Kanga e qytetit të huej
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue? Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen? Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue dhe e ndjej nga Dielli valën.
Nga Migjeni
Kanga e qytetit te huej asht kanga e jetës që rrohet. E jeta rrohet, kështu thote kanga: O njeri që vjen nga dheu i huej, hiqe melankolinë, ose nostalgjinë për vendin tënd – nëse e ke, – zë vend në një skaj në kryqëzimin e udhëve dhe vre lëvizjen e tërbueme, që shkaktojnë pasionet njerzore.
-O dritat e bukura të qytetit të huej!
-Dritat e bukura… kuq, blu, jeshile, e verdhë. Secila dritë një grishje.
Sinema, kabare, kafe, tregtiza. Të gjitha janë për plotësimin e dëshirave tueja. U shembëllejnë luleve kah hyjnë bletët, thithin nektarin dhe dalin të dehuna nga ambëlsina e jetës. Ambelsinën, ambelsinën e jetës kërko ta gjesh se e hidhuna e jetës vjen vetë. Prandaj janë dritat me ngjyra që ta kujtojnë: mos harro ta shijosh ambëlsinën e jetës! Prandej dhe ngasin këta njerëz. Prandaj vrapojnë këto makina. Prandej uturijnë kështu tramet. Dhe të gjitha këto ngjajnë me një tempo të shpejtë, e cila të kujton se sa e shkurtër asht jeta.
Posht, nalt, djathtas e majtas ngajnë rrugat e drejta të pagabueshme si n’imagjinatën e një inxhinieri të larëzum në qiell(!)
1935
Kangët e pakëndueme
Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s'i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m'u këndue pa frigë e pa zori.
Thelltë në veten teme kangët e mia jesin...
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t'i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli valën.
0 kangët që fleni reliktet e mia
q'ende s'keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë djepi juej; ndoshta vorri juej.
Comments (0 posted)
Post your comment