Home | Literature | * * *

* * *

image
Ju jeni aty. Si njё Perёndeshё e Olimpit, me njё fanitje qё xixёllon nga yjet e rinj tё gjithёsisё, mban nё duar rrufetё. 

 

 

 

 


Nga Artan Mullaj


“Nё moshёn time pёrfytyrimet janё njё gjё e ndaluar: ёshtё e vёshtirё tё marёsh me mend ç’pasoja mund tё sjellё njё rebelim shpirtёror kaq i vonuar. Falё kёtij rebelimi unё jam ulur sot nё tryezen e pluhurosur tё punёs, qё t’ju shqetёsoj me njё guxim tё pafalshёm dhe tё vёrtetё. Ju kam nё mendje si njё drithёrim, si njё flatrim, si njё pёshpёrimё ndjeshmёrie... Ju jeni atje, e pambrojtur akoma nga sulmet e pёrkushtimeve tё mёdha. Unё ju mendoj vazhdimisht, shenjtёrisht, ju prek fshehurisht me ledhatimet e lodhura tё shpirtit, me vonesёn e pafalshme dhe me kundёrshtinё e pafalshme: ky ёshte vetё fataliteti i jetes. Ju gjej atje pёllumbesha ime si njё vegim bardhёsie; i verbuar prej saj, nuk mund tё mos psherёtij pёr shpejtimin e rrotullimeve diellore, pёr kalimin e pabesueshёm tё viteve dhe pёr pllakosjen e tmershme tё pleqёrisё...
Pritja ёshtё aleatja mё e madhe e heshtjes, por ёshtё armikja mё e madhe e qёllimit!
E dini? Ndjesitё e mia i kanё shpёtuar sё fundi durimit. Sot, nё mos janё ato qё duhen tё jenё, nё mos janё marrёzia e mllefit pёr kohёn e humbur tё gabimeve tё mёdha, sё paku janё mirёnjohje pёr trokitjen e fundit tё dashurisё nё shpirtin tim dhe nё zemrёn time tё terrur.
Ju dashuroj! Ju dua po aq sa ёndёrroj tani rininё time plot dashuri. Ju kam nё mendje edhe nё kurthet mё tё pabesa tё kohёs; truri im ka njё mёnyrё tё pulsimit: çdo sekondё luan me fanitjen tuaj .Prandaj, nuk mund ta harroj dot, jo, fytyrёn tuaj aq ёmbёlsisht tё vesuar, sytё e kursyer tё dashurisё sё harruar, lёkurёn e shenjtёruar prej mallit tё hershem pёr pёrkёdhelje tё vёrteta...
 Sot ёshtё njё ditё e vecantё, e heshtur, nga ato qё gjithmonё diçka duan tё tё thonё nё vesh. Jashtё fryn erё me shkulm dhe fillon befas tё fishkёllejё me njё mёnyrё si tё dojё tё tregojё se ajo gjёmon njёlloj si oshёtin stuhija e shpirtit brenda meje. Tё dyja stuhitё pёrputhen, rrezonohen, pёr tu gjetur njё tjetёr kuptim çasteve tё pёrmalluara.
Kam qёnё vazhdimisht i rrёmbyer nga mendime tё trishta. Nё njё pёrpjekje pёr t’u miqёsuar me mallin dhe me tё gjitha mungesat, kam pyetur veten me mijёra herё ç’ke qёnё duke bёrё. Mos po shikoje televizor, apo e shtrirё nё kanape dhe e veshur me pizhama tё lehta lexoje njё libёr?
 E tёrhequr nё qoshe, mos po mendoje si shumica e njerёzve pёr pakuptueshmёrinё e mundishme tё jetёs apo, kushedi, ndersa unё meditoja per ty, dyshoje pёr qartёsinё e kuptimit qё i kanё dhenё njerёzit e sotёm fundit tё pёrfolur tё botёs?
Edhe tashti pyes veten dhe mё djeg dёshira tё marr vesh ç’je duke bёrё. Mendja mё thotё se ke rёnё nё njё heshtje kuptimplotё dёshpёrimesh dhe mua mё erren sytё nga dyshimi se ti ndihesh keq moralisht e zymtohesh. Mё pikon keqardhja qё ёshtё e pamundur tё vё dorё pёr tё tё lehtёsuar, nёse ato ekzistojnё. Ca gjёra , tё mira a tё kёqija, mbeten tё pandryshuara tёrё jetёn. Puna ёshtё a mund tё ndryshosh ti pёrballё tyre qё tё mund t’i shijosh ose qё tё mund t’i durosh. Detyra jonё ёshtё tё mendojmё se sa e nevojshme ёshtё tё shfrytёzosh kalimin e kohёs, ligjet dhe sidomos mbarimin e saj, sepse kjo ёshtё njё ekzistencё nё tё cilёn triumfon ai qё arrin tё kuptojё logjikёn e pulsimit dhe logjikёn e çastit.
Pёllumbesha ime e gjorё! Mё pёrvёlon dёshira tё di nёse nё mbarimet e çasteve tё tua, gjendem ndonjёherё edhe unё me gjithё pleqёrinё time. Do desha tё dija nёse ndjeni vallё atё pёshpёrimёn e dashurisё qё troket nё ditёt mё tё kёqija, nё ditёt mё tё vonuara dhe, a e ndjeni vuajtjen time, gjithashtu, pёrmes ftohtёsisё tuaj pёr tё? Po ёndёrimet e mia jetime, qё ushqehen me thёrmijat e guximit tё turpshёm, mallin dhe brengёn qё tёrё jetёn kam ndjer pёr afrimin tuaj dhe pёr largёsinё gjithashtu? I nuhatni vallё edhe kёto? Apo tё gjitha kalojnё para jush si kalojnё kёrcunjtё e humbur nё njё lumё pas shtrёngate qё shfaqen sa pёr tё hapur sytё; sa pёr tё dёshmuar furtunёn qё ndodh atje larg, nё burimet e ujit dhe sa pёr tё bёrё zhurmёn e ikjes me ujin e turbullt. Kercunjtё zhduken atje tej si tё mos kish patur kurrё stuhi dhe pemё tё shkulura.
E pra, do desha tё dija se si do tё qёnё kёto çaste sikur ta dije se njё stuhi gjaku fryn tashti nё luginёn e zhveshur tё mendimeve tё mia. Njё shkulm frike dhe drite merr atje gjithё ç’gjen pёrpara. Ju jeni aty. Si njё perёndeshё e Olimpit, me njё fanitje qё xixёllon nga yjet e rinj tё gjithёsisё, mban nё duar rrufetё.
A ndjeni vallё nё lavdinё e atjeshme njё kundёrshti ndjeshmёrie qё pёrpiqet tё mё shpёtojё mua nga ngadalsimi i hapave?...
Ah, ç’po bёj kёshtu e ç’dua t’ju them me kёtё gjest e me kёtё letёr shkollari? Qё vuaj pёrditё e qё pёrpiqem me kёto synime tё turbulloj gotёn e vetmisё sime, sepse nuk e duroj dot pastёrtine e lёngut atje? Qё dua tё nё qiejt e shёmtisё sime, si tё jem njё beqar i vetmuar, ku tё guxoj tё ndez ca qirinj ndriçues pёr pabesitё e sё ardhmes? 
E di, e di se atje tej, qёllimi do tё gjejё sёrish njё stinё dimёrore; mospёrfillja juaj do t’i presё drejtimin flladit tё ndjeshmёrisё sime sepse deri tani pёrpjekjet e mia kanё ndeshur tek ti ftohtёsinё. Gjithçka atje ndryshon ashtu si kondesohet avulli nё kapakun e ftohtё tё  tenxheres qё zien mbi prushin e zjartё. Avulli bulёzohet, bulёzat pikojnё sёrish nё tenxhere, nё kthimin e tyre. Avullojnё pёrsёri dhe pёrsёri kthehen nё ujё, dhe kёshtu pambarim: sulme tё kota dhe kthime, energji e harxhuar kot, gjersa prushi tё shuhet...
 Por ç’thonё? Nёn ndriçimin e zbehtё tё qirinjve tё sё ardhmes, ndёrsa unё shoh dimrin e ftohtё tё vёmendjes suaj perpara, njerzit pёrpiqen tё shquajnё njё hije tё frikshme:
Fundi i botes? Ç’trokitje e tmerrshme, pёrzier  me  dashurinё!
Po jo! Unё do tё heq dorё nga kёto fluturime naive si zhgёnjime tё vonesёs sё madhe. Do tё mbushem me frymё, kurse ju  mbani vesh. Pёr fat tё keq nuk do tё vijё fundi i botes, por njё dimmёr i tmerrshёm pёr shpirtin njerёzor. Fund bote, e dashur, nuk do tё ketё! Sepse nuk mjaftojnё veç pёshperimat! Duhet tё afrojnё edhe dashuritё e mёdha. Vetёm ato mund tё shpёrthejnё nё vullkane shpirtin e lodhur njerёzor dhe botёn e tёrё. Atyre u trembem gjer nё pikёn e fundit dhe pres qё edhe ju  tё tmerroheni prej tyre. Por a do tё vijnё ndonjёherё? Nёse ardhja e tyre do tё jetё pa dyshim fundi i pashmangёshёm i botes, ikja e tyre do tё jetё pastaj fundi i tёrё gjithёsisё.
Nuk jam njё 20-vjeçar, por jam mjaft i qetё nё sigurinё time se zemra, kjo fjalё qё s’i shkon mё matufepsjes dhe as mençurisё sime, pikon nё kёto ditё, njёlloj si atёhere trishtimin dinak tё pёrmallimeve tё burgosura. Dhe ndjej njёlloj si atёhere frikёn e dashurisё qё qёndron pёrmbi frikёn e jetёs dhe pёrmbi tmerret e tjerra. Ju dashuroj! Ju pres tё shfaqeni papritur, mes ditёve tё numёruara, si njё shpresё. Dua tё shijoj disiplinёn e pёrfundimit me njё prani tё re e ndoshta tё fundit, tё rrezikut. Kёshtu do tё mund tё guxoj tё pranoj flatrimin e mundёsive! Dua tё lёmoj lakuriqёsinё tuaj me mendime, ashtu si lёmon sot mosnjohja tё vёrtetёn pёr fundin  e botes.
Dua t’ju mendoj vazhdimisht pranё meje, nё njё shtrat ёndёrrimesh nёpёr ditё tё diela pambarim. Ç’do tё ndodhё nё to, dhe a do tё ndodhё, sikur nga dritarja tё bjerё rrezatimi i pikёlluar i hёnёs? A do tё ndodhё bashkimi i trupave tanё?
Dua tё degjoj rёnkimet e  dashurise mes rёnkimeve tё kёnaqёsise suaj dhe dua qё kёto t’i dёgjojnё tё gjithё njerёzit e lirё nё planet.
A mund tё ndodhё paqja mes shёmtisё dhe bukurisё, mes mendimit dhe dёshirёs, mes pleqёrisё dhe rinisё? Ja pra ku fshihet fundi i botёs. Pas kёsaj paqe, bota s’ka ç’tё arrijё dhe rruzulli s’ka mё pse tё vёrtitet rreth Diellit. Pas saj do tё vijё njё bardhёsi e pёrjetshme e shkretёtirёs, nё tё cilёn jeta tokёsore do tё jetё pёrzierё me vdekjen dhe panevojshmёrinё…
Fundi i botёs! Mendimi arrin deri aty. E shpie frika. A ju kujtohen parandjenjat e mia pёr tё? Ua kam thёnё atё tё  dielё tё largёt, ju kujtohet? Njё parandjenjё qё ma shtiu nё shpirt njё i vdekur shumё vite shkuar. Tё dyve mendja na rrinte stje, tek skeleti i zbuluar i priftit, tek eshtrat e bardha, tek historia qё e kish ndarё gabim atё njeri prej kujtesёs dhe vuajtjeve, tek zgavrat e menduara tё  syve, tё kthyera anash.
Ç’qe, pra, ai sinjal prej tё ikuri? Mos duhet besuar se tё  vdekurit i parandjejnё tёrmetet e sё ardhmes mё parё se tё gjallёt dhe shohin pёrpara shumё mё larg se ata?
Kush mund ta thotё? Dёnimi me i madh i njeriut nuk ёshtё jeta siç duan tё thonё, por vetvetja. Nё tё fshihet mjerimi. E pra, befas, kёtё mjerim po na e kёrcenoka fshirja e  pёrjetshme!
Tek e dyshoj, e dashur, jam fare i qetё.Jam kaq i qetё sa tmerrohem prej mungesёs sё frikёs. Mos kjo ёshtё njё shenjё? Apo ёshtё veç njё pllakosje dyshimesh pёr gjithё sa thuhen lart e poshtё nё planet. Unё vёrtet, e dashur, nuk e besoj fundin e botёs, por edhe po ta besoja, edhe po ta pranoja, a ёshtё e mundur kjo ngjarje e vogel tё krijojё pushtet mbi ngjarje kaq tё mёdha, siç ёshtё dashuria. Nё fund tё fundit, a s’duhet menduar se fundi i botёs ёshtё instikti i fundit i vdekjes dhe vetёdija e parё e saj; njё manaxhim i tmerrit tё njohur qё ajo i ka shpёrndarё jetёs pёrsipёr?
A s’ёshtё pёr tё gjithё ne i njohur ky pёrfundim kaq i pashmangshёm? A s’ёshtё mё mirё tё kёnaqemi me fluturimet e mira tё shpirtrave e tё besojmё se nё to ka vёrtet liri tё dobishme? Le tё mos jemi tё lumtur kurrёn e kurrёs! Le tё bёjmё mё mirё dashuri dhe  pastaj tё shohim a do mund tё mendojmё! Le ta sfidojmё fundin e botёs me fundin e orgazmave tona...
 E dashur! Ju mendoj papushim nё tё gjitha ndalimet e  mia. Nё kёto orё tё mbetura, nё vend tё frikёs lozonjare, dua ta shijoj aromёn e dashurisё dhe shijen e pёrfundimit tё saj.
Nuk ka rёndёsi nёse ke frikё. Rёndёsi ka tё miqёsohesh me tё, qё tё mund ta pranosh e ta shfrytezosh per tё duruar jetёn. Dhe durim do tё thotё tё vazhdosh! Aq mё tepёr qё fitorja e njeriut nuk qёndron nё mposhtjen e frikёs, nё shpёtimin e botёs dhe as nё pёrjetёsinё e ёndёrruar, dhe asgjёkund tjetёr, sepse ajo nuk ekziston. Ekziston ngushёllimi dhe ky qёndron nё mbrekullinё e kushtetutёs sё krijimit tё botёs. Atje ndodhet e shkruar si njё ligj e vёrteta e vetme, e fundit: Pёr shpirtin njerёzor do tё ketё njё rini tё pёrhershme!”

 

 

Fragment nga "Varri i Pagёzimit"

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00