Home | Literature | * * *

* * *

image © Photo: Paul Bamforth
A do të ishte vdekja një majëz të cilën andeja e shtyn në këndejën ? Kaq afër, kaq larg !

 

 

 

 


Përkthyer nga Urim Nerguti

 

 

Vdekja është par excellencë rendi i jashtëzakonshëm. Është më tepër pezullimi i vdekshmërisë në favor të një krijese, është pavdekësia ajo e cila do të ishte çudia e çuditshme, dhe mrekullia e mrekullueshme, mrekulli ku një para-shije të saj na e jep tashmë jetëgjatësia e pleqve… Në të vërtetë, vetë pavdekësia është njëkohësisht e pavërtetueshme dhe racionale, siç dhe vdekja është njëkohësisht e nevojshme dhe e pakuptueshme. Por në ndryshim nga pavdekësia (dhe nga Zoti), vdekja është së pari një qartësi e faktit, një qartësi e dukshme dhe familjare. E megjithatë, kjo qartësi, sa herë që ne e takojmë atë, na duket gjithmonë aq tronditëse ! Nuk ka ndodhur kurrë që një « i vdekshëm » të mos vdesë, t’i përvidhet ligjit të përgjithshëm, të kryejë këtë mrekulli për të jetuar gjithmonë dhe mos u zhdukur kurrë, që jetëgjatësia, duke kapërcyer cakun apo duke shkuar në pambarim, të kthehet përjetësi : sepse absolutja është e një rendi krejt tjetër sesa jeta.

Atëherë, përse vdekja e dikujt është gjithmonë një lloj skandali ? Përse kjo ngjarje kaq normale zgjon tek dëshmitarët e saj aq kureshtje dhe aq tmerr ? Qysh nga koha që ka njerëz, dhe që vdesin, si ka mundësi që i vdekshmi nuk është mësuar akoma me këtë ngjarje natyrore dhe megjithatë gjithmonë aq të papritur ? Përse është ai i habitur çdo herë që zhduket një i gjallë, i habitur njëlloj sikur një ngjarje e tillë të ndodhte për herë të parë ? Dhe në fakt, « çdokush është i pari për të vdekur », siç thotë Ionesco . Banaliteti gjithmonë i ri i çdo vdekje nuk është pa ngjashmëri me risinë tejet të vjetër të dashurisë, me rininë tejet të mplakur të çdo dashurie : dashuria është gjithmonë e re për ata që e jetojnë atë, dhe që shqiptojnë në fakt fjalët njëmijë herë të lodhura të dashurisë njëlloj sikur askush të mos i kishte thënë ato përpara tyre, njëlloj sikur të ishte hera e parë qysh nga lindja e botës që një burrë t’i thoshte fjalë dashurie një gruaje, njëlloj sikur kjo pranverë dhe ky mëngjes të ishin krejt të parët ; i dashuruari është përballë këtij mëngjesi dhe agimi të ri si një qenie e palodhshme përballë një gjëje të pashterrshme. Këtu çdo imitues është një shpikës dhe një fillues, çdo rikrijim një krijim, çdo rifillim një fillim i parë.

Qysh nga koha që ka poetë, dhe që këndojnë, qysh gjejmë akoma për të thënë diçka mbi dashurinë ? E megjithatë, ky është një fakt : secili prej atyre që e provojnë atë ka dëshminë e tij të padëgjuar më parë, përvojën e tij të pangjashme me askënd, ndihmesën e tij origjinale për të sjellur ; ky është një domen ku çdokush është kompetent ! Agathon e kundërshton Phedre që zoti Eros është më i riu ndër zotat, νεώτατος θεῶν ; ngaqë ai është gjithmonë në lindje e sipër, saktëson Diskutimi mbi pasionet e dashurisë, Erosi përfytyrohet nën trajtat e një fëmije. Sado paradoksale që kjo të mund të duket, edhe vdekja, në mënyrën e vet, është gjithmonë e re. Nga këtej vjen kjo përzierje familjariteti dhe çuditshmërie që është shenja e vdekjes : e panjohur më parë, e megjithatë aq familjare saqë më i rëndi ndër njerëzit e ka njohur atë përnjëherë, kuptuar dhe përshendetur sapo që ai e takon atë, - e tillë është kjo natyrshmëri kundër-natyre, kjo mbinatyrë e natyrshme e vdekjes. Lukreci dëshiron të provojë legalitetin qetësues fizik të zhdukjes nga vdekja, dhe ai bën çka mundet për të na bindur për këtë dhe, padyshim gjithashtu, për të bindur veten (sepse ky njeri i pasionuar nuk është ndoshta aq i bindur) : por ai anashkalon, për këtë qëllim, çuditshmërinë e thellë dhe të pathjeshtueshme të një fakti pothuaj po aq të natyrshëm sa dhe rënia e peshave, e megjithatë të mistershëm në thelbin e vet.

Asgjësimi përfundimtar i një personi, a është kjo thjesht një nënshtrim ndaj ligjesh të nuk e di çfarë rëndese metafizike ? Tragjedia e vdekjes vetjake i përgënjeshtron ngushëllimet e atomizmit. Ndërsa Zoti është absolutisht i largët, vdekja është njëkohësisht e largët dhe e afërt. Është padyshim kjo afërsi e skajshme ajo e cila shpjegon tundimin e kandidatit për vetvrasje përpara kupës së helmit : ndërmjet të gjallit dhe sekreteve të mëdha të Përtejës, a nuk do të kishte vetëm një trashësi të tejdukshme të kësaj faqe prej qelqi ? Personazhet e Dostojevskit e kanë pësuar nganjëherë joshjen e kësaj… Një cipë e tejdukshme, thotë Maeterlinck, ndan këndejën dhe andejën : nga njëra anë një këndej e cila është tashmë andej, dhe nga ana tjetër e cipës një andej mezi andej, dhe kaq pak e mëtejshme saqë ajo është tekefundit pothuaj këtu poshtë : një përtej-botë që është një tjetër botë, absolutisht tjetër dhe absolutisht gjetkë (gjetkë sesa këtu, tjetër sesa kjo këtu), dhe megjithatë ngado e pranishme ; e cila është pra, njëlloj si Zoti, e kudondodhur dhe asgjëkundi ; që është nga të dyja anët njëkohësisht, nga kjo anë këndej dhe nga ajo anë andej, έϰεῶ dhe ἐνταῦθα ; që është e tëra e jashtme dhe e brendshme – sepse nuk duhet ndonjë gjë e madhe, një mpiksje gjaku në një venë, një bllokim zemre, për që « atjeja » të jetë përnjëherë « këtu »…

Vdekja është tek dera, e padukshme dhe megjithatë aq fqinje ! A do të ishte vdekja një majëz të cilën andeja e shtyn në këndejën ? Kaq afër, kaq larg ! Në lidhje me këtë organizëm të cënueshëm ku rreziku i vdekjes mund të hyjë në aq e aq mënyra, vdekja është njëkohësisht e huaj dhe vendase. E tërë jeta jonë e varur në tkurrjen dhe zgjerimin e ardhshëm të zemrës, në mrekullinë e vazhduar të çdo sekonde ! E tillë është afërsia e largët që Maeterlinck e ka lënë pezull në Brenda : ndërmjet lajmit kobzi që vjen natën dhe lumturisë së qetë të një familje akoma jo në dijeni të dramës që e ka pllakosur tashmë, ndërmjet mbindërgjegjes së merakosur dhe moskokëçarjes së lumtur, gjendet ky xham dritareje dhe ky kopsht përpara shtëpisë, dhe kjo dendësi terresh.

 


La Mort, Vladimir Jankélévitch (1903-1985).

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00