Home | Literature | ***

***

image
Rrezet e farfurishme të Diellit pranveruer puthshin amblas faqet e gjelbërta të gjetheve dhe fletët e shumëngjyrta të luleve, ama e të cilave kundërmonte e kandshme, ndihej fort dhe dehëse.

 

 


Haki Stërmilli

 


Automobili ikte me shpejti dhe tue bamë zhurmë. Herë ngjitesh në të përpjetat, herë djergesh në teposhtat dhe herë rrëshqiste ndër rrafshina. Shokët e mij bashkudhtarë herë kuvendojshin me njeni tjetrin, herë heshtëshin të rrëmbyem e të mahnitun nga bukurit e rralla që shfaqeshin gjatë rrugës. Boka, kodra, male, skuta, lugina, gryka dhe fusha të bukura dukeshin e shdukeshin mbrenda pak kohe tue dikue nji kënaqësi të paçansueshme ndër udhtarë, admiruesa të natyrës. Rrezet e farfurishme të Diellit pranveruer puthshin amblas faqet e gjelbërta të gjetheve dhe fletët e shumëngjyrta të luleve, ama e të cilave kundërmonte e kandshme, ndihej fort dhe dehëse. Me nji fjalë atë ditë natyra kremtonte ngadhnimin e bukuris së Prandverës.
Nj'aty, n'atë skutë blerimi e lulesh, të kisha pasë nji shtëpizë - tha njeni tue shique me një lakmi admiruese kah vendi që kishte stolisë me aq shije dora hyjnore.

- Nji shtëpizë që t'ishte si nji kuvli, por mbrenda të kishte edhe nji nga Zanat e malevet t'ona - plotsoi shoku me buzë në gaz.

Ndërsa ata po i argëtojshin fantazit e tyne me andrrime e dëshirime për nji jetë paradisore, un po mendohesha nën përshtypjen e hidhët që më kish lanë sëmundja e Dijes. Më dukej sikur nuk do t'a shifsha ma. Pakon që më kish dhanë ajo e kisha marrë me vetëhe. Dishka më nxitte me e hapë dhe me pamë se ç'ishte shkrue n'at defter që ajo më dorëzoi. Ma në fund më mundi kërshëria dhe e çela pakon. Mbrenda kishte nji defter, nji shami të bardhë dhe nji letër të drejtueme Zotni Shpend Rrëfes në Tiranë. Gati tri të katërtat e fletorit ishin të shkrueme Menjiherë e njofta shkrimin e imët të Dijës. Në faqen e parë ishte shkrue, me ngjyrë të kuqe, ky titull: Jeta e eme. Vendosa të këndoj disa pjesë sa për t'a kënaqë kërshërin.
Hudha nji sy në faqen e parë dhe lexova:
Më shkrepi t'a shkruej jetën t'eme. Ky mendim më leu tue i pamë fotografit e ndryshme që përfëtyrojne Xha Simonin qysh në kohen e fëminis. Përse të mos e shkruej? Jeta e eme për tjerët, ndoshta, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka randësi, se asht e emja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ase hidhnimet e mija, do të kënaqem ase do të pezmatohem. Sikurse pëson ndryshime trupi i njeriut tue u lakue nëpër rrathët e moshës, pa dyshim, ashtu edhe me jetën.
Mbasandaj kapërceva disa faqe e këndova:
Mbasandaj kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka bukuri mashkullore? Sikur të mundesh me folë femna me atë liri gjuhe që kanë mashkujt, kush e di se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet jo gjini. Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpër mjet të peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave ië dënueme me burgim të përgjitshëm?

Oh sa e sa sy vashash, nga plasat e dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e përcjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s'kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse mashkujt dhe ndoshta ma shum se ata, i ka pajue me ndiesit e dashunis.
Pak ma andej, mbasi shfletova disa fletë, ndesha në këtë pjesë interesante:
S' dij se ç'farë lidhje mund të mbetet në mes të dy bashkëshortëve kur futet ndërmjet tyne mënia në trajtë shamjeje e rrafjeje? Grueja që poshtnohet me shamje të randa dhe rrifet, o duhet të jetë lopë që t'I meritojë ase të ketë interes apo frigë nga burri që nuk e këput atë lidhje që i ka bashkue dikur formalisht e jo shpirtnisht, sepse jeta e përbashkët, në rasa e në kushte të tilla, bahet e padurueshme. Për t'a shtëmangc çdo mosmarrëveshtje, për të pasë harmoni të vazhdueshme dhe për të bamun nji familje të lumtun, ata që do të martohen - përpara se t'a bashkojnë fatin e jetën - lypset të jenë njoftë, t'i kenë pajtue karakteret dhe t'a kenë dashunue njeni tjetrin. Për ndryshe s' bajnë tjetër veçse krijojnë nji Ferr për me e turturue vetëhen dhe për t'i përcëUue në flakët e tija edhe lëmijt që do t'u lejnë.
Në faqen 33 të fletorit pashë:
U bubu si pësova! E humba fare. Më duket se më hyni fitili, më gjanë se më kapi grepi i dashunis. Mbramë vonë më muer gjumi, pse mendojsha, pa dashas, për at djaloshin e... bukur që pashë dje ke Irena. Edhe n' andërr më shfaqesh me buzë në gaz, dhe, tue m'i ngulë syt e vet si shtiza, avitesh të më kapi për dore. Jam tue ndimë nji farë turbullimi në shpirt. Kujtimi i pamjes së tij s' më hiqet mendsh; fëtyra e tij gjithnji më paraqitet para syvet të mendjes së trazueme jashtzakonisht. Sikur nuk mjaftojshin të gjitha këto ngucje që më bahen nga duer të padukshme, edhe Irena më tha sot në mëngjez se ai kishte pyetë për mue.
- Ai pyeti për ty Dije - tha tue më shique me nji mënyrë të veçantë që s'u gjasonte atyne të herëve tjera. Un, si ato që druejnë se mos u zbulohet tinëzia, e ula kokën por edhe pyeta:
- Ç'pyeti?
Në ças u pendova për pyetjen që bana. E ndiva se isha skuqë në fëtyrë dhe zemra më rrafi me hof.
- Pyeti se cila je dhe e kuj je - gjegji ajo.
M'u mveshën syt nga nji re e... kuqe. Isha turbullue. M'u shtue kërshëria. Prandaj u vuna me kërkue ndonjë copë tjetër. Hapa disa fletë dhe ndesha në këtë pjesë:
Oh sa shpejt gabohemi e gënjehemi na femnat. Nji shiqim i thekshëm mjafton me na dërmue dhe nji nënqeshje e ambël mjafton me na robnue. Vetëm se s'guxojmë me i shfaqë ndiesit e adhurimit, kemi turp të shpallim se e dashunojmë at që na e plagos zemrën me nji veshtrim të mpakët ase me nji nënqeshje të kandëshme. Zemrat t'ona janë ma delikate se qelqet. Nji gur i vogël, i hudhun nga dora e nji të pamë shirshmit, i then dhe i ban thërrime për t'u shkelë mandej nga kamba e tij. Zemrat t'ona magnetizohen me dy fjalë, shitohen me dy pika lot.
Diku më ra në sy kjo përgjigje:
- Po t'a kisha pasë në dorë do t'a grisësha çarçafin dhe nuk do të lejsha femën pa shkollë, pse grueja asht themeli i shoqnis njerzore, pse ajo asht burim i moralit, pse ajo asht nyeja e shenjtë e qenëjes, pse ajo e mbjell farën e dashunis vëllazënore në mes të njerësve. E kur ajo lihet mbas dore vuen e tanë shoqnia njerzore.
Në faqen 78 pashë kët shënim si përfundim i nji mendimit të shfaqun ma sipër:
Un, po t'isha djalë, do t'i tregojsha botës mashkullore se dora që përkund djepin asht ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerzis, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën kah horizontet e ndrituna ase t'errta. Por mjerisht s'jam djalë dhe si femën nuk mundem me e nxjerrë zanin.
Kah mbarimi vuna re:
Na, femnat Shqiptare, jemi krijesa të vorfëna që tue kangëtue, si të trenueme, shkojmë symbyllazi drejt greminës, drejt vorrit që na përgatisin të tjerët dhe na shtyjnë me u përplasë mbrenda. Po. Na duhet të jemi të qeshuna e gastore për t'i kënaqë kapricjet e burrave, lypset të jemi pa zemër e pa shpirt për t'I ngopë dëshirat e atyne që na kanë monopolizue. Por edhe në paçim zemër e shpirt, këta lypset të fonksjo nojnë vetëm simbas andjes s'atyne që na kanë robnue e jo për ata që na mund të dashunojmë. Oh fatkeqësi! Sa e sa breza femnash, që erdhën para nesh, u banë viktimet e këtij zakoni t'egër dhe flia e asajë mendësije që kish për të vetmin qëllim të kënaqi kapricjet e nji turme injorante, sunduese mbi fatin dhe jetën e atyne femnave të mjera.

Përshkrimi i jetës s'eme do të jetë i paplotsuem dhe do t'i gjasoje nji shtati pa kokë, po të mos i përmendi këtu edhe kohët e kalueme, sidomos, kohët e arta të fëminis, me gjith që ato nuk kanë qenë dhe aq t'arta për mue. Prandaj mendova t'i përmbledh kujtimet e mija të deritashme, me sa m'asht e mundun, dhe t'i rendoj këtu.
Po filloj.
Eme amë më la katër vjetsh. Ajo vdiq e re. Thonë se nuk i kishte mbushë as të 23 vjetët kur ndrroi jetë. Pak e mbaj mend: Kish nji shtat të hollë e të ajthtë, sy të kaltërt, vetulla të holla, fëtyrë të bardhë, qafë të gjatë dhe flokë të gështenjtë që pjerrin kah e arta. Kaq mund të shënoj për dukjen e sajë. Nji kohë, kujtoj mjaft të gjatë, u dergj në shtrat. Shpesh më merrte në prehën dhe m'argëtonte me dashuni. Nji mëngjes, pak ditë përpara se të vdiste m'i lëmoi flokët e kokës dhe u zhgreh në vaj. Edhe un, kur pashë se ajo po qante s'dij se qysh, shpërtheva dhe qava me dënes të madh. Qysh atë ditë më rrëmbyen nga shtëpia dhe më çuen ke Hallë Hatixheja. Atje qëndrova nja nji javë. Disa herë, tue qamë e tue cingrue, kërkova të kthehem në shtëpi, por s'më lanë. Më kabojshin me sheqerka e me kuklla dhe më kërcnoheshin tue më thanë se do të më futshin spec në gojë po të mos rrijsha urtë. Mbas nja nji jave më suellën në shtëpi. Sa u futa mbrenda thirra: nan-o! nan-o! Më kishte marrë malli për të dhe dojsha të m'argëtojë. E kërkova në të katër anët e shtëpis dhe s'lashë çip pa vërejtë, me kujdes, se mos m'ishte mshefë, ashtu si bante kur luente me mue symbyllthi. Por s'e gjeta. Em atë ashtu edhe Hallë Hatixheja më ndiqshin me sy të përlotun dhe përpiqeshin me më ledhatue e me më ngushullue. Ma në fund më thanë se ime amë kishte shkue, diku, në gosti. Atëhere kërkova të më çojnë atje, por ata nuk u biridën. Mezi mundën me më gabue me lajka e lodra të ndryshme.
Gadi nji muej rresht e kërkova t'eme amë tue qamë e tue dënesë, por pa dobi. Oh ajo kishte shkue në gosti, kishte shkue diku larg, shum larg, tej caqeve të kësaj jete. Oh sikur t'ish e mundun me u ngjallë, të pakën për disa minuta, e të shifte se edhe nashti, mbas kaq vjetsh, e kam të përvëlueme zemrën prej mallit që ushqej për të. Oh sikur të ngjallesh që të m'argëtonte e të më puthte disa herë. Sa nevojë kam për të, me gjith që u rrita. Zjarri i këtij malli q'asht ndrye në zemrën t'eme, pa dyshim, nuk do të shuhet veçse kur të më mbulojë edhe mue dheu i zi.
Nji mbramje në shtëpi kishte nji lëvizje të jashtzakonshme. Përveç Hallë Hatixhes, e cila ndodhesh aty qyshse kishte vdekë nana, kishte ardhë edhe e shoqja e Xha Musait dhe e Xha Sadikut. Em atë u kthye në shtëpi ma heret se kurdoherë dhe darkën e hangrëm paperëndue Dielli. Mbas darke më vunë me flejtë heret, me gjith që un nuk dishirojsha. Të nesërmen në mëngjes, kur u ngrita prej gjumit, pashë nji grue të huej që po dilte nga kthina e t ' im et me tespijt e tija në dorë. Kur më pa u ndalue dhe m'argëtoi. Dora që m'i lëmoi faqet m'u duk e ashpër dhe e ftoftë. Ika me vrap dhe shkova në kthinën e bukës, ku ishin mbledhë të gjithë rreth votrës.
- Hajde ke halla - më tha Hallë Hatixheja sa hyna mbrenda dhe desh të më merrte, por un shkova dhe u ula në prehën të t'im et. Mbas meje u fut mbrenda grueja e huej dhe, mbassi i a vu babës tespijt përpara, nisi me i mbushë finxanët e kafes. Un po e shifsha, e çuditun, këtë grue që s'e kisha pamë kurrë. Kërshëria më ngucte që të merrsha vesht se cila që. Prandaj nuk durova shum dhe pyeta.
- Ajo asht jot amë. Mbas sodi atë ke me e thirrë nanë - tha Hallë Hatixheja dhe i zgjati duert me më marrë në prehen të vet. Un u shtëmanga që të mos më merrte halla dhe ia ngula syt grues së huej. Nji copë herë e shiqova, frigueshëm, atë grue zeshkane dhe aty vonë thirra:
- Jo; s'asht ajo nana e eme.
- Ajo asht - gjegji halla.
- Jo, jo; s'e due - brita dhe, tue e rrasë kryet në gji t'im et, zuna me qamë.
- Hesht moj bijë! Mos qajë - më tha em atë me nji za të mbytun e të përvajshëm tue m'i lëmue flokët. Duket se edhe ai ishte i pangushlluem nga humbja e nanës. Vonë pushova së qami. Më suellën kuklla, sheqerka, topa llastiku dhe nji macë të vogël. Ma në fund m'i muerrën ment. Kjo grue e huej ishte eme njerkë që kishte ardhë me e zavendsue t'eme amë. Ajo ishte, asokohe, nji gjysmë grueje, nja 32-33 vjetsh. Kishte nji trup të trashë, lëkurë të zeshkët, sy e vetulla të zeza, buzë të trasha, nofulla të fryta. Dhambët i ishin nximë dhe gjajshin si thëngjij. Me nji fjalë ishte si nji katundare e përcëllueme në Diell. Ajo, nji mot ma parë, e kishte përcjellë burrin e maparshëm për në jetën tjetër, ku kishte pas dërgue edhe nja dy fëmij. Em atë, atëherë, ka qenë nja 36-37 vjetsh. Me t'eme amë kish jetue vetëm gjashtë vjet. Fëmia e parë - nji djalë - që kishte pasë me t'eme amë, i kishte vdekë. Un rrojta. Ndoshta për të vuejtë. Me t'eme njerkë, sikundër duket, u pamë Hana jashtë. Un nuk e due fare, por edhe ajo m'urren për vdekje. Oh sa herë më ka rrafë, sa herë m'a ka mbushë gojën me spec që të rnos i kallzoj t'im ët, sa herë më ka lanë në rrugë e vetë ka dalë me shëtitë, sa herë më ka lanë pa hangër, sa herë më ka dhanë bukë e shëllinë kurse fëmijvet të vet u nepte gjellë të mira, sa herë m'a ka therë zemrën me f jalë fyese dhe sa herë më ka namë e mallkue. Kush i mban mend e kush mund t'i nurnërojë këto. Vetëm do të përmendi se më mundonte si të më kishte halë në sy dhe më shante me nji gjuhë shumë të pasun n'kspresione ndyesije, me nji gjuhë të marrun hua nga jevgat. Vdekja e s'ime amë, për mue, që nji kob, por martesa e t'im et me këtë shtrigë që nji mënyrë e vazhdueshme dhe e pambarueme kurrë. S'dij se ku e gjetën këtë korbë. Fëmia pa. nanë, si nata pa Hanë" thotë nji fjalë popullore. Sa mirë e ka qëllue Shqiptari gjendjen e vajtueshme të foshnjes bonjake me këto fjalë. I ka hymë në palcë, në shpirt dhe na e paraqit fëmin të mbetun në mëshirën e fatit e në terr të natës së pambarueme. Mjerë ato nana që lanë mbas vetëhes fëmij të vegjël, pse shumica e etënve nuk kujdesohen, si duhet për to e njerkat, përgjithsisht, nuk dijnë dhimë për bonjakët që u kanë lanë si trashëgim ato që u kanë lirue vendin n'atë shtëpi. Ata bonjakë që janë rritë me njerka të këqia - se ka edhe të mira ndër to - e kanë kuptue se sa e hidhët asht me e humbë nanën. E këtë provë un e kam bamun.
Mbas martesës së dytë im atë e ndrroi qëndrimin e vet kundrejt meje. Nuk e çante kryet fort për mue dhe as që kujdesohesh të marri vesht se si më përdorte njerka. Dalë-nga-dale em atë ndryshoi kryekëput, Shpifjet që trillonte njerka për mue atij i dukeshin si qortimet apo kshillat e Hazreti Hatixhës. Kur un mprohesha ase ankohesha, atij s'i bante tërr veshi. Shumë herë, në vend që të më ngushllonte, më shante. Ndryshimi i madh që bani em atë mbasi u martue me t'eme njerkë, më bani të besoj se ekziston nji fuqi magjike dhe se ai u gazit e u skatarit me magji prej saj. Ndryshe nuk kam se si t'a spjegoj mospërfilljen e tij kundrejt meje dhe pjerrjen kah e shoqja. Në ditët e para të martesës nuk ishte kështu. Duket se ende nuk e kishte torrullue magjia. Shpesh më merrte në prehën dhe, tue m'argëtue me dashuni, më thoshte me za të çjerrun:
- Jot amë, Dije, që e urtë dhe e mirë si nji engjëll. Ti i gjan asaj kryekëput. Edhe kjo - m'a tregonte njerkën me gisht - do të bahet për ty nji nanë shum e mirë. Kur e ngrejsha kryet shifsha se syt e tij ishin plot lot. Më puthte, mandej, me nji dashuni atnore aq të zjarrtë sa edhe un, me gjith që foshnje, e ndijsha nevojën urdhënuese me e rrokë e me e shtrëngue për qafe me të tana fuqit e mija. Sigurisht asht forca e magjis ajo q'e ftofi mbasandaj prej meje dhe e bani të luejë mendsh mbas asajë lopës së murme. Gjendja e eme u vështirësue edhe ma fort kur leu Rizai - në krye të tre vjetve q'ishte martue. Atëhare em atë u dha kryekëput mbas të birit tue mos e nxe kryet ma për mue. Qysh atë ditë eme njerkë u ba zotnuesja e plotpushtetëshme mbi t'em atë dhe tiranëja ma e egër mbi mue. Nuk guxojshja as edhe me qamë e jo me shfaqë ndonji mbëhi ase dëshir. Kurrkush mos u rritët si un!
Kur i mbusha shtatë vjetët më futën në shkollë. Nji të Hane në mëngjes kushrini i em Hamiti – çuni i Xha Sadikut - më muer për dore dhe më çoi në shkollë. Njerka nuk kundërshtoi fare. Ndoshta pse donte me më shporrë sysh. Jeta e shkollës më pëlqeu shum, për shkak se mësueset qenë si nana të mira dhe aty gjeta nji grumbull shoqe të dashtuna. Zonjusha Maria Frëni, njena ndër mësueset, m'argëtonte dhe më dhelatonte ma fort se tjerat. Kjo ishte jo vetëm nji mësuese e mirë, por edhe e bukur e simpathike. Duket se Hyu kishte bashkue në të bukurin e trupit e të shpirtit. Mbaj mend se kishte nji shtat të hollë e të zdrivielltë, sy të zij si rrushi, vetulla të hollë e të harkueme, flokë të zij si mundashi, hundë të drejtë, gojë të vogël, buzë të kuqe dhe dhambë të vegjël. Ishte nja 19-20 vjetsh. Sa ambël më tingëllonte në vesh zani i saj kur më këshillonte se si të sillem para prindërve e kundrejt botës. Sa më pëlqente kur m'i lidhte gërshetat, kur m'i mbërthente sumbullat, kur m'i mshinte robet që ndragsha n'oborr të shkollës tue luejt me shoqet. Sa më kandesh kur më kërcënohesh amblas që të mos baj mbrapshtina dhe më porositte të jem e urtë, e mirë, dhe e pastër. Shkrihesha prej kënaqësis; sidomos, kur më dhelatonte e më puthte me dashunin e nji motrës së madhe. Mbas dy vjetsh ajo u shpërngul në nji qytet tjetër. Oh sa qava kur më puthi për herën e fundme. Qysh a'sokohe s'e kam pamun ma. Për të, edhe tash, ruej nji farë nderimi dhe nji mall të pashueshëm në zemër. Sjellja e mirë e mësueseve, veçanrisht e Zojushës Marije, m'a pat paksue pezmatimin që kisha nga humbja e nanës. Për kët shkak ma fort më pëlqente të rrij në shkollë se sa në shtëpi, ku më pritte njerka me mashë në dorë e me namë në gojë. Zonjushën Marie Frëni e zavendësoi Zonjusha Sabrije Qafëtrashi. Edhe kjo që mjaft e mirë, por kurrë sa Marija. Drejtoresha e shkollës ishte Zoja Sofije Filipiadhi. Si kjo ashtu edhe Zonjusha Kristina Petropullos flitshin Toskënisht, se ishin nga jugu. Për çdo, mëngjes, kur do të shkojsha në shkollë, simbas porosis që më kishin bamun mësueset, i a puthsha dorën t'im et ashtu edhe njerkës. Kësaj i pëlqente t'i a puth dorën e zeshkët e të plasarueme, por nuk i vinte mirë kur krifesha dhe mshihesha me kujdes që të mos më qortojshin mësueset.

  


 Fragment nga "Sikur t'isha djalë"

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00