Home | Literature | Kinema “Ali Demi”

Kinema “Ali Demi”

image
Lotojnë ullinjtë e Ali Demit përkthyer në shqip
Edhe fëmijët përlotur; një kor syçkash xixëlluese diku në Ballkan...

 

 

 

Nga Ervin Hatibi

 

 


Hyrje (1)

Ullinjtë nj’aty vërdallë shkërbejnë sheshit
Me bustin e Aliut në mes, një dasëm të heshtur
Greke a libaneze, pa nuse
Një dasëm fotosh
Ullinj llërëpërveshur, shalëshpërvjelur, në mes të qytetit
Faqe fëmijëve të shkollës tetëvjeçare
Muskujplakur-rrënjëkapërthyer asfaltit. Si një grua
E zhveshur në mes të qytetit
Është ulliri në qytet
Dhe nuk të bën përshtypje asnjë ulli në gërxhe
Si nuk bëjnë përshtypje mijëra
Gra të zhveshura në plazh apo ëndërr
1.
Ne jemi në rresht për dy
Fëmijët e shkollës “Mihal Grameno”
Na kanë prurë me përdhunë, mua po
Të shohim filmin “Hoselito”. Me pak fjalë ky
Ishte një djalë i vogël spanjoll, mundësisht jetim
E kështu mallëngjen gjithë Spanjën
Me zërin e vet tenor
-Lotojnë torerot përqafuar me demat, damat
Lotojnë anarkistët
Përqafuar me mbretin dhe mbretëresha…
Lotojnë ullinjtë e Ali Demit përkthyer në shqip
Edhe fëmijët përlotur; një kor syçkash xixëlluese diku në Ballkan
Drita ik’e vje’
E re, nga filmi i vjetër bojëkaf tek ne
Pupthi kërcen si bretkosë nga fytyra
E gjithkujt fëmijë
Ekrani gjoksgjerë, veshur
Me një bluzë atërore pambuku Berati
(Vite e vite para se të bjerë krejtësisht Muri i Berlinit
Si një striptizë zemërtorturuese
Demokratizimi)
Ekrani hap gjoksin na ushqen
Me rropulli drite fytyrash
Si shpagim, fëmijët e dinin
Ishin lajmëruar që më parë nga shteti
Të marrin në shtëpi nga dhjetë lekë të lehta alumini
Që të shpëtojnë nga falimentimi
Kinemanë “Ali Demi”
Dyqind fëmijë e ca, me dhjetëlekshin e lehtë prej alumini
Rreshtuar në stolat e drunjtë si në një tabelë shumëzimi
Në gurrmazët po aq të lagësht të pëllëmbës së djathtë
Mbështjellë relievi dhjetëlekësh i Mathauzenit, (Odhise Paskali)
Partizani me balluke Elvisi
Me pëllëmbën e lagësht i mëshon
Kondakut
Mbi trupin e lodhur (homoseksual) të ushtarit nazist
Që na vjen keq të gjithëve, shtrirë në brinjë
Partizani i dhjetëlekshit, me në bark çokollatën
E pashkrirë angleze, parashutuar nga RAF-i
Ullinjtë shpërndahen në formacion luftimi
Kalamajtë janë të gjithë në këmbë!
Partizanët janë të gjithë në mal!!
Fashistët janë të gjithë poshtë!!!
Nëpër kamiona. Kujdestari i kinemasë rreket të paqëtojë fëmijët që sokëllijnë
Herë-herë dhe partizanët
Kujdestari ndez dritat; pëlhura qetësohet
Krismat vazhdojnë edhe ca
2.
Filmi tjetër mund të ishte vizatimor
Por në fakt është një film i ri shqiptar
Me shumë natyrë dhe pak dashuri
Plepat lyer rishtas me gëlqere, gjyshet e gjithkujt
Gatuajnë byrekë e biskota vere
Pas çdo shtylle fshihen puthje studentore, buzëqesh
Në ikje e sipër policia rrugore
Pas çdo tingulli bëhet gati të na mësyjë utopia
Me brigada të pamata grash të reja inorganike
Veshur me të çelëta- mjelëse, mësuese kujdestare, aktore amatore
Shoqe banke të të gjithëve në shkollën fillore
Një poligami krejt e imja nën neonë të fikur
Dhe “Ali Demi” ende(t) pa krahë jashtë
Nën një bronz të derdhur drejt e nga hëna
Deri sa të bëhet natë
3.
Fëmijë vetmuar në terr si kozmonautë
(I mëshonim karrigeve të padukshme- të vegjël- me këmbët larg nga toka)
Të vegjël
Në ditët e zeza financiare
Dhe kinematografike
Të “Ali Demit”
Kinema e dashur e fëmijve
Të shtetit.

(1) 10 lek të vjetra

"Pasqyra e lendes", ORA, 2004

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00