Kjo Pranverë!
As aromat e luleve nuk i ndiej më… As aromën e grurit dhe të bukës. As aromat e jetës. Ndiej vetëm aromat e dheut e të shirave…”
Nga Frederik Rreshpja
Eja me mua në kopësht.
Tani që dimri iku dhe tërë dëborërat kanë rënë,
nga drurët zbresin ca statuja ajri
dhe celin sytë e luleve që flenë.
Por tani që nëna nuk është,
hapen dyert e hijeve e dalin perënditë ilire,
me turitë e prera nga mjegullat e lashta...
E trëndafilat janë mbyllur në pikëllimin e vet.
Eja të dalim në kopësht,
por nëna nuk është më!
Shiu i fundit
Trak-truk. Shi i verbër si at i poetëve
Duke kërkuar kështjellat.
Mijëra dashuri rendin nën qiellin e ultë,
Takohen dhe ndahen si vetëtimat.
Te dritarja çeli si dhembje trëndafili.
O Zot, sa lule të humbura!
Një këtu, një aty, trëndafilat e vdekur.
Pikë-pikë bien shpirtrat dimërorë
Nëpër muzgun e ngjyer me ajër.
Dikur djalë i ri dhe i lumtur, e pata kuptuar
Që tërë shirat e botës binin për mua.
Por tani, pas kaq vitesh, sigurisht
Nuk ka kuptim që bie shi.
Comments (0 posted)
Post your comment