* * *
Secili ishte në vendin e vet, i lirë për një lëvizje të vogël. Shijoja sistemin e renditjes, thjeshtësinë pothuaj teorike të ansamblesë, rendin shoqëror.
Përkthyer nga Urim Nerguti
Ai dashuron, vuan, mërzitet. Të gjithë bëjnë njëlloj. Por në psherëtimë, në rënkimin më të vogël, dua që ai të përziejë rregullat dhe figurat e tërë mendjes së tij.
Para plot dy vjet e tre muajsh ditë më ditë, kam qenë me të në teatër, në një lozhë të huazuar. E kam menduar sot gjithë ditën.
E shoh në këmbë me kolonën e artë të Operas ; bashkë.
Nuk ia hiqte sytë sallës. Merrte frymë ajrin përvëlues, gati në mbytje. I kuq në fytyrë.
Një statujë e stërmadhe vajze në bronz na ndante nga një grup që mërmëriste përtej mrekullimit. Në fund të avullit të nxehtë, shndriste një copëz e zhveshur gruaje, e butë si një gur. Shumë freskore të pavarura jetonin mbi botën e errët dhe të kthjellët, duke shkumuar deri në zjarret lart. Vështrimi im rrokte mijëra figura të vogla, binte mbi një kokë të trishtë, vraponte mbi krahë, mbi njerëzit, dhe në fund digjej.
Secili ishte në vendin e vet, i lirë për një lëvizje të vogël. Shijoja sistemin e renditjes, thjeshtësinë pothuaj teorike të ansamblesë, rendin shoqëror. Kisha ndjesinë e mrekullueshme se gjithçka që merrte frymë në këtë kub do të ndiqte ligjet e tij, rrathë të mëdhenj të ndarë nga njëri-tjetri do të përndizeshin së qeshuri, do të mallëngjeheshin, do të ndjenin gjëra intime, - unike, - shushuritje të fshehta, do të ngriheshin tek e papohueshmja ! Endesha mbi këto kate njerëzish, linjë për linjë, në rreth, me fantazinë për të gjetur idealisht ndërmjet tyre të gjithë ata që kishin të njëjtën sëmundje, apo të njëjtën teori, apo të njëjtin ves… Një muzikë na prekte të gjithëve, vinte duke u rritur, e pastaj bëhej fare e vogël.
Ajo u zhduk. Z. Teste mërmëriste : « Jemi të bukur, jemi të jashtëzakonshëm vetëm për të tjerët ! Ata janë të ngrënë nga të tjerët ! »
Fjala e fundit doli nga heshtja që bente orkestra. Teste mori frymë.
Faqja e tij e përflakur ku frynin vapa dhe ngjyra, shpatullat e tij të gjera, qenia e tij e zezë e skuqur nga ngjyrat, forma e tërë bllokut të tij të veshur, të mbështetur nga kolona e trashë, më ndalën përsëri. Ai nuk humbiste asnjë grimcë nga gjithçka që bëhej e ndjeshme, në çdo çast, në këtë madhështi kuq dhe ar.
E vështrova këtë kafkë e cila njihej me këndet e tavanit të gdhendur, këtë dorë të djathtë që freskohej në hekurat e praruar ; dhe, në hijen e purpurtë, këmbët e mëdha. Nga largësi të sallës, sytë e tij erdhën drejt meje ; goja e tij tha : « Disiplina nuk është e keqe… Ky është një fillim i vogël… »
Nuk dija ç’të përgjigjesha. Me zërin e tij të ulët dhe të shpejtë, tha : « Le të gëzohen dhe të binden ! »
Ai vështroi gjatë një djalë të ri të gjendur përballë nesh, pastaj një zonjë, pastaj një grup të tërë në galeritë e sipërme, - ku në ballkon dukeshin pesë apo gjashtë fytyra përvëluese, - dhe pastaj të gjithë, tërë teatrin, të mbushur plot si qiejt, të zjarrtë, të magjepsur nga skena që ne nuk e shihnim. Marrëzia e të gjithë të tjerëve na thoshte se aty ndodhte diçka çfarëdo sublime. Ne vështronim zbehjen e ditës që bënin të gjitha figurat në sallë. Dhe kur ajo qe fare poshtë, kur drita nuk rrezatoi më, nuk mbeti tjetër veçse xixëllimi i madh i këtyre mijëra figurave. Ndjeva që ky muzg i bënte të plogështa gjitha këto qenie. Vëmendja e tyre dhe errësira në rritje formonin një ekuilibër të vazhdueshëm. Edhe vetë unë isha i vëmendshëm detyrimisht, - ndaj gjithë kësaj vëmendje.
(Paul Valery)
Comments (0 posted)
Post your comment