Panairi i Librit “Prishtina 2010”!
Panairi i Librit në Kosovë, do të zhvillohet në Prishtinë nga 7 -13 Qershor, 2010.
Në panairin e sivjetëm të librit, i 12-ti me radhë, që hapet sot (e Hënë), pritet të marrin pjesë mbi 100 botues.
Në panair pritet të shfaqen rreth 1.500-2.000 tituj të rinj, rreth 9.000 – 10.000 tituj të tjerë të viteve të mëparshme. Botuesit të cilët do të vijnë në këtë panair janë Kosova, Shqipëria e Maqedonia, derisa libri i huaj pritet të vjen nëpërmjet librarëve e agjencive dhe do të ketë prani më të theksuar se herëve të tjera.
Mysafirë të ftuar të panairit janë shkrimtari Ridvan Dibra, i cili do të paraqitet në fillim të panairit, derisa gjatë panairit do të paraqitet edhe Amik Kasoruho, shkrimtar e përkthyes i njohur. Përderisa, për shkak të kohës së shkurtër nga ftesa e bërë nuk kanë pasur mundësi të vijë shkrimtari i njohur francez Olivier Adam si dhe poeti arbëresh Mario Bellizzi.
Si pjesë e panairit pritet të bëhen 40-50 promovime librash, debate, konferenca për shtyp e përvjetorë.
Ky panair do të kalojë në shenjë të disa përvjetorëve: 70-vjetorit të vdekjes së Gjergj Fishtës, 80-vjetorit të lindjes së Ramiz Kelmendit, 90-vjetorit të lindjes së Anton Çettës, 100-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze dhe Zekeria Rexhës si dhe 110-vjetori i Abetares së Zymit.
Panairi në fjalë është ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Drejtorati për Kulturë i komunës së Prishtinës, Pallati i Rinisë, Koha, Dukagjini.
Në ceremoninë e hapjes do të marrin pjesë, kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri (pritet, edhe pse ende e pakonfirmuar, edhe homologu i tij nga Shqipëria, Ferdinand Xhaferi), kryetari i qytetit të Prishtinës, Isa Mustafa dhe personalitete të tjera të rëndësishme të jetës politike, kulture, shkencore e intelektuale etj.
Për adhuruesit e librit, panairi do të mbetet i hapur deri më 13 Qershor, ora 14:00.Telegrafi
Comments (0 posted)
Post your comment