Novela e Shahut (Fragment)
- Mbase do të kem mundësi të formoj në qelinë time një lloj fushe shahu dhe do të përpiqem t'i përtërij këto lojëra. Çarçafi m'u duk me katrorthe dhe sikur ishte një dhuratë qiellore.
Përkthyer nga Klio Evangjeli
Për fat të mirë kujdestari i burgut nuk e vuri re qëndrimin tim jo të zakonshëm. Mbase atij iu duk e natyrshme që një njeri, i cili ka ndenjur dy orë më këmbë, kërkon të mbështetet pas murit. Më në fund i isha afruar fare kapotës e që të kisha mundësi ta çikja pa rënë në sy, i kisha venë duart prapa. E preka xhepin dhe u binda se aty brenda ishte me të vërtetë diçka në trajtë katërkëndëshe, që epej e kërciste lehtë; një libër. Një libër! Befas më shkrepi një mendim: "Vidhe librin. Po ta bësh dot, do ta fshehësh në qelinë tënde e pastaj do të mund të lexosh, të lexosh e prapë të lexosh!" Sapo më erdhi ky mendim, filloi të veprojë si një helm në qenien time. Veshët më buçisnin, zemra më rrihte fort, duart i kisha si të ngrira dhe nuk lëviznin. Pasi kaloi dehja dhe e mblodha veten, u afrova edhe më tepër te kapota, por me marifet që të mos bija në sy; duke ia ngulur sytë kujdestarit të burgut e duke i mbajtur duart fshehur po e nxirrja librin nga xhepi. Po e ngrija më lart, më lart... pastaj e kapa dhe e hoqa me kujdes e me ngadalë; befas, libri me format të vogël u gjend në duart e mia.
Vetëm atë çast u tremba për çka bëra. Por ishte e pamundur ta ktheja përsëri. Duke mbajtur duart prapa e futa librin nën pantallona, në vendin ku është brezi, pastaj dalëngadalë e ngrita gjer te kofsha; tani do ta mbaja dorën atje e do të ecja me hap ushtarak. Duhej të bëja provën e parë. U largova dy - tre hapa nga kremastari. Shumë mirë! Duke e shtrënguar brezin mund ta mbaja librin me vete.
Pastaj filluan hetimet. Këtë radhë duhej të bëja përpjekje më tepër se herët e tjera; duke iu përgjigjur pyetjeve duhej të përqendroja forcat e mia që ta shtrëngoja librin. Për fat të mirë, kësaj here hetimet nuk zgjatën shumë dhe unë munda ta çoja librin me sukses në dhomën time. Nuk dua t'ju mërzis me hollësi të tepruara; do t'ju them vetëm se tek po kthehesha duke kaluar përmes korridorit, arriti një çast kritik: libri më shkau nën rrip dhe m'u desh të shtiresha sikur më mbyti kolla që të fitoja kohë e të mund ta shtyja librin përsëri gjer te brezi. Oh ç'lumturi që ndjeva kur u ktheva në ferrin tim bashkë me librin. Isha vetëm si më parë, por njëkohësisht nuk isha vetëm fill!
Ju kujtoni patjetër se unë e hapa librin menjëherë, e kundrova dhe e lexova? Jo, aspak! Para së gjithash unë doja të shijoja gëzimin duke ditur se kisha me vete një libër, të gudulisja nervat e mia duke menduar se ç'libër ishte ky që kisha vjedhur. Do të dëshiroja që të ishte shtypur me gërma shumë të imta e afër njëra - tjetrës dhe libri të kish shumë fjalë dhe shumë faqe që të mund të lexoja një kohë sa më të gjatë. Ëndërroja që libri të ishte i vështirë që ta lexoja me vëmendje të madhe, ose të përmbante poezi që t'i mësoja përmendsh. Oh, sikur të ishte Homeri ose Gëtja! (ëndërrova gjëra të mëdha.) Më në fund nuk durova më se më brente kureshtja. U shtriva në krevat që të mos i zgjoja dyshim kujdestarit të burgut, në rast se hapte derën papritur.
Kur i hodha librit vështrimin e parë ndjeva dëshpërim dhe u pezmatova aq sa s'bëhet. Ky libër, të cilin e kisha vjedhur me rrezik të madh e që prisja ta lexoja me padurim, nuk ishte tjetër veçse një tekst shahu që përmbante njëqind e pesëdhjetë lojëra të zhvilluara nga shahistët më të përmendur. Po të mos isha i mbyllur brenda katër mureve do të më kapte zemërimi e do ta kisha hedhur librin nga dritarja. Se ç'dobi do të kisha prej këtij teksti që përmbante dokrra? Kur isha në gjimnaz, si më të shumtët e nxënësve edhe unë kohën e lirë e kaloja duke luajtur shah. Po ç'mund të më vlente kjo lojë e paraqitur në teori.
Nuk mund të luash shah pa partner, pa fushë shahu, pa gurë. E shfletova librin i pezmatuar, me shpresë se mos gjeja diçka për të lexuar, ndonjë parathënie ose ndonjë shpjegim; por nuk gjeta asgjë përveç tabelash me katrorthe të dysta dhe shenjave që më dukeshin të pakuptueshme: "a2" - A3, Sfl - g3 e të tjera. Të gjitha këto m'u dukën formula algjebrike të cilat nuk i zgjidhja dot. Por pak nga pak e kuptova se gërmat a, b, c shënonin rreshtat vertikale dhe shifrat 1, gjer më 8 tregonin horizontalet, caktonin edhe vendin, për çdo gur. Kjo do të thotë se këto diagrame grafike diç mund të flisnin.
Unë mendova:
- Mbase do të kem mundësi të formoj në qelinë time një lloj fushe shahu dhe do të përpiqem t'i përtërij këto lojëra. Çarçafi m'u duk me katrorthe dhe sikur ishte një dhuratë qiellore. E palosa me mjeshtëri çarçafin e m'u bë sikur pashë një fushë të ndarë në gjashtëdhjetë e katër katrorthe. E grisa faqen e parë dhe librin e fsheha nën dyshek. Pastaj, me tulin e bukës që e hiqja nga goja zura të ngjizja mbretin, mbretëreshën dhe figurat e tjera të shahut, të cilat morën trajtë qesharake, e më në fund, pasi kapërceva vështirësi të mëdha munda të formoja mbi çarçafin me katrorthe pozicionet që ishin shënuar në këtë libër. Po kur bëra provë të luaja një "lojë" të tërë nuk pata sukses me ato figurat qesharake prej tuli, gjysmat e të cilave i mbulova me pluhur që të dalloheshin nga të tjerat. Ditët e para nuk ia dola dot mbanë, në vend të lojës u bë një rrëmujë: m'u desh ta filloja lojën nga e para, pesë, dhjetë, njëzet herë. Po kush kishte më shumë kohë të lirë se unë skllavi që jetonte në zbrazëtirë? Kush, mund të kishte dëshirë dhe durim aq të madh?
Pas pesë ditësh munda ta luaja një lojë gjer në fund pa gabim. Pasi kaluan edhe tetë ditë nuk kisha nevojë të përdorja figurat prej tuli, pas tetë ditësh të tjera nuk më duhej më as çarçafi se i mbaja mend të gjitha pozicionet e gurëve të shahut. Shenjat abstrakte "al", "a2" "c7" "c8" mermin në trurin tim trajtën e figurave plastike. Ky kapërcim u bë pa ndonjë vështirësi.
Në sajë të fantazisë mund ta pasqyroja në mendje fushën e shahut me figurat, e në sajë të përkufizimeve të sakta mund të përfytyroja pozicionin - si një muzikant i regjur i cili, duke parë partiturat i dëgjon të gjitha zërat dhe tingujt e të gjitha instrumenteve.
Pasi kaluan edhe dy javë, isha në gjendje të bëja çdo lojë përmendësh, pa vështirësi, ose po të flas me gjuhën e shahistëve do të them se mund të luaja "qorthi". Atëherë e kuptova, vjedhja ime e guximshme u bë për mua një gjë shumë e vlefshme. Se tani kisha me se të merresha - ç'është e vërteta bëja një punë pa kuptim e pa qëllim, por prapë se prapë kjo punë mbushte zbrazëtirën e jetës sime; të njëqind e pesëdhjetë lojërat që i kishin luajtur mjeshtrat e shahut, më shërbenin si armë për të luftuar kundër monotonisë së tmerrshme brenda hapësirës dhe kohës.
Për ta ruajtur hirin joshës të kësaj pune të re, unë e ndava atë gjatë ditës: dy lojë në mëngjes, dy të tjera mbasdite dhe një përsëritje të shpejtë në mbrëmje. Kështu që kisha me se ta kaloja ditën, merresha me një punë që nuk më lodhte; loja e shahut ka një veti të çuditshme: mendja punon në një fushë të kufizuar, mirëpo truri nuk kridhet në plogështi, përkundrazi, bëhet më i gjallë e më i mprehtë.
Në fillim luaja mekanikisht, por pak nga pak, duke përsëritur partitë e mjeshtrave të shahut, zura të ndieja në këtë kënaqësi estetike. Mësova të dalloja hollësitë, dredhitë dhe marifetet në sulm e në mbrojtje, mora vesh se si duhej ta parashikoja zhvillimin e lojës para disa lëvizjeve, se si të caktoja dhe të bëja sulmin e kundërsulmin dhe së shpejti mund të kuptoja stilin e çdo kampioni të shahut siç mund të kuptohen vjershat e një poeti duke lexuar vetëm disa vargje.
Ajo që në fillim ishte vetëm si një mjet për të kaluar kohën, më pas u kthye në kënaqësi dhe strategët e mëdhenj të shahut - Aljekini, Laskeri, Bogoliubovi, Tartakoveri më ishin si shokë të dashur që rrinin tok me mua në qeli.
Nuk isha më i vetëm në qelinë time të heshtur. Duke bërë ushtrime të rregullta shahu, m'u përtëritën aftësitë mendore. Mendja ime e freskuar punonte përsëri si më parë, madje m'u bë edhe më e shkathët e më e mprehtë. Para së gjithash, gjatë hetimeve, u duk sheshit se kisha mundësi të mendoja e të arsyetoja me logjikë. Mbi tryezën e shahut fitova pa kuptuar aftësinë për t'u mbrojtur nga kërcënimet e rreme dhe sulmet e maskuara, e qysh atëherë hetuesit e mi s'më zinin dot në fjalë. Veç kësaj, m'u duk se njerëzit e Gestapos filluan të silleshin kundrejt meje me respekt. Ata mahniteshin se nuk e dinin ku i kisha gjetur unë forcat për të bërë qëndresë, kur të burgosurit e tjerë i kish lëshuar zemra dhe xhelatët i kishin parë me sytë e tyre.
Kjo periudhë e lumtur, gjatë së cilës unë kam luajtur ditë për ditë sistematikisht të njëqind e pesëdhjetë lojërat e atij libri, vazhdoi dy muaj e gjysmë ose tre muaj. Pastaj mbeta përsëri si i topitur. Prapë jeta më dukej e zbrazët. Çdo lojë shahu që e kisha luajtur njëzet a tridhjetë herë nuk ishte më diçka e re dhe nuk më joshte më, nuk më mahniste e nuk më zgjonte energji. Ç'kuptim kishte që t'i përsërisja e t'i përsërisja ato lojëra të cilat i kisha mësuar përmendësh? Sapo filloja, tërë loja zhvillohej automatikisht, e unë nuk çuditesha më, nuk kisha më asnjë interes dhe asnjë problem për të zgjidhur. Që të më punonte përsëri truri duhej të kisha një libër tjetër me lojëra të tjera. Meqë kjo ishte e pamundur, unë kisha vetëm një rrugëdalje; në vend të lojërave të vjetra e të mirënjohura të shpikja të reja. Duhej të përpiqesha që të luaja vetë dhe kundër vetes sime.
Të lozësh shah me veten tënde mund të duket diçka pa vend. Kjo lojë ka lezet, kur strategjia e saj zhvillohet në dy mendje të ndryshme; në këtë luftë mendore shahisti që i lëviz gurët në katrorthët e zinj nuk i di manovrat e vijueshme të kundërshtarit të tij, por përpiqet t'i marrë me mend e t'i pengojë, ndërsa ai që luan në katrorthët e bardhë synon t'ia kalojë partnerit duke ia zbuluar në mendje qëllimet e fshehta. Kur luan një person i vetëm krijohet një gjendje jonormale sepse një mendje e vetme duhet diç të dijë dhe njëkohësisht të mos dijë, sepse, duke përfaqësuar partnerin, që luan në katrorthët e bardha, ai duhet t'i harrojë patjetër lëvizjet që ka bërë një çast më parë si partner i katrorthëve të zinj. Një lojë e tillë, që kërkon mendim të dyfishtë, pa dyshim e lodh trurin që punon pareshtur si një aparat mekanik; të luash shah kundër vetes është një gjë e çuditshme dhe të duket sikur kërkon të kapërcesh hijen tënde.
(Stefan Cvajg)
Comments (0 posted)
Post your comment