Në Urën “Bruklin” një mbrëmje
Kam një shpresëzë në zemër, kam një gaz. Do të ndjek thirrjen e tokës, t’i shkoj pas.
Nga Dhimitraq Papando
Ç’siluetë po më fsheh hijen e dytë,
Tretur puthjesh që pa mend e patën lënë?
Buzën qeshur, si në faj, i ktheva sytë
Duke parë lart me kast hënën e ngrënë.
Fërshëlleja stonatura ashtu kot,
Tek largohesha prej urës; s’di se pse?
Keq u mpleksën si më parë edhe sot,
Për çudi, era e lashtë me të re.
Të mbështetur dhe më parë njëqind vjet,
Pas parmakëve jan’ puthur edhe ndarë;
Sipër…qiell e sigurisht poshtë ish det
Dhe midis…ura e lidhur me litarë.
Siluetë është kjo, a zjarr i marrë,
Në një urë keq mbërthyer me litarë?
Dhe bredh Olimpit
Mos më kërko…
dhe më mos eja ti, e marrë!
Jo! Jo, nuk dua tjetër ethe zjarr…rrëmbyer!
Me thonjt’ e mij mespërmes gjoksin kam çarë
Dhe zemrën therur në grusht e mbaj mbërthyer?
Si mjegull vere m’u ronit një breng’ e vluar,
Situr mbi lule plot kristale dritëngrithur.
Grushta me yje mbledh prej natës së nxiruar,
Por as një iskër nuk marr dot nga buz e dridhur.
Mos vallë duhet që të shuaj edhe zjarrin?
Dhe verën e kuqe, mos kërkon ti, që ta derdh?
…Më dredh një temp i krisur si të marrin…
Më jeshilon, më skuq, më zbeh, më zverdh.
Dhe bredh Olimpit…herë Zeus jam, i mjerë,
Herë Dionis i dehur…plot poterë.
Comments (0 posted)
Post your comment