Dinakja
"Siç zjarri, dashuria e vendos dritën e saj vetëm mbi fajin dhe bukurinë e drurëve në hi..."
Përkthyer nga Urim Nerguti
Në sallën e murrme të ngrënies, që kundërmonte
Një aromë llaku dhe frutash, për qejfin tim
Po haja një pjatë të nuk e di ç'mjeshtër
Belg, dhe habitesha në karriken time të stërmadhe.
Duke ngrënë, dëgjoja orën, - në heshtje dhe i lumtur.
Kuzhina u hap me një duhmë,
- Dhe kamarierja erdhi, nuk e di pse,
Për dreq gjysmë e zbërthyer, hijshëm e krehur.
Dhe, duke shëtitur gishtin e saj të vogël drithërues
Mbi faqen e saj, një kadife pjeshkë rozë dhe e bardhë,
Duke zgjatur buzët e saj fëminore si e pakënaqur,
Ajo rregullonte pjatat, pranë meje, për të më lehtësuar ;
- Pastaj, kështu si pa të keq, - kuptohet, për të patur një puthje, -
Me zë të ulët : " Pa shiko, kam marrë 'një' të ftohtë në faqe "!
Arthur Rimbaud (1854-1891)
Injoranti
Sa më shumë mplakem, aq më shumë besoj në injorancën,
sa më shumë jetoj, aq më pak zotëroj dhe sundoj.
Gjithçka që kam, kjo është një hapësirë
herë me dëborë e herë e shndritshme, por kurrë e banuar.
Ku është dhuruesi, udhërrëfyesi, rojtari ?
Rri në dhomën time dhe nuk flas
(heshtja hyn si shërbyese për të vënê pak rregull),
dhe pres që një nga një gënjeshtrat të shmangen :
ç'mbetet vallë ? ç'i mbetet këtij plaku
që e pengon aq mirë për të vdekur ? Ç'forcë
e bën atë për të folur akoma mes katër mureve të tija ?
A do të mundesha ta dija këtë, unë i padituri dhe i shqetësuari ?
Por e dëgjoj me të vërtetë atë që flet, dhe fjala e saj
hyn me ditën, ndonëse e paqartë :
"Siç zjarri, dashuria e vendos dritën e saj
vetëm mbi fajin dhe bukurinë e drurëve në hi..."
Philippe Jaccottet (1925)
Abazhur
Ti pyet përse rri pa thënë asgjë ?
Sepse ja çasti i madh,
ora e syve dhe e buzëqeshjes,
mbrëmja, dhe këtë mbrëmje unë të dua pafundësisht !
Ngjitu pas meje. Kam nevojë për ledhatime.
Ah sikur t’a dije çka kam në shpirt unë sonte,
ambicje, mburrje, dëshirë, ngrohtësi, dhe mirësi !...
Eh jo, ti nuk mund t’a dish !...
Ule pak abazhurin, mundesh ? Do të jemi më mirë.
Eshtë në hije kjo që zemrat flasin,
dhe shohim shumë më mirë sytë
kur shohim më pak gjërat.
Sonte të dua tepër për të të folur për dashuri.
Më shtrëngo mua pas gjoksit tënd !
Do të doja që të jetë rradha ime për të më ledhatuar...
Ule edhe pak abazhurin.
Këtu. Të mos flasim më. Të rrimë urtë.
Dhe të mos lëvizim. Sa mirë
duart e tua të vakëta mbi fytyrën time!...
Por ç’ka akoma ? Çfarë duan prej nesh ?
Ah! Po sjellin kafen !
Eh mirë, vëreni këtu, ja kështu !
Më shpejt !... Dhe mbylleni derën !
Çfarë po thoja pra ?
Ne do marrim këtë kafe... tani ? Si thua ti ?
Ashtu është : ti e do të nxehtë.
Të të shërbej ? Prit ! Më ler mua t’a bëj.
Eshtë e fortë sot. Sheqer ? Vetëm një kokërr ?
Eshtë mjaft ? T’a provoj ?
Këtu ! Ja filxhani yt, dashuria ime...
Por ka shumë terr. Nuk shohim asgjë.
Ngrije edhe pak pra abazhurin.
(Paul Geraldy)
Comments (0 posted)
Post your comment