Home | Literature | Bota e një gjuhe

Bota e një gjuhe

image
 Ngadhnjim, ngadhnjim i frymës së ashtit, ngadhnjim! Por përmes asaj drite shihej se përmbrenda rrashtës, mbrendë në anin e grues, kalbej fara e kuptimit të fjalëve në gjumë para se me u zgjue. 

 

 

Nga Martin Camaj

 

Plasi dielli nga reja, vetimë, në rrashtën e Dranjes mes librash. U ndez anekand vendi flakë, bimësia jashtë, shqimthi i derës, mbrendë balli i votrës e unët që ishin fikë në të.
Currila të dlirun, rrezet tringëlluen ndër kthina të ashtit, thellë, dhe lindën fekse, përmbas, në mur trajtash të mbytuna shqim në dritë, gjithçka në miniaturë, gjithçka dyfish: krena gjarpijsh me qinda gjuhë përjashta - në një anë, e në tjetrën - barna secila me emnin e vet e shëruese, fije e fije të panjehuna, duer mbas duersh me gishta të kallun flakë. Rrashta e tanë dukej si me qenë në diell.
Shikue përjashta, mbarë ashti kish shembllesë grueje, ngërthye me fjalë, sa mizë për kërcunë, në krye e në tru që i rridhnin asaj vijë e vijë, gjak dragojsh nëpër gjuhë. Ngadhnjim, ngadhnjim i frymës së ashtit, ngadhnjim! Por përmes asaj drite shihej se përmbrenda rrashtës, mbrendë në anin e grues, kalbej fara e kuptimit të fjalëve në gjumë para se me u zgjue. Andaj nuk kishin as tinguj.

 

Parandjenjë largimi


Vrapoja në andërr e zhgjandërr trok mbi shpinën e breshkës. Ajo ishte e madhe si në kohën e artë të racës së vet, para përmbytjes së dheut.
Edhepse vetëdija gjithnjë në mue mjegullohej, shihej qartë çdo send, si të ishte mbështjellë gjithçkaja mbrenda një indi rrezesh. Ndija deri ajrin përvlues në fyt, si kur digjen therra bri are e sheh me sy të ikin andej shpend e shtërpij.
Kur kujtoj këtë jerm, nuk lyp shpjegim andrre, por më jepet me rëmue mbi sende e frymorë të mbrumë me tharmin e gjakut tim.
Vetëdija ashtë një shkëputje që dhemb si ndamja e mishit prej ashtit.

 

Vërshimi


Dranjes s'i kalbet ashti dhe mishin s'ia ha askush ndër ne. Prandej, kur na sheh, sado lëkurë murmë të jemi e të parruem, s'i ngjethet shtati puçërrizë nga frika. Por akulli i dimnit të papritun në gjumë, një herë në gjymtyrë, mandej në qafë e krye e deri në zemër, ia qet kësi dheu mbarë farën! Ashtu edhe Drini.
Mbasi ky lumë e then qafën atje ku e then, u zgjanue atë mot për rrafsh, vërshoi andej e këndej katunde e ara, përmbysi lisa me rranjë e damtoi gjithçka.
Kur u paque, si bishë krenare, i ngimë me dhé e çmos, tregoi prenë e bame rrak: shtylla telefoni, derra e shtazë tjera të ajuna, dhe qiti në breg, si me i pasë rradhitë dikush me dorë, varg e varg një morí breshkash. Ngjanin, ashtu të shtrime nën diell, si njerëz të gjykuem për vdekje e mandej të vramë për t'i shti gjindjes tmerrin! Katundarët, me brakesha të gjana shpërvjelë deri në gju, hapën një hulli në fund të arës e i mbuluen me botë. Por kur ndodhi këta, Dranaj i pat lanë hijen atij vend e Drinit të dalun mendësh! Por, akullit, jo.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00