Home | Literature | ***

***

image
Por edhe pas njëzet vjet qëndrimi në Afrikë, ai mbetej një cockney i kulluar ; duke u ngulitur, ai nuk kishte pasur në kokë veçse një ide , të fitonte para, dhe ai fitoi, madje shumë.

 

 

 

Përkthyer nga Dea J Klosi

 



… Sidoqoftë, Komisari për Çështjet Vendase të Distriktit duhet të deklaronte më vonë gjatë një koktejli, se kjo sjellje kishte një shpjegim të saktë. Ata që ishin sadopak në dijeni të historisë së vendit apo që kishin lexuar të paktën kujtime, letra misionarësh të parë dhe zbuluesish, duhet t’i kishin pasur ndër duar statutet e shtetit të qeverisur nga Lobengula. Ligjet kishin qenë të rrepta, gjithkush e dinte çka ishte e lejuar apo e ndaluar. Nëse dikush shpallej fajtor për një krim të pashpagueshëm, për shembull, nëse kishte guxuar të prekte njërën prej grave të mbretit, ai duhet të pësonte një ndëshkim të pashmangshëm, dhe lihej i lidhur mbi një kështjellë milingonash, digjej mbi një turrë drush, ose i nënshtrohej një torture tjetër po aq ngazëllyese, dhe vdiste duke përsëritur, në shenjë pendimi : « Kam kryer një krim, e pranoj, më lini të duroj ndëshkimin tim. » Ja që po, tradita donte që fajtori ta përballonte torturën me nënshtrim, dhe fundi i fundit, këtu kishte diçka mjaft të bukur.
Të tilla fjalë duken të shfajësueshme kur dalin nga goja e komisarëve për çështje vendase, të detyruar të njohin disa gjuhë, jo pak dialekte dhe zakone, ndonëse të jetë mjaft e pavendtë dhe me shije të dyshimtë kjo që të admirosh sjelljen e vendasve, por moda ecën përpara dhe nganjëherë është e lejuar të lartësohen zakonet e vjetra, me kusht që përnjëherë më pas të vemë në dukje se sa shumë janë shprishur vendasit më vonë. Kjo anë e çështjes qe lënë pra në hije, ndonëse të mos ishte më pak interesanti. Tek e fundit, kishte mundësi që Moise të mos ishte aspak një Matebele ; kuptohet, fakti që ai gjendej në Mashanaland nuk vërtetonte asgjë. Vendasit e kanë zakon të enden nga njëri skaj në tjetrin të Afrikës dhe ai mund të ishte fare mirë me origjinë, si nga zotërimet portugeze ashtu dhe nga Nyasaland apo nga vendet e Bashkimit Jugafrikan, dhe fundja, kishin rrjedhur mjaft shekuj që nga sundimi i mbretit të madh Lobengula. Por gjithkush e di gjithashtu se komisarët për çështje vendase kanë gjithmonë prirje t’i referohen si tepër të shkuarës.
Pasi e kishte dërguar pra mesazhin e vet në zyrat e përgjithshme të policisë, Charlie Slatter vajti vetë tek Turnerët, me makinën e tij të madhe amerikane që shkonte si predhë nëpër rrugët e këqija të fshatrave. Kush ishte pra, ky Charlie Slatter, i cili për Turnerët, tejpërtej kësaj tragjedie, duhet të personifikonte Shoqërinë ? Ai gjendet i mpleksur disa herë në këtë çështje dhe pa të, gjërat do të kishin marrë padyshim një drejtim krejt tjetër, ndonëse herët apo vonë, në një mënyrë apo tjetër, Turnerëve do t’iu kishte ndodhur me siguri ndonjë gjëmë.
Slatteri kishte qenë i punësuar dikur në një ushqimore të vogël në Londër. Atij i pëlqente t’iu përsëriste fëmijëve të vet se pa energjinë dhe guximin e tij për nisma të reja, ata do të ishin ende duke u dergjur në rrugicat e qelbura të një qyteti të madh. Por edhe pas njëzet vjet qëndrimi në Afrikë, ai mbetej një cockney i kulluar ; duke u ngulitur, ai nuk kishte pasur në kokë veçse një ide , të fitonte para, dhe ai fitoi, madje shumë. Ishte i vrazhdë, i pistë nga goja, i pamëshirshëm dhe megjithatë, në mënyrën e tij, nuk është se i mungonte zemra, dhe ndonëse nuk pushoi kurrë së binduri ndaj atij instinktit të pathyeshëm që e shtynte të pasurohej gjithnjë e më tepër, ai e shfrytëzonte fermën e tij njëlloj sikur të kishte rrotulluar manivelën e një makinerie parash. Ishte i ashpër me të shoqen, dhe në fillim, i kishte vënë asaj ca detyrime të rënda, me fëmijët ishte treguar gjithashtu i rreptë, deri ditën kur kishte bërë pasuri. E prej atëherë, nuk iu ndalte asgjë, por mbi të gjitha, ishte i egër me bujqërit, me shërbëtorët, pula këta, që i pillnin vezë të arta. Asokohe, këta njerëz të gjorë nuk e mendonin qoftë dhe një çast që të mund të jetohej ndryshe sesa duke pjellur ar për tjetrin ; tani e kanë kuptuar, ose po fillojnë ta kuptojnë… Por Slatteri besonte në nevojshmërinë e drejtimit me shkop të fermës së tij, ky shkop ishte një kamzhik me ç’rast, atë e shihnim të varur përsipër derës së hyrjes si një emblemë, mos kini frikë të vrisni nëse duhet. Vetë ai, një ditë, tejet i nxehur, kishte vrarë një vendas dhe ishte dënuar me një gjobë prej tridhjetë livrash, që prej atëherë, ai kishte mësuar të vetëpërmbahet, por nëse kamzhikët janë tejet të dobishëm për Slatterët dhe sojin e tij, nuk është kështu për ata që nuk e kanë forcën dhe sigurinë e tyre. Ishte Charlie ai, i cili, dikur, kur Dick Turner kishte blerë fermën e vet, i kishte thënë se duhet të pajisej me një kamzhik përpara se me një qerre dhe një lesë, por kamzhiku kishte qenë pa asnjë dobi për Turnerët, përkundrazi, siç dhe do ta shohim më pas.
Slatteri ishte një burrë i shkurtër, rondokop dhe i fuqishëm, me shpatulla të gjera, muskuj të fuqishëm. Syri i tij i vogël shpues xixëllonte në fytyrën e gjerë dhe leshatake, floknaja e shprishur bjonde ishte qethur zero dhe i jepte pamjen e një të burgosuri, por ai nuk merakosej aspak për dukjet. Sytë e tij të vegjël blu ishin pothuaj të padukshëm me atë mënyrën e picërrimit të qepallave pas aq e aq vitesh dielli të fortë Jugafrikan.


...


Nga Doris Lessing

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00