Elisabetës
Të mbledhur së bashku, komisionerët iu paraqitën Dinoshës me lutjen që t’ua besonte magjinë jetëdhënëse.
Nga Zija Cela
Etrange, vraiment etrange
Në atë qytet mes malesh, siç e tregonin regjistrat vendorë dhe statistikat e përgjithshme të shtetit, po bëheshin vite qëkur nuk vdiste më njeri. Zyrtarë të lartë të qendrës, të nxitur nga specialistë të Ministrisë së Shëndetit Publik, duke e kundruar mrekullinë nga larg, këtë rezervat jete e shpjegonin me ajrin, ujin dhe rrethimin natyror ndaj mjediseve urbane të ndotura. Por vetë banorët e qytetit e lidhnin me Dinoshën, gruan e Harap Habitarit, nënpunësit të përkohshëm të postës.
Dinosha kishte qenë në vitin e parë të martesës, kur i shoqi desh iku me gjithsejt. Një sëmundje e beftë e rrëzoi në dyshek, ia bëri trupin kaçup dhe ia majisi tërë rropullitë e barkut. Mjekët nuk ia gjetën as emrin, as ilaçin. Kur Harapi ra në jerm të vdekjes gruaja e hirshme, që i kishte qëndruar gjithnjë te koka, filloi të përlotej, t’ia ledhatonte flokët e ta shtrëngonte pas vetes, si të ishte e vendosur që ose ta mbante patjetër në jetë, ose të ikte bashkë me të shoqin. Ndërsa ishte përkulur plot ngashëri mbi fytyrën e tij, diç mërmëriti përvëlueshëm dhe pikërisht ato fjalë dhembshurie, që askush s’i dëgjoi bënë mrekullinë e papritur: Harapi hapi sytë e grishtë, gogësiu dhe u ngrit më këmbë. Pasandaj, të gjithë thanë se bukuria e Dinoshës s’e kishte lënë të vdiste. Në të vërtetë, kur u ngrit i shoqi, ajo pati një zalldan të hatashëm, lëkura iu gërhal, fytyra iu zbeh dhe fryma mezi i përshkohej në gjoks. Por pas tri orësh çuditi mëhallët: Gruaja ishte bërë edhe tri herë më e bukur.
Prej asaj dite, sa herë që dikush i beditej vdekja, si të ishte i sigurtë se mund të mbrohej prej saj, dërgonte njerëz për të thirrur Dinoshën. Pak nga pak, teksa i përhapej nami, kërkesa mbërritën edhe nga zonat përqark, dhe Dinosha nuk kundërshtoi, bëri ndonjë provë, por nuk i eci. Me sa dukej, me atë formulën e mistershme që e kishte zbuluar në ethe të dhembjes, gruaja e bukur mund të shpëtonte vetëm bashkëqytetarët e saj. Natyrisht, mjekët se ndërprenë punën as atje, njerëzit shkonin në poliambulancë, shtroheshin në spital rural, kuroheshin për ca kohë e dilnin të shëruar. Por nëse ndodhte që i sëmuri të merrte rrokullimën pa ndalim, e nxirrnin menjëherë nga spitali për t’iu drejtuar Dinoshës. Tani, si të ishte tempull hyjnie, nevojtarët trokisnin në shtëpinë e saj ditë e natë. Njëherë, ndodhi që Dinosha të vihej në provë të rëndë, çfarë si kishte rastisur më parë, me dy kërkesa të njëkohësishme. Bert Miluka dhe Afrim Prati e kishin plagosur për vdekje njëri-tjetrin me armë zjarri. Kur njerëzit e dy palëve erdhën për ta marrë e për ta shoqëruar, siç ishte e arsyeshme, në fillim Dinosha ktheu në shtëpinë që binte më afër. Në shtratin ku po fikej, ende me mend e gojë, Bert Miluka e priti me pistoletë në dorë.
- Ulu, Dinoshë, - e ftoi qetësisht, ndoshta për të mos e trembur, - nëna ka vënë xhezvën në zjarrë. Ulu në atë karrige, pimë kafen më parë, pastaj shohim e bëjmë.
E gozhduar në karrige, Dinosha nuk e ndjeu sa kohë kaloi. Ndërkaq një kushëri i Pratajve, në shtëpinë e të cilëve kishin pritur me padurim, ia behu kokulur në derë. Atëherë u dëgjua zëri fërgëllues i të plagosurit:
- Tani mund të shkosh, Dinoshë, shërbimin e fundit ma bëre. Unë s’të mbajta këtu për jetën time, por që hasmi im t’i çonte patkonjtë përpjetë. – Dhe me shpejtësinë që rreh qerpiku, Bert Miluka ia kthen armën vetes, duke vënë tytën nën mjekër dhe duke e tërhequr këmbëzën gjithë gajret.
Megjithatë, pas ca vitesh, kjo ngjarje e përbindshme u harrua. Si gjithmonë, Dinosha nuk mund t’i sillte të vdekurit në jetë, por kishte forcë që të gjallët t’i mbante me të gjallët. Çdo bashkëqytetari të saj, pleqve e fëmijëve, burrave e grave, djemve e vajzave të reja, në minutën që shpirti merrte për t’u dalë, Dinosha u gjendej tek koka. Ritin e kryente si dikur me të shoqin, madje nga frika e dështimit s’ia lejonte vetes ta ndryshonte sadopak. Prandaj, kur ndokujt i afrohej fundi, ajo priste derisa të binte në hekë dhe të humbiste çdo lidhje me këtë botë. Tamam atë çast e shtrëngonte dhembshurisht pas trupit, e përkëdhelte, çapërlohej nga vuajtja dhe teksa përkulej e ngashëryer, i pëshpëriste ato fjalët e mistershme. Se çfarë i thoshte Dinosha vdekëtarit, askush nuk e dinte, por ndërsa ky kthehej në jetë, shpëtimtares i mbahej fryma, trupi i dridhej dhe lëkura i zhubrosej gjithmonë. Veçse sfilitja e saj e hatashme tani nuk zgjaste më tri orë. Prej kohësh tri orët ishin bërë nëntë, pastaj u bënë tetëmbëdhjetë, pastaj tridhjetë e gjashtë, derisa u fiksuan në tri ditë e tri netë. Vetëm pasi dilte prej atij gazepi torturues, bukuria e saj ngadhënjente përsëri dhe, sado që mosha ia prekte tiparet, prej një freskie përherë gjallëruese, gati të gjithë besonin se në damarët e saj gjaku përtërihej vazhdimisht.
Mirëpo, në një ditë me llohë dimri, Dinosha dha shenja se po sëmurej vetë: Lëngata e zuri brinjë më brinjë dhe shtrati menjëherë iu bë i detyrueshëm. Harap Habitari, nëpunës i përkorë i postës, dha alarmin. Qyteti sikur u çakërdis, iu prish qetësia e gjumi; mjekët shpejtuan për ilaçe, por sëmundja e saj nuk u praps. Qytetarët ranë në hall, u menduan sa u menduan, pastaj arritën në përfundimin se ndoshta s’u mbetej tjetër veçse dikush të bënte për Dinoshën atë, që ajo s’ua kishte kursyer më parë. Afër mendsh, fëmijët i përjashtuan, asnjëri s’do të mund ta përballonte sfilitjen që e priste, por edhe pleqtë i lanë mënjanë, jo thjesht për arsyet e fëmijëve, por se shumëkujt nuk iu duk e denjë që sakrifica e përkohëshme për Shpëtimtaren, së cilës të gjithë i detyroheshin, të vinte nga më të dobëtit. Kështu, dolën vullnetarët e parë. Mirëpo, çuditërisht, asnjëri prej atyre njerëzve që kishin pasur rastin të shpëtonin nga Dinosha dhe që mendohej se tashmë e njihnin misterin, i cili ngrinte të vdekurin më këmbë, s’po dilte vullnetar. Kushedi pse, kur pyeteshin për ato fjalët e fshehta, secili betohej se në çastin që i kishte dëgjuar, gjendja e tij kishte qenë aq e rëndë, sa gjë prej gjëje si kishte mbetur në mendje. Atëherë, një komision prej qytetarësh të nderuar vendosi që sakrifikuesi të zgjidhej me short. Por përpara se të hidhej shorti, duhej formula. Të mbledhur së bashku, komisionerët iu paraqitën Dinoshës me lutjen që t’ua besonte magjinë jetëdhënëse. Gruaja bujare, e razbitur nga lëngata, i falenderoi me zemër, por tha se për të kjo ishte e pamundur, pasi nuk mjaftonin vetëm fjalët: për ta kaluar fuqinë e formulës nga vetja tek një tjetër, duhej medoemos që rrethi të mbyllej aty ku kishte nisur. Vetiu të gjithë kthyen sytë nga Harap Habitari, që kishte qenë pika e nisjes. Njerëzit e komisionit, disa prej të cilëve bënin hije në këtë botë pikërisht prej asaj formule, u ndjenë të lehtësuar dhe ia rrahën shpatullat me lezet, sepse, siç thanë në një gojë, për t’i dhënë atij riti sigurinë më të madhe, kërkohej që dhembja të ishte sa më e thellë dhe një dhembje të tillë, tek e fundit askush s’mund ta ndjente për Dinoshën sa vetë bashkëshorti i saj.
Gruaja ia zbuloi të fshehtat pak përpara se të binte në jerm dhe, kur e përfshiu kllapia e vdekjes, Harapi pothuaj e humbi toruan, ai nisi të ulërinte e të bubëtinte si i marrosur. Megjithatë, bëri gjithçka që e shoqja e kishte porositur: e shtrëngoi pas trupit të vet, e mbajti, e rroku, u mbyt në ngashërima dhe në fund, duke u përkulur mbi kokën e saj, murmuri fjalët çudibërëse. Por Dinosha e bukur prapëseprapë vdiq e shkoi.
Në ditën e zisë, kur njerëzit shkonin tek Harapi për kryeshëndosh, i kaplonte heshtja, rrinin të mërzitur e gjëmonin mbytyrazi, sikur të mos gjenin ngushëllim. Vetëm më të rrallë ndokush e prishte heshtjen e përzieshme, duke dashur të dinte nga i zoti i shtëpisë diçka më tepër: Ia kishte ftilluar qartë Dinosha ato fjalët magjike? Mos ndoshta, i ndërligur prej dëshpërimit, atij i kishin rrëshqitur nga truri? Çfarë nuk kishte funksionuar pra, ku kishte ngecur mrekullia?
I zoti i shtëpisë skërfiste thonjtë, hundëronte i përhumbur, pastaj kruante zërin dhe duke perënduar sytë e grizhtë, shpjegohej ngadalë:
- Ishte e pamundur të më rrëshqiste nga truri, Dinosha nuk ma tregoi si një formulë të thatë.
- Cuk, cuk, - shprehnin habi të tjerët. – Po si ta tregoi, Harap?
- Ma kujtoi fije për fije rastin tim. Dhe disa herë ma përsëriti çfarë më kishte thënë atëherë te koka. Ja, kështu më kishte thënë: "Unë vdes për ty".
- Po ti i the se vdes për të?
- Unë nuk mund ta ndryshoja formulën, - shpjegohej Harapi, - se po ta ndryshoja, dilja i pabesë. Të njëjtën i thashë.
- Edhe?
- Edhe i thashë: "Ti vdes për mua!"
- Cuk, cuk, - rrufisnin faqet të tjerët, thua se gjithnjë shprehnin habi.
Pastaj zhyteshin në heshtjen e mëparshme, herë duke kujtuar atë shortin e frikshëm, të cilin fati tashmë ua kishte shmangur përgjithmonë, herë duke menduar për varrin me kangjella dhe tekstin e mbishkrimit që, si një mirënjohje të përgjithshme, komisioni kishte vendosur t’ia blatonte Dinoshës në emër të qytetit dhe të bashkëshortit besnik.
Comments (0 posted)
Post your comment