtuar puthjen e saj të parë, teksa shiu i ndrojtur vijonte të trokiste thuajse pa u ndier në ombrellë, e piklat e ujit dukeshin porsi gurë të vegjël të çmuar që rridhnin bekueshëm nga qielli mbi ta dhe dashurinë e tyre të porsangjizur.
Achilleas-it shqiptarja e hijshme dhe sidomos sytë e fytyra e saj magjepsëse mbështjellë me shallin ku lodronin ngjyrat e ylberit, i kujtonte fort hareshëm një matrioshkë gazmore ruse, që ishte mishëruar krejtësisht e gjallë, dehëse, skajshmërisht tunduese pranë tij, ngjitur me të, duke e puthur plot pasion, pa asnjë stepje ndërkohë që ecnin ngadalë mes një puthje dhe përqafimi ngazëllues e tjetrit, anës Habima Theater, Teatrit Kombëtar të Izraelit dhe Fredric Mann Auditorium, Orkestrës Filarmonike të Izraelit.
Qenë duke përshkuar në këmbë Bulevardin Rothschild, aksin më të rëndësishëm të Tel Avivit, kushtuar familjes së madhe të bankierëve francezë, Rothschild, gjë që dallohej qartë se ia ledhatonte egon Achilleas-it, që rridhte gjithashtu nga një familje e shquar bankierësh qipriotë.
Si patën vizituar edhe Sallën e Pavarësisë, ku më 14 Maj 1948 ishte shpallur Pavarësia e Izraelit, në të njëjtin vend ku në vitin 1909 disa dhjetra familje hebreje patën ndarë truallin ku do të ngrihej Tel Avivi i ardhshëm, Achilleas vendosi që shëtitja e tyre romantike të vazhdonte diku tjetër.
Jaffa ishte pjesa më e vjetër e Tel Avivit, aty ku ende ndihej trashëgimia e të shkuarës së lashtë shumëkulturore, ku gërshetoheshin ndikimet pafund që patën shenjuar Tokën e Shenjtë, e ku kishat, sinagogat e xhamitë haseshin rëndom nëpër rrugicat që i aviteshin detit.
Në Kullën e Orës, ikonë e pazëvendësueshme e Jaffa-s dhe vetë Tel Avivit, u ngjitën dorë për dore, duke ndjekur hapat e përshpejtuar të njëri-tjetrit nëpër shkallë e vrojtuar horizontin e kaltëruar, pa harruar të vulosnin edhe këtë monument mbi 100 vjeçar me dëshminë e ndjenjës që i kish bashkuar.
Ndanë mureve të vjetra të qytetit, ndërtuar e rrënuar rregullisht nga tërë sunduesit e shumtë të Jaffa-s, qysh në kohë biblike e gjer në epokën napoleonike apo osmane, por edhe nga tërmetet e pamëshirshëm, shkëmbyen të tjera puthje plot epsh, nën vështrimet mirëdashëse të vendasve mesa duket të mësuar me turistët e dashuruar që zbulonin zjarrin e pasionit të lidhjes së tyre në këtë vend ku e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja shkriheshin krejtësisht.
U ulën për të ngrënë diçka tipikisht vendore në dyqanin e njohur të pjekurinave Abulafiya, adresë e pashmangshme kulinarike në Tel Aviv që nga viti i largët 1879, për të shijuar pitet arabe, bagelët e pamungueshëm, por edhe bakllavanë, ëmbëlsirë që nuk ishte kurrsesi e panjohur për secilin prej tyre, pasi në Shqipëri e Qipro, gjurmët osmane nuk mungonin, edhe në gatime.
Në portin e lashtë të Jaffa-s, nuk mundën të mos mbeteshin të mrekulluar nga pamja e Shkëmbinjve të Andromedës tutje në det përballë tij, ku sipas gojëdhënave mitologjike, heroi i pamposhtur Perseu, hipur mbi kalin e tij me flatra, pati shpëtuar bijën e mbretit Cefeus dhe gruas të tij Kasiopeas, Andromedën, nga kërcënimi i një përbindëshi detar, pikërisht në këto shkëmbinj.
- A nevojitet patjetër që të kthehesh në Shqipëri, Artemisa? - pyeti befasisht Achilleas-i teksa një rudhë i qe krijuar vetvetiu midis vetullave, kur qenë mbështetur mbas murit të gurtë të një ndërtese në portin e Jaffa-s e po kundronin me vështrime të përhumbura këto shkëmbinj që prej disa mijëvjeçarësh sfidonin kokëfortësisht valët e tërbuara të detit, duke ngërthyer në përjetësi edhe legjendën e tyre epike.
- Ti do të vish si Perseu mitologjik që të më shpëtosh në Tiranë, domethënë? Nga përbindëshi im, që nuk ma ka dërguar aspak Poseidoni si në gojëdhënat e lashta, por rrethanat dikur në fillim të viteve 80, kur e lidha jetën time me atë njeri. Fundja, unë nuk kam synuar ndonjëherë të rivalizoj me sirenat për nga hijeshia, përse vallë të hakmerreshin Zotat e Olimpit ndaj meje? - iu përgjigj Artemisa, në dukje me humor, po gjithaq me një pohim tepër të dukshëm lidhur me qëllimet e tij.
Perëndimin e magjishëm të diellit dhe mbrëmjen, ndonëse shiu nuk kishte ndërmend të pushonte, e kaluan të pandarë njëri nga tjetri, në zonën e Parkut të Jaffa-s, majë kodrës, në vendndodhjen e qytetit antik të Jaffa-s, duke u vërtitur mes topave të hekurt të mbetur atypari qysh nga koha kur Napoleoni kishte pushtuar qytetin e fortifikuar në vitin 1799 (ku Perandori francez, pati masakruar mizorisht, duke shkelur çdo parim përkorje ushtarake, mijëra të burgosur shqiptarë, që shërbenin në ushtrinë osmane, të cilët patën mbrojtur muret e qytetit përgjatë disa ditëve nga mësymjet frënge) dhe kopshteve të gjelbëruar e rrënojave 3500 vjeçare, që në periudhën egjiptase.
Pas shiut, qielli do të kthjellohej mjaftueshëm e nga maja e kodrës, në Gan HaPisga, Maja e Kopshtit, sytë e tyre soditën të mahnitur nga bukuria që u shtrihej përpara, krejt Tel Avivin me plazhet që përqafonin detin, gjer në Haifa në largësi, në veriun e Izraelit tutje në horizontin nator.
Orët po kalonin, dashuria veç u shtohej, ndjenjat u përflakeshin e sytë u qenë njësuar në një vështrim të vetëm që përçonte në shqisat e tyre gjithçka që u vlonte përbrenda.
Ishin njësuar edhe ata vetë tepër shpejt, ai pati ardhur rrëzë zemrës së saj plot vetëpërmbajtje, me një qëndrim të fisëm, që dinte çfarë donte, duke pritur e reaguar sakaq vëmendshëm ndaj çdo grimase të saj, çdo dridhje të papërfillshme në dukje, ndaj çdo mëdyshje që ai arrinte të pikaste në sjelljen e Artemisës kundrejt tij.
E tashmë zemra e saj ishte hapur, ose, thënë më mirë, ajo kish çelur një deriçkë ku ai pati ditur të hynte me elegancë, jo si pushtues, por si një burrë i dashuruar që kishte gjetur thesarin e tij, Arkën e Besëlidhjes biblike. Besëlidhjes së tyre personale, që ishte farkëtuar në ajrin mistik të Tokës së Shenjtë, që ua kish bekuar takimin edhe me shiun dëlirësues që gjatë tërë ditës i pati shoqëruar besnikërisht duke ua ledhatuar faqet teksa buzët e tyre cekeshin butësisht ndër puthje të pandalshme e duart që nuk u qenë ndarë për orë të tëra.
Rreth mesnatës, ndërkohë që udhët gjarpëruese të gurta të Jaffa-s ishin zbrazur dhe njerëzia qenë kyçur nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa turistët ishin larguar siç patën ardhur, pa lënë gjurmë, të dy tashmë kishin vajtur në Urën e Dëshirave.
Kjo urë lidhte majën e kodrës së Jaffa-s me Sheshin Kedumim, mes palmash të larta dhe një bimësie të harlisur nga të gjitha anët, ndërkohë që një kishë ngrihej pak më tej, me kambanaren dhe kryqin e shenjtë që lartësoheshin drejt qiellit.
Në krye të urës ndodhej sakaq një mozaik i mahnitshëm prej guri ku qenë skalitur dymbëdhjetë shenjat e horoskopit.
Meqënëse ura ishte ndërtuar pikërisht aty ku dikur pati rrjedhur uji gurgullues i një burimi të lashtë, atëherë ky vend cilësohej si një pus dëshirash sipas legjendave të banorëve vendas, e nëse vizitori që i binte udha nga ato anë prekte shenjën e vet të horoskopit duke thënë njëkohësisht një dëshirë që e kishte përzemër, kjo dëshirë besohej se do të realizohej.
Dëshirat e Artemisës në këtë moment, faktikisht kufizoheshin me pak syresh: Së pari, qipriotin e pashëm me të cilin krejt papritur Zoti e kish takuar, ta kishte gjithmonë në krah të saj, po kaq të dhënë pas saj, ta kishte Achilleas-in në jetën e saj, të pandashëm, pikërisht siç kishin qenë të dy gjatë këtyre ditëve të pakta qëkur ishin njohur.
Së dyti, ajo ndiente të fuqishme, të papërshkrueshme me fjalë, dëshirën e mëmësisë!
Ishte një dëshirë e vjetër e saj, megjithëse mosha nuk ia detyronte Artemisës trysninë kohore, por synimi për të pasur një fëmijë të sajin, kish mbetur përkundër gjithçkaje, një ëndërr e pamundur, jo për fajin e saj.
Ndërsa Artemisa shprehte dëshirat e saj, me dorën mbështetur te mozaiku i gurtë, më saktësisht mbi shenjën e vet të horoskopit, Luanin, Achilleas nga ana e tij, me dorën mbështetur mbi shenjën e tij, Binjakët, po formulonte njëkohësisht saktësisht të njëjtat dëshira si ajo.
Ta kishte Artmisën krah tij, përherë, sot e mot, të mos ndahej prej saj, të mos e linte të largohej shqiptaren, ndonëse e dinte se ajo nevojitej të përballej me ndoca fantazma të mugëta të së shkuarës së saj, por edhe që kjo grua që ia pati tronditur themelet e ekzistencës pakthyeshëm, të bëhej nëna e fëmijës së tij, të kishin një krijesë të përbashkët, fryt të dashurisë e pasionit të tyre, që nuk mund të kurorëzohej ndryshe, përveçse në këtë mënyrë kaq të denjë, duke i dhënë trashëgimi bashkimit të tyre, shpirtëror, mendor e fizik.
Legjenda e donte që askush mos t’i shprehte dëshirat e veta me zë të lartë në atë urë mrekullibërëse e dëshiraplotësuese, ndaj asnjëri prej tyre nuk mund ta dinte çfarë dëshire kish formuluar tjetri, por ndërkaq buzëqeshja e mistershme në fytyrat e të dyve, diçka të tillë nënkuptonte.
Shkëputur nga Romani, « Erdha, Pashë, Dashurova » i Elvi Sidherit.
* * *
© Elvi Sidheri
Comments (0 posted)
Post your comment