Lulet e Verdha të Pikëllimit
Çelje si lule shpërthyeshëm n’shpengim drithëruese fërgëlluese sa mezi mbaj frymën m’sillje paqë përndezur pasionesh përvlim...
Nga Granit Zela
Zhytur n’përfytyrime ta ndërmend fytyrën
prapsur vetmie dikur ndjeja gëzim
çelje si lule shpërthyeshëm n’shpengim
drithëruese fërgëlluese sa mezi mbaj frymën
m’sillje paqë përndezur pasionesh përvlim
koha pandalas rrëfeu fate mizore
ti ndërrove mendje tash kallur n’harrim prore
nuk mundem me këmbye s’paku nji vështrim
kur qan a qesh shkakun pa e ditur
kush t’i fshin sytë o peng i kësaj jete
shpëtoma shpirtin tashembrapa mbete
trazuese nji dëshir gjithheri i grishur
tash për dikë tjetër kam dashuri
sa mundem me e pushtue botën tejendanë
s’i gëzohem gëzimit tand se dhimbjet na ndanë
s’më lënë që për ty të ndjej dëshirim
thuaji kujtimit tënd të më lërë të qetë
a ndoshta kjo ndodhi prej luleve t’verdha
qi pashë sot ndaj me gëzim erdha
te ti që u këndoje përplot me adhurim
ta dish si gjermëtash s’do mundesh me qenë
burim i pashterrshëm i pikëllimit tim.
Zulluland
Unë me melhem ju me helm torturo tremb e trand
në udhëkryq pa atdhe dhe na ftoni në mëkat
hem digjni hem vrisni villni vrer delirant
tartufë gjithkund molierë askund atdhehumbur shkretan
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
Betoheni e përbetoheni me bujë e brohori
e kujt është kjo kujë kjo kishë këto kuaj
sikur të ishin buaj po m’i vrasin bijtë
ditën e natën të kallni datën gllabëro e përbalt
në vendin tënd s’të zë vendi se ndjehesh azilant
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
Makutër tuafër matufër e ziliqarë
bliheni e shiteni lakmitarë bukëshkalë
fytyrëmbuluar me turp idhnakë egërshanë
shkatërroni e rroni si djaj e xhelatë
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
Ju mujsharë të mllefosur plot marrëzi e maraz
mbarë e mbrapsht flisni përçart si dehur
gjëmë pa bërë përmbi dhé këtij atdheu nuk i latë
shkel e shtyp kurthe thur rrobashqyer leshrashkrehur
këtë llum e zullum nuk ka lum që e lan
zullumqarë të zgërlaqur s’është këtu zulluland!
Comments (0 posted)
Post your comment