Home | Literature | Medalioni

Medalioni

image
Medailonin e kisha harruar fare. Aty tek viti i dytë i kurbetllëkut fillim maji më kujtohet që ish, duke kositur bar me kosë në një lulishten e fshatit ...

 

 

 


Nga Bujar Muçaj


Medailoni! Gjithmonë ky emër ka patur cilsinë e magnetit brenda meje. Pse thoja mos të kem edhe unë një të tillë!? Njëckë vetëm, të shisja dhe unë një çikë dëngla si Vlashi shoku im i fëminisë, të cilit ia solli xhaxhai nga Kina apo Vietnami, me ca pata që fluturonin në formë e gërmës V. Tërë ditën e ditës Lashi (emri i tij i shkurtuar) fryhej më keq se gjeli jo vetëm në mëhallën tënë, por në tërë qytetin. Pra siç ju thashë pasja e një medailoni ishte endra ime e kahershme, e cila zuri pak nga pak kore për tu hapur sërish pas disa viteve, ku puna e medaljeve medajloneve e më the e të thashë mori një vrap si të gomarit. Mua më kujtohet se për të marë një të tillë bëja ca sakrifica që për kohën e sotme do të duken si të tepërta. Kur isha i ri e shërbeja si ujar gjatë shërbimit ushtarak (si me mik që isha), sa herë që shihja komandantin e hiqja bidonin 50 kilosh nga samari i gomarit dhe e hidhja hop mbi supin tim. Që të më shihte mirë i ndrituri dërgoja kollën përpara si sinjal, pastaj merja drejtqëndrim, vetëm trupin, me një dorë mbaja bidonin e me tjetrën e nderoja.

-Qetësohu ushtar Xhaferri! – më thoshte komandanti duke vënë pakës buzën në gas,- se kuptoj këtë veprim tënd kaq humanitar, lehtëson një hajvan që e ka arratisur zoti për këto punë e ngarkohesh vetë më keq se hajvani...Shiko more djall se mos më bëhesh si ai adashi yt, si Xhaferri që humbi simiten. Ishte hera e parë që dëgjoja për një Xhaferr që bashkë me vulën kishte humbur edhe simiten...

-Ja si të them o shoku komandant, më vjen keq, gjë pa gojë është, më dhimbset, pastaj ti e di që unë si kafshar jam shumë i dhënë pas hajvanave,...nderoj koventën nderkombëtare për mbrojtjen e kafshëve.

-Shiko, shiko Xhaferri deri ku i paska vajtur mëndja! Shiko njëherë o Xhafë të drejtat e njeriut,- ma ktheu komandanti e tek fjalët që përmendte të drejtat e njeriut e uli zërin, se shteti ynë se kishte nënshkruar akoma Kartën e Helsinkit. Më dhjetë korrik pas ngrenjes së hallvës prisja të më jepnin ndonjë pusullë a ndonjë medailon si ushtar i dalluar. Hiç ata të komadës, bile dhe lejën që më takonte atë muaj ma shtytën dy muaj më pas.

-Na duhesh o Xhafë!- thoshin, -je i pazvendësueshëm, Xhaferr s’bënë më nëna.

Shpresoja se një ditë mbase do të ma jepnin atë të shkretë medailon, pasi vetë komisarin kisha dëgjuar njëherë kur më pa ashtu ngarkuar në vend të gomarit:

-Opo ky qënka për tu ngritur në detyrë, qënka për tu dekuruar!

Më kot prita se mbase komisari e kishte patur fjalën për veshgjatin sepse mbas ca muajsh e “graduan” më lart duke e çuar të shërbente në një pikë kundrajrorësh në majë të malit e në vend të tij më sollën një mushkë xanxare, prej të cilës di unë i gjori seç hoqa nga vicklat e ...... Megjithatë bosh nuk dola, nga kati i poshtëm i krevatit ku flija u ngjita katin e lartëm, pasi shoku që kisha nuk shihte mirë nga njëri sy dhe i ruhej rënies së lirë, sipas Njutonit thoshte ai. Sa për dekoratat dhe medailonet ato i morën ca që ishin familje me biografi të kulluar, që kishin baballarë që u priste shpata sa majtas djathtas e mamaka që kur kalonin rrugëve tundej vendi, kishin patur gjyshrit e katragjyshërit me lëvizjet. Për mua flitej se do të më dekuronin me sot e me nesër, deri sa erdhi lirimi e ne ikëm nga ishim nisur dy vjet e kusur më parë. Në jetën civile u futa e garova në sa e sa konkurse, maratona, lajmësira (lajmësitë për mua kanë qënë aty afër sportit) e medalioni s’po e nxirrte kokën gjëkundi. Me lajmësitë fitova nja dy palë opinga numur 45 sa vishja dy palë çorape leshi e prapë më rrinin të lira. E po këpucë të mbetura stok që shiteshin në dyqanet e demodesë më dhanë, të ujdisura me lëkurë derri e erë derri kundërmonin një kilometër larg. Nga lajmësi e dytë kam dhe një kujtim të hidhur, pasi hëngra një kopaçe të mirë, kur njëri prej çifteve që mpleksa u nda, sepse o pula o kaposhi se mora vesh kush prej tyre dilte të ishte shterp. Se ç’faj kisha unë në këtë mes as sot se kam marë vesh!.

Me ardhjen e demokracisë ia thera dhe unë vrapit me shokët, kaluam telat me gjëmba e u gdhimë në perëndimin e dëshiruar. Në fakt për inerci e përdorim fjalën perëndim se këmbët tona jugun zunë, Greqinë. Pak nga pak gjetëm punë të rregullt, mësuam gjuhën e vendit e ca nga ca dhe xhepat po na rendoheshin. Medailonin e kisha harruar fare. Aty tek viti i dytë i kurbetllëkut fillim maji më kujtohet që ish, duke kositur bar me kosë në një lulishten e fshatit ku rrija në majën e kosës mbeti varur një medailon rozë me rreh gjysëm metri zinxhir. Mendoheni se ç’gëzim më zuri në atë çast. Vuajta me punë e sport, harxhova gjithë energjitë e mia e smora dot një të tillë në kaq e kaq vite. Këtu e mira çuku-çuku duke u rrokollisur si rrotë qerreje më erdhi e më gjeti vetë. Kaluan disa ditë e unë me medailonin në qafë ndjehesha si s’ka më mirë. Pa më hipi një mendjemadhësi si të kisha kapur gjithë qiejt e botës me dorë. Por ai gëzim sdo të kishte jetën të gjatë. Në mëngjesin e pestë pas gjetjes së tij, pikërisht në atë vënd ku kisha kositur me kosë e kisha gjetur ekzemplarin, do të hapja një kanal për të futur kabllin e telefonave, aty do të më ndodhte çudia, që kur e kujtoj më vjen të qesh e të qajë, si i thonë ata kalemëdhenjtë, hem tragjedi hem komedi. Kur kisha hapur pothuajse gjysmën e isha bërë këmbë e kokë me djersë e me baltë mbi kokën time pashë dy qenër që fillimisht po më përshëndesnin miqësisht me nxerrjen e gjuhës dhe tundjen e bishtit, por pastaj filluan të lehnin egër, duke u sjellë rreth gropës. Mora pranë vetes çantën në të cilën mbaja teshat, kafenë dhe bukën e drekës. Mos kishin nuhatur që në atë çantë fshihej ndonjë thelë!? U tremba duke u strukur përkohësisht në kanalin e hapur prej meje, i cili të paktën ishte një metër i thellë, sa mund të më fshihte në barkun e saj pa më prekur dhëmbët e tyre. Më shumë u trembesha edhe syve të ca kureshtarëve të bezdishëm pleq që ndaluan çapet e po shikonin pa ndërhyrë krejt skenën, live e pa paguar asnjë cent. Ç’të kishin këta qënër me mua!? Unë isha në radhën e parë e gjithmonë i gatshëm në mbrojte të tyre, në mbrojtje të kafshëve siç u thashë në fillim.

Mora guxim e sërish u ngrita në këmbë. Zbërtheva çantën dhe mora thelën me dy gishtat e lerosur bërë pinc brenda vazos me fasule, duke ia hequr rëskun gojës sime e zemëruar stomakun që filloi të demostrojë papajtushmëri me “nderin” tim të tepërt. E ndava në dysh e ua hodha tej, për t’i pasur sa më larg, disa pashë nën kurorën e blertë një pishe. Veprimin tim të paqëm as që e përfillën fare. Përsëri e njëjta gjë. Ngrita duart lart plotësisht i mundur për faktin dhe çudinë që sgjeja dot arsyen e egërsisë së tyre. Kur ngrita duart njëri prej tyre ai më i madhi e pushoi të lehurën, erdhi pranë dhe kësaj here miqësisht lehtas me dhëmbë mbërtheu medajlonin e varur në qafë, duke spërkatur me këtë rast qafën time me një valë të nxehtë jargësh. Vura re se medailoni që zbukuronte qafën time të trashë ishte i ngjashëm me atë të qenit, që deri atëhere se kisha pikasur. E ndiha zullapin qen në zbërthimin me mirsjellje, me duart që mezi më bindeshin dhe e ia lashë. Në këtë çast më shkoi mendja tek qeni tjetër që ndoshta mund të ishte gruaja, e dashura apo motra e atij që ekzekutoi marjen e medailonit. Qeni tjetër që dhe ky e kishte pushuar së ekuekutuari himnin qenëror në ato çaste, nuk kishte medailon. Kështu që medailoni që mbajta unë ca kohë në qafë kishte qënë pronë e patjetërsueshme e tyre, të cilën ngulën këmbë e ma morën në mënyrën që u pëlqente atyre. E ngushëllova veten, vetëm me mendimin që gjersa qentë i (edhe macet) kanë mbushur zverqet me lloj - lloj medailonesh, vlera e tyre për njeriun ka marë tatëpjetë rrokullimën, duke vajtur aty pranë... zeros.

Qershor 2008

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00