Latest News
* * *
Kur të vdes, të më përcjellin zogjtë si ndër balada, pikëllim qiejsh, shi bilbilash!
Nga Frederik Rreshpja
Në dritaren e avionit
Shoh një palmë në gjunj rrëzë dunave,
mbështjellë me pëlhurën e hijes së vet.
Në qiell retë sajonin Perënditë e Egjyptit;
Këmbehen retë, këmbehen zotat,
kurse ajo rri aty nën enigmën e avioneve.
Ekspozitë
Buzë dhe sy dalë nga puthja.
Skllevër dhe perëndi bashkë, të gjithë te bukur.
Por origjinalet shiten për pesë para.
Vdekja e një lisi
Ecën një lis i vdekur në pyll,
kryqëzuar krahët si një patriark,
krahët që s'kanë për të lulëzuar më.
Kështu vajtonin zogjtë për një lis të prerë.
Kur të vdes, të më përcjellin zogjtë si ndër balada,
pikëllim qiejsh, shi bilbilash!
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment