Home | Literature | * * *

* * *

image
Përjashtimi në favorin tim është një shans dhe një rastësi e lumtur : kush e di ? Ndoshta vdekja do të më harrojë ! Ndoshta një harresë e fatit do të më kursejë ajo provën e fundit ! 

 

 

 

 

Përkthyer nga Urim Nerguti

 


Vdekja është pika e tangencës së misterit metempirik dhe fenomenit natyror ; fenomeni i ndërprerjes së jetës futet tek shkenca, por misteri i mbinatyrshëm i vdekjes thërret në ndihmë fenë. Njeriu herë mban parasysh vetëm ligjin natyror, duke shpërfillur misterin, e herë përgjunjet përpara misterit duke shpërfillur fenomenin. Por kundërshtia e dy optikave lehtëson gjithfarë lloj fshehjesh dhe strukjesh, prodhuese përafrimesh, konvencionesh dhe eufemizmash dhe që ofrohen ndaj nesh për të na siguruar duke mbajtur gjallë keqkuptimet. Një privilegj pa themel, një përjashtim i heshtur po aq sa i pajustifikueshëm në favorin tim kujdesen për fshehjen ndaj vdekjes sime të mirëfilltë. Vdekja, të gjithë e dinë këtë, është diçka që u ndodh vetëm të tjerëve. Le të kujtojmë këtu, edhe një herë, hyrjen e Vdekja e Ivan Iliçit : është një tjetër ai që ka vdekur, falë Zotit ; dhe Piotr Ivanovitch heton me interes mbi rrethanat e kësaj vdekje, njëlloj sikur ajo të ishte fati i keq vetjak i Ivanit, njëlloj sikur vdekja të ishte një aventurë e keqe e rezervuar ndaj tjetrit, njëlloj sikur tekefundit vdekja e dikujt të mos i përkiste atij aspak. Rradha ime do të vijë.

Tani për tani, është vetëm rradha e Pierre, Elvire apo e Zelindës së bukur, që e kam dashur aq shumë. Ligji i vdekshmërisë, që ka të bëjë me njerëzit në përgjithësi, nuk ka të bëjë me mua posaçërisht, dhe jo më shumë sesa filantropi, duke dashur llojin njerëzor në tërësinë e tij, më do mua me një dashuri të veçantë dhe vetjake. Nga ku nxjerrim shpejt e shpejt përfundimin që vdekja nuk ka të bëjë fare me mua. Ai që flet për vdekjen, që ia fillon të filozofojë për vdekjen, ta mendojë atë, ky pra e përjashton veten e tij nga vdekshmëria universale : duke bërë njëlloj sikur (për nevojat e problemit) vdekja nuk do të kishte të bënte fare me të, ai ka harruar shumë shpejt konvencionin e « njëlloj sikur ». Në fakt, ky « përfundim » është më tepër një sofizëm i shpresimit të pasionuar, i përciptësisë dhe i vetëmashtrimit, dhe ai gjen një nxitje të çmendur në papërcaktimin e datës. Ligji i vdekshmërisë aplikohet ndaj të gjitha krijesave, përveç meje… Por të mos thellohemi ! Ose më mirë, mundohuni të mos mendoni këtu tepër fort. Përjashtimi që privilegjon kaq marrëzisht vetën e parë nuk ka asgjë të përbashkët, as me vazhdimësinë e pandërprerë të jetës, as me përjetësinë e thelbit ; as me realitetin kozmologjik, as me të vërtetën racionale ; ai shpreh vetëm këndvështrimin e njëanshëm apo egocentrik të unit !

Përjashtimi në favorin tim është një shans dhe një rastësi e lumtur : kush e di ? Ndoshta vdekja do të më harrojë ! Ndoshta një harresë e fatit do të më kursejë ajo provën e fundit ! Ndoshta ligji i përgjithshëm nuk do të më aplikohet mua ! Dhe ndoshta, deri atëherë, do të jetë shpikur një vaksinë e re, një derman i ri kundër së keqes së mplakjes ! Shpresimi, në këtë pikë, nuk i refuzohet askujt. Në të gjitha rastet, mjafton që një krijesë e vetme, në rastin tonë vetë subjekti, t’i përvidhet universalitetit të vdekjes dhe vdekja, qysh nga ai çast, pushon së qenuri e plotë për tu kthyer pothuaj e plotë ; pothuaj gjithçka ka humbur, por dikush ka shpëtuar : pra gjithçka ka shpëtuar ! Mbijetesa ime e mirëfilltë është kështu minimumi i nevojshëm për të shpëtuar diçka nga hiçi dhe për ta bërë vdekjen ipso facto (rrjedhimisht) një abstraksion të mendueshëm : përjashtimi në favor të vetës së parë mjafton për ta problematizuar vdekjen dhe lejon për ta lidhur atë me koncepte të tjera. Do të ketë të paktën një të mbijetuar për tu vetëdijsuar mbi vdekjen, siç ka nganjëherë në përmbytjet e mëdha një të shpëtuar të vetëm (por ky unik, a nuk është ai një shans mrekullor ?) për tu rrëfyer të tjerëve katastrofën.

 

(Vladimir Jankélévitch)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00