Home | Literature | * * *

* * *

image
Tradhtohet njeriu
S'e kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese. 

 

 

 


Nga Visar Zhiti

 

 

Vazhdimisht tradhëtohet njeriu,
nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
bëhet mbremje,
as për mbrëmjen e flokëve të tij
që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.

Tradhtohet njeriu
S'e kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
Shndërrohet në barë të kalbur harrese.

Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.

Dhe kur gjysma ha gjysmën
S'bëhet më e tëra,
Më tha një plak që u plak burgjeve.


Fundi si fillim


E kuptove
ç’është...? Ti e dite truall,
por më shumë qënka shpirt.
U përsërit Beteja e Madhe, e dikurshmja,
qëllimet ishin ndryshe aq sa dhe armët,
veç betejat e përditshme janë njëlloj
dhe fryma, fryma, e jotja dhe e gjithçkaje të gjallë,
por dhe e sendeve. Vdekje s’ka.

S’është simboli këtu,
por vetë thelbi me qytetet
si shfletim i historisë,
e cila ka mallkimin të jetë përherë e tashme.
Është emblemë, do të thuash ti, jo, ideal,
akt. Provë e botës. Jo dhe jo! Janë rrugët
më shumë, janë njerëzit shumë më shumë,
ku urrejtja shkrin e bardhë
si bora dhe bari i dashurisë mugëllon kudo
livadheve dhe parqeve
deri dhe te flokët.
Mos e krahasoni hënën me kosën e vdekjes.
Nuk kam frikë nga vdekja,
nga jeta kam më frikë. E ardhmja vjen
prapa shpine. E kuptove?

Është njeriu përgjysmë
në kërkim të gjysmës tjetër, përtej miteve,
qofshin dhe modernë. Po na shikon,
e njohe? Je ti, unë. Është çdo vetvete
krejt e veçantë
në njerëzimin e njëjtë. Që
meriton gjithë qiejt, Perënditë
e së Mirës, (brenda nesh janë, zgjohini!),
ujrat e jetës, shkumba e valëve gjithmone krijon
çudira dashurish,
duam parajsën në tokë, që është gjendja jonë normale,
praruar me diej
dhe drejtësinë duam, të thjeshtë si natyra apo si epitafi
dhe bukuritë që gjithmonë janë hyjnore

deri në Fundin pa Fund.


Skeleti


Njihuni me skeletin tim:

jam unë - pa ëndrrat e mia.

Pastaj më jepni çfarë të doni,

përsëri skelet do të mbetem.

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00