Home | Literature | Kontinente diellore

Kontinente diellore

image
Nisem dëshirëplot, ëndërrimtar sy-lot, me flatra Pegasiane,
Qiellit të grihosur, në mjegullën Londoniane.

 

 

 

 

Nga Skënder Sherifi

 

 

Brenda rrëshqitjes s’ime, ikjes gjarpërore,
shkrumboj në zgafellë të zemrës diellore,
nuk kruaj tëmthin për çmendjet që kalojnë La Manshin,
Për të ngritur folenë papritur,
në një cep të zemrës tënde tronditur,
Me pupëlorët guximtarë, të fortët shtegtarë,
Nisem dëshirëplot, ëndërrimtar sy-lot, me flatra Pegasiane,
Qiellit të grihosur, në mjegullën Londoniane.

Në aftësinë e zogjve për të kuptuar stinët,
Fluturimin qiellor, merr kuptim divin
Si ëndrrat njerëzore në vajtje-ardhje pa pushim,

Liria është dehje nga jeta, nga psalmet,
Ndijimet tek unë shpërthejnë në lëng gjitarësh,
Që shkatërron harmoninë, travlon varret.

Turbullon hyrjen përvëluese hëna çerekshe,
Jam një terrorist i ndjenjave, i epsheve,
Boshatisni thelbin tim, mbushmëni deri në shterrim....

Oh romantizëm hënësor stisur në shtatzëni,
Rreh e buçet vrulltas në njëmijë-e-një vite vetmi,
Oh-hejës dëshira përvëluese pafund nëpër iknaj’
Shkurrnajave të harlisura skaj-përtej-më-skaj.

Shkretëtirë-pafundësia më thatë-ç’thatëson,
Kam vrull-krisje vullkani që djajtë nga gjumi zgjon,
Jetë-jetës së përtejme, rrugës fatale: “Të dua”
Mund të vish vështrimeve, që ti hedh përmbi mua,
Që të marrësh me qira, ndjenjat e përvëlimit
Mërmërimat edhe gjestet, cepeve të padurimit.
Ka dhe krime, krejtësisht të papranueshme,
Për yjet e blatuara, galaktikave xixëlluese,
Më dërgojnë shenja, faljesh, dhe ringjalljesh...

Varfërorja dashuri, si dëbora fundosur marsit
Mos i kthe netët e mia, - në hone të katarsit!

Një krijesë e kruspullosur, po-po jam o miq të ftuar,
Kam një etje të rrënuar, sa kozmosi se nxë dot,
Asnjë oqean a det nuk më vjen për ta shuar.

Oh demusha çmendurakë, thundroni fushat me lule,
Oh ju buzë drithëruar, kuqaloloshe mjaltë-ofruar,
Aromën plot me jetë, marr lëkurës tënde, parfume.

Ngërthyer orgazmës time në dehje,
Dua të banoj në sytë e tu të kafët,
Duke frymuar ah-et e jetës nëpër bredhje.

Shpirti derdhur brendësisë, kërkëllimë e xhunglës,
Është zjarri i dashurisë, jep dhembjen flugës,
Pikërisht kur qeshja jote, rreh pafund venave t’mia,
Palmi yt shpon thelbin tim, zgjohet batërdia,
Tërmetoset shpirt-krijesa, zemra bën trompetën,
Si në prag të një sëmundje, teksa braktis jetën,
Thirrur nga cirqet e detit, baticave të rrëmetit.
Ja pse ti kam njohur vendet, fijet e sekretit,
Në lartësitë e lindjes tënde, ndrit një rreze përdëllim,
Si një lule burim-rritur, e shtrenjtë për çdo takim.

I përhumbur shpirtësisë, nëpër psalme qetësie,
I hap portat e pafajësisë dhe flatroj,
Për tu ngjitur në sferat e tua të lartësive,
Misteri është kthyer në kredo, si vello mrekullie.
Oh serenata orë-stisjesh dhe hapësirash kurrë’- fluturuar
Oh klithjet e përsosjes ëndërruar gjatë,
Që erërat të kanë sjellë freskut në mesnatë!

 

Pasagjerët e somnabullit

 

Përpara se dita të shpërndritet,
Që nata krejt nanuriset,
Do fanitem në kabinën të avionit,
Fytyrën maskuar akrelionit,
Me identitet të plasaritur,
Ngopur çika-çika horizonteve të murrme,
Me mërzi përgjithësisht të çuditshme,
Me ndryshime kryekëput të sjelljeve,
Përmbi detin e Kostandinopolit,
Për shkatërrimi e Bosforit.
Kontrolloje aparatin tënd, braktis koten,
Derisa sa te kemi puthur thellë mortjen.

Terrorizëm ndjenjash fatale,
Granata fjalosjesh të nxehta,
Kordon kërthizash të bardha,
Urrejtjesh monumentale,
Gjithë kjo frikë mbajtur prej moralit tribal,
Ka për të kaluar furishëm në kronikat,
E tubit të dhjamur anal.

Ç’romantizëm revolucionar,
Negativizëm krejt mortor dalldie,
Fluturim në thyerje qelqesh,
Për një ideal, o për grykësi-pirje,
Një dëshpërim i jashtëligjshëm,
Ç’farë duhet të bëjmë, zoti im i ndritshëm?

Ndërkohë që policët, flotojnë mediave,
Me autoblinda ushtarake,
Ndoshta duhet të mbajmë nga kupat palare,
Të fitojmë luftën e nervave,
Dhëmbëzuar hap pas hapi si minj,
Shumë shpejt do të jemi kallkan,
Nuk ka për të pasur askund kufij.

Somnabull absurd në etje,
Të një jete shkatërruar pa çmim,
Vendosur mbi zjarr, gjak në thëllim ,
Për çmimin e një gazete,
Të një lajmi sensacional,
Një zhurmënaje në TV-internacional,
Pas një riflakje zoti pa kuptim;
Nuk do të ketë drejtësi,
E aq më pak moral.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00