Një heshtje e bukur
Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes ...Pastaj e përcollën te banesa e fundit me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.
Nga Ndoc Gjetja
Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.
Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !
Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.
Epitaf për veten
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.
Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompiuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.
Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
...Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.
Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: "Nënë"
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.
Comments (0 posted)
Post your comment