Home | Literature | Në thellësitë joshëse

Në thellësitë joshëse

image
Atje larg, një barkë e vogël e cila ka ngarkuar diellin me vete dhe zvarrit rrezet e tij duke i derdhur mbi valët e kaltra si toptha kristali. 

 

 


Nga Kim Mehmeti

 

Valët e liqenit i stolis britma e fëmijëve si kundërvlerë për freskin me të cilën ato përkëdhelin trupat e tyre të njomë. Kalamajtë ia zbukurojnë njëri – tjetrit trupin me pika uji, të cilat hijeshojnë lëkurën e tyre si lule të lagështa dhe të ndritshme. E pranishme është edhe kënga e bilbilave e cila herë pas here pushon, thuajse dorëzohet dhe humb betejën që ua ka shpalluar qeshjeve dhe britmave lazdrane. Atje larg, një barkë e vogël e cila ka ngarkuar diellin me vete dhe zvarrit rrezet e tij duke i derdhur mbi valët e kaltra si toptha kristali. "Shihni barkën që bart diellin!" – bërtet një vogëlushe bjonde. "Ajo nuk bart diellin, por zvarit rrezet e tij!" – e korigjon mocaniku i saj dhe merr qëndrimin e burrit i cili nuk lejon fjala t’i bëhet dy. "Mirë de, ajo i bie njësoj!" – tërhiqet vogëlushja ashtu si i ka hije zonjës e cila mund të prek të paprekshmen – sedrën burrërore. Po, dielli pas një kohe u ngjit edhe më lart në qiell, u lodh nga ai lundrim i ngadalshëm në barkën e ngushtë dhe shtoi buzëqeshjen.

Zogjtë këndojnë pandërprerë. Ndalen vetëm sa të hanë mëngjesin e rëndomtë; ndonjë mizë të pakujdesshme në fluturim e sipër e cila, pa ia varur veshin rrezikut që i kanoset dhe joshur nga lartësitë, ishte nisur t’i shohë rrezet e diellit nga më afër. Edhe fëmijët nuk lëshojnë pe; të ledhatuar nga valët e liqenit me mjeshtëri u ikin duarve të nënave dhe qortimeve të prindërve që të kenë kujdes nga thellësitë e errëta.

Përnjëherë këngët e bilbilave e gulçoi britma e një nëne. Ajo jehonte e dhembshme, shtangu qeshjen e lazdranëve të vegjël, frenoi fuqishëm gëzimin e tyre dhe i la të shtangur buzë liqenit.

Gruaja që dëneste buzë liqenit ishte nëna e trimit i cili, i joshur nga freskia dhe thellësitë, kishte vendosur të kridhet deri në fundin e errësisë më të dendur ku rrezet e pakëta që depërtojnë i ngjajnë kristalit të copëtuar, xixave që të shkaktojnë marramendje dhe të ndalojnë frymëmarrjen. Pas një kohe, koka e tij e pashpirt u paraqit mbi syprinën e ujit si lule e posaçelur. Buzëqeshja e tij në fytyrën e shtangur fshehte tërë bukurinë që i kishte parë atje poshtë, aty ko frikoheshin të depërtojnë edhe rrezet e diellit sepse terri i thërmonte në xixa. Buzëqeshja e tij mori me vete tërë qeshjet e lazdranëve të tjerë që me frikë shikonin trupin e shtangur të atij trimi që pati guxim t’i ndërprejë të gjitha lojërat fëmijërore vetëm që të kënaqet duke soditur lojën që zhvillonin në fund të liqenit terri dhe drita. Sytë e tij të mbyllur shprehnin pmundësinë që ajo lojë të shpjegohet. Dhe e çuan rrugës së qytetit të shoqëruar nga kuja e nënës së tij.

Të gjithë ia lëshonin rrugën sepse ia ishte udhëtimi i fundit i një engjulli të cilin e shoqëronin fluturat e tejdukshme me flatra të kristalta.

Po, bukuria ende kishte që të tri rrathët e veta të mëparshme; qiellin nëpër të cilin diell nuk ndalte udhëtimin, harkun e largët të liqenit ku kaltërsia e tij derdhej në kaltërsinë qiellore dhe degët e plepave të lartë të mbushur me këngën e bilbilave. Por asaj tani askush nuk i gëzohej e as që e vërente; e mbuloi pëlhura e tejdukshme e vdekjes dhe kukama e një nëne.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00