Home | Literature | ***

***

image
- Në vapor po udhëton me ju një fenomen i natyrës - Centoviçi.

 

 

Përkthyer nga Klio Evangjeli

 

 


Mesa duket, në trurin e njeriut veprojnë në fshehtësi disa forca të cilat i largojnë kujtimet e hidhura e të tmerrshme; kur dua të sjell nder mend kohën që isha mbyllur në qeli drita shuhet në trurin tim Te them të vërtetën, vetëm tani që kanë kaluar disa javë, këtu në anije mora guximin e të kujtoja çka më ka ndodhur.
Tani ju e kuptoni sjelljen time të çuditshme dhe jo fort të hijshme gjate lojës suaj. Po kaloja rastësisht përmes dhomës së duhanit kur pashe disa veta të ulur në tryezën e shahut. Pa .dashur mbeta si i ngurosur nga frika e nga habia. Kisha harruar fare se mund të luash shah mbi një fushë të vërtetë me katrorthë e me gurë të vërtetë e se ne ketë lojë marrin pjesë dy njerëz krejt të ndryshëm që rrinë ulur përballë njëri - tjetrit. Të them të vërtetën kaluan disa minuta gjersa e kuptova se ç'bënin ata shahistë; unë kisha luajtur vetëm me veten gjatë disa muajve kur kisha qenë në gjendje të vajtueshme. Ato shifrat, me anën e të cilave zhvilloja në mendjen time lojën e shahut zëvendësonin dhe simbolizonin këta gurë. Mbeta si i mahnitur kur pashe se gurët mbi fushën e shahut dhe lëvizjet e tyre ishin të njëjta me ato që unë vetëm i përfytyroja; kjo gjë i ndodh edhe një astronomi i cili çuditet kur shënon mbi letër një planet të ri, që e ka gjetur me anën e llogaritjeve më të ndërlikuara dhe befas e sheh me sytë e tij, e sheh si një yll të vërtetë e të ndritur në qiell.
Vështroja si i magjepsur fushën, kalin, kalanë, mbretin mbretëreshën dhe ushtarët të skalitur në dru, ata ishin gurë të vërtetë' Qe te mund t'i kapja me një vështrim lëvizjet e këtyre figurave duhej t'i ktheja nga shifra abstrakte në gurë të vërtetë Pak e nga pak m'u zgjua kureshtja dhe doja të shikoja lojën e vërtetë të të dy shahistëve. Kjo është arsyeja që më shtyu të veproja pa takt e të ndërhyja në lojën tuaj. Lëvizja e gabuar që bëri miku juaj më goditi si një plumb në zemër. E ndala atë pa dashur, siç mund të ndalësh një fëmijë që përkulet në një parmak. Më pas e kuptova se bëra gabim që ndërhyra në lojën tuaj.
E sigurova menjëherë doktor B-në se ne ishim shumë të gëzuar që patëm rastin, përmes atij incidenti, të njiheshim me të. 1 thashë gjithashtu se, pas gjithë atyre që më kishte treguar, do ta shihja me interes të madh nesër në turneun që do të sajohej aty për aty.
Doktor B, bëri një gjest shqetësimi.
- Jo, mos prisni shumë gjëra prej meje. Kjo do të jetë për mua vetëm një provë... një provë, në do të jem... në do të jem në gjendje të luaj shah normalisht, të luaj mbi një fushë shahu të vërtetë, me gurë të vërtetë e me një partner me mish e me kocka... se unë po dyshoj gjithnjë më tepër e nuk e di a ishin lojëra të vërteta ato që kam luajtur qindra ose mijëra herë, apo mos ishin vetëm pjellë e fantazisë sime të sëmurë... mos ishte, si të thuash; një ëndërr, një kllapi shahu, një lojë e ethshme dhe gjatë asaj kohe njeriu bën hope të pandërprera si në ëndërr. Por ju mos kujtoni me gjithë mend se unë do të mund të matem me një kampion botëror e të luaj me të si i barabartë. Në këtë lojë më shtyn vetëm kureshtja: dua të kuptoj se ç'më kishte ndodhur kur isha i mbyllur në qeli: kisha luajtur shah apo kisha luajtur mendsh, kisha qenë pranë kufirit të rrezikshëm të çmendurisë apo e kisha kapërcyer këtë kufi. Vetëm këtë dua të di dhe asgjë tjetër.
Këtë çast ra çanga që i lajmëroi pasagjerët se kishte ardhur dreka. Biseda jonë zgjati dy orë. Doktor B. ma kallëzoi historinë e tij shumë më me hollësi se sa po e tregoj unë. E falënderova përzemërsisht dhe i lashë shëndetin. Nuk isha larguar akoma nga kuverta, kur ai më arriti.
- Do t'ju them edhe një gjë. Nuk dua të jem i pasjellshëm kundrejt miqve tuaj, prandaj do t'ju lutem t'i lajmëroni që më parë se unë do të bëj vetëm një lojë... Dua ta zgjidh një herë e mirë këtë çështje... Loja ime nuk do të shënojë fillimin e karrierës sime shahistike por fazën përfundimtare të saj. Nuk kam ndër mend aspak që ta filloj gjithçka nga e para, nuk dua të kridhem përsëri me mish e me shpirt në këtë lojë të ethshme se më rrëqethet shtati kur e kujtoj... E, veç kësaj... veç kësaj, edhe mjeku më këshilloi... më këshilloi me ngulm që të heq dorë për fare prej kësaj loje. Kush ka pasur ndonjë mani, edhe kur shërohet prej saj, është frikë se mos i shtiret përsëri si sëmundje e rrezikshme, dhe një njeri që ka pësuar "helmatisje shahu" duhet të qëndrojë larg çdo fushe shahu... Pra, u kuptuam – vetëm një lojë sa për provë dhe jo më tepër.
Ditën tjetër, në kohën e caktuar - në orën tre - u mblodhëm në sallën e duhanit. Në rrethin tonë u shtuan edhe dy amatorë të lojës mbretërore: dy oficerë që kishin kërkuar lejë të posaçme nga kapiteni i vaporit që të mund ta shikonin lojën. Kësaj here edhe Centoviçi nuk u vonua si ditën e mëparshme, e pasi hodhën në short ngjyrat e katrorthëve, filloi loja e jashtëzakonshme: "Homo obscurissimus"1 kundër kampionit të përmendur botëror.
Më vjen keq që të vetmit dëshmitarë të kësaj loje ishim ne që kuptonim pak nga shahu, dhe kjo nuk do të përmendej në analet e mjeshtërisë së shahut, por do humbiste për fare siç humbën në historinë e muzikës"improvizimet" në piano të Bethovenit. Ç'është e vërteta, ditët e tjera ne u përpoqëm ta kujtonim atë lojë bashkërisht, por më kot, me sa duket, kjo ndodhi sepse gjatë lojës gjithë vëmendja jonë nuk ishte përqendruar te loja por te lojtarët. Gjatë lojës u duk edhe më tepër ndryshimi i nivelit kulturor midis të dy shahistëve.

 

(Stefan Zweig)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00