Kam një ëndërr
Në çaste lumturie, për shembull duke vështruar një peizazh të bukur, e di përnjëherë se nuk bëj pjesë aty, bota më shfaqet si diçka e çuditshme, nuk njoh asnjë cep ku të mund të ndihem në shtëpinë time.
Përkthyer nga Urim Nerguti
"Le ta themi përnjëherë : jeta, e tillë siç është, nuk është e keqe. Ne kemi përmbushur disa nga ëndrrat tona. Mund të fluturojmë, të marrim frymë nën ujë, kemi shpikur pajisje elektro-shtëpiake dhe kompjuterin. Problemi fillon me trupin njerëzor. Truri, për shembull, është një organ me një pasuri të madhe dhe njerëzit vdesin pa i shfrytëzuar mirë të gjitha mundësitë e tij. Jo ngaqë koka është tepër e trashë, por sepse jeta është tepër e shkurtër. Ne mplakemi shpejt dhe zhdukemi. Përse ? Ne nuk e dimë këtë, por edhe po ta dinim, do të ishim njëlloj të pakënaqur. Është fare e thjeshtë : qeniet njerëzore duan të jetojnë dhe megjithatë duhet të vdesin. Nisur nga kjo, dëshira e parë është të jesh i pavdekshëm. Sigurisht, askush nuk e di me çka ngjan jeta e përjetshme, por thjesht mund ta marrim me mend.
Në ëndrrën time të jetës së përjetshme nuk ndodh ndonjë gjë e madhe. Mbase ngaqë jetoj në një shpellë. Po, më pëlqejnë shpellat, atje bën errët dhe fresk dhe brenda e ndjej veten të sigurtë. Shpesh pyes veten nëse ka pasur përparime të qenësishme qysh nga jeta në shpella. Kur jam i ulur aty, duke dëgjuar qetësisht zhurmën e detit, i rrethuar nga krijesa miqësore, mendoj mbi çfarë do të doja ta zhdukja nga kjo botë : mushkonjat, zogjtë grabitqarë, paranë dhe punën. Ndoshta dhe filmat porno dhe besimin në zot. Herë pas here, marr vendim ta lë duhanin. Në vend të cigareve, parapëlqej të marr pilula që kanë të njëjtin efekt nxitës mbi trurin tim. Veç kësaj, kam një larmi të madhe drogash sintetike dhe secila prej tyre më zhvillon ndjeshmërinë. Atëherë jam i aftë të dëgjoj ultra-tinguj, të shoh rreze ultra-violetë dhe gjëra të tjera që nuk i kuptoj aq mirë.
Jam pak më ndryshe tani, jo vetëm më i ri, trupi im është shndërruar, kam katër këmbë, më pëlqen kjo, mbahem shumë më mirë në këmbë, i kapur fort pas tokës. Edhe kur pi shumë, nuk kam frikë të bie. Ndryshe nga njeriu primitiv, nga kanguri dhe pinguini, asgjë nuk më lëkund aq lehtë. Ka dhe më : nuk kam më nevojë për rroba. Rrobat nuk janë praktike, çfarëdo qoftë forma e tyre, ato pengojnë frymëmarrjen e lëkurës. Lakuriq ndihem më mirë. Më e rëndësishmja është se nuk jam as mashkull as femër – jam një hermafrodit. Më parë, nuk mundesha tjetër veçse ta imagjinoja ndijimin e penetrimit, duke mos qenë homoseksual. Tani kam njëfarë ideje mbi të, është një përvojë themelore që e prisja prej shumë kohësh. Nuk kam më ç’të shpresoj. Disa lexues pyesin veten nëse jeta, në shpellën më të bukur dhe me krijesat më të adhurueshme, nuk do të bëhej e mërzitshme pas mijëra vjetësh (madje qindra mijëra vjetësh në rastin tim). Jo, nuk besoj, të paktën jo për mua. Nuk më duket e mërzitshme të përsëris pafundësisht atë çka më pëlqen të bëj, madje do të shkoja dhe më tej : lumturia e vërtetë është përsëritja, në rifillimin e përhershëm të së njëjtës gjë, siç në kërcim dhe në muzikë, për shembull Autobahn e Krafwerk. Njëlloj dhe për seksin : kur mbarojmë, duam të rifillojmë. Lumturia është një zakon, një zakon që mund të përqëndrohet në gjëra kimike ose në qenie njerëzore, kur kam me vete pilulat e mia apo miqtë e mi, nuk kam nevojë për asgjë. Mërzia është alternativa e lumturisë, e përditshmja e rëndomtë, produktet e reja, informacionet, qoftë dhe të paraqitura në mënyrë tërheqëse. E kam gjetur lumturinë në shpellën time, nuk kam më ç’të shpresoj, bëj dush kur të më dojë qejfi. Jashtë bën nxehtë dhe shumë dritë, mendoj pak për Gjermaninë ku kanë jetuar bashkë ca njerëz në hapësira të ngushta dhe jam i lumtur që parajsa nuk e njeh mbipopullimin. Njerëzit janë të lirë të zgjedhin varrin e tyre, i japin makinës sa të duan.
Hap sytë dhe shoh se ëndrra ime është më tepër sipërfaqësore. Ndez një cigare tjetër, kafshoj pak filtrin, në fakt nuk ka harmoni në univers. Në çaste lumturie, për shembull duke vështruar një peizazh të bukur, e di përnjëherë se nuk bëj pjesë aty, bota më shfaqet si diçka e çuditshme, nuk njoh asnjë cep ku të mund të ndihem në shtëpinë time. Zoti, as ai nuk mund ta zgjidhë këtë problem, madje nuk besoj në zot, kjo nuk është e nevojshme, as këtu as në parajsë. Besoj në dashurinë, kjo është e vetmja gjë e vlefshme që ne zotërojmë, më e mirë se një program fitness, më e mirë se sporti. Mbase një ditë ëndrra ime e përjetësisë do të realizohet, do të jem atëherë një krijesë me këmbë, flatra apo tentakula, mbase gjetkë. Në kundërshtim me shumicën e njerëzve, nuk kam frikë nga vdekja, duke u mplakur unë rizbuloj rininë time, të harruar qëkur dhe herë pas here, kur gjërat shkojnë keq, mbyllem rehatshëm në punën time. Librat e mi më garantojnë tashmë një formë pavdekësie.
(Michel Houellebecq)
Comments (0 posted)
Post your comment