Camus dhe Beckett, histori absurdi në shqip
Bëhet fjalë për dy romane, "Rënia" dhe "Malone vdes". Romani "Rënia" është botuar për herë të parë më 1956, vetëm një vit para marrjes së çmimit “Nobel”.
Urim Nerguti
Dy nobeslistë "flasin" shqip. Këto ditë, shtëpia botuese "Tirana Times" ka hedhur në qarkullim dy tituj të rinj, nga dy shkrimtarë nobelistë: Albert Camus (1957) dhe Samuel Beckett (1969). Bëhet fjalë për dy romane, "Rënia" dhe "Malone vdes". Romani "Rënia" është botuar për herë të parë më 1956, vetëm një vit para marrjes së çmimit “Nobel”. Mbase romani më i zymtë i Camus. I ndërtuar në gjashtë kapituj pa numër, ai vë në skenë një gjykatës-pendestar, siç e quan ai, Jean-Baptiste Clamence, i cili ka punuar dikur si avokat. Në fillim, gjithçka flet për të: rini, lavdi, femra. Oratoria e tij bën që të jetë i pari kudo. Të gjithë e adhurojnë, e duan, e dëgjojnë, çdo fjalë e tij është më e drejta, më e sakta, më e pakundërshtueshmja. Mirëpo, e tërë kjo përmbyset një natë kur, duke kaluar përsipër një ure, ai sheh një grua të përkulur pak më tepër se ç’duhet mbi parmak. Lakuriqësia e qafës së gruas është shenja e parë: "… ndaj së cilës qeshë i ndjeshëm…", thotë Clamence. Ç’është e vërteta, ai e ndjen se gruaja gjendet në një dëshpërim aq të thellë sa rënia e saj duket e pashmangshme. Dhe ajo bie. Dhe pikërisht këtu fillon rënia e gjatë, e mundimshme, e avokatit tonë. Rënies fizike të gruas i përgjigjet rënia morale e avokatit. Atëherë ai vendos të shpërngulet në Amsterdam, ku është tërësisht i panjohur. Amsterdami është i njohur për kanalet e tij bashkëqendrore, të prera nga urëzat e vogla të shumta.
Është e qartë se bëhet fjalë, në mënyrë figurative, për rrathët e ferrit të Dantes. Kësaj here, Jean-Baptiste Clamence nuk predikon më sipërfaqësinë e jetës së tij të mëparshme, por lëshohet në një rrëfim të gjatë pendues, i cili, nën mbulojën e qortimit të vetvetes, qorton mbarë njerëzimin. Nga këtu e ka prejardhjen dhe emërtimi që i ka vënë vetes: gjykatës-pendestar. Ndërsa rënia e gruas në ujë, dhe mosbërja asgjë për ta shpëtuar është pikënisja e këtij hulumtimi të vetvetes, kulmi arrin në rrëfimin pa asnjë lëshim të disa veprimeve të turpshme të tij në një kamp përqendrimi, ku ai lë të vdesë një shok të tij për ujë. Në fakt, duke nxjerrë në shesh të gjitha të metat e veta, ai i vë bashkëbiseduesit në një gjendje të vështirë ku gjithsecili është përpara pasqyrës së vet. Avokati kthehet nga një mbrojtës në një akuzues, akuzues i vetvetes por nëpërmjet tij, akuzues i mbarë njerëzimit. Në emrin e tij, Jean-Baptiste Clamence, duhet parë tani Jean le Baptiste (Gjon Pagëzori) i cili vjen të shpallë doktrinën e tij të re, shpallje e cila do të dalë nga mbiemri i tij Clamence (clamer: të shpallësh, të thërrasësh).
Romani është ndërtuar në një mënyrë të veçantë, me pjesëmarrjen (në dukje) të dy personazheve: avokati dhe bashkëbiseduesi i tij i cili na paraqitet vetëm nëpërmjet fjalëve të avokatit, domethënë nga përgjigjet që mund të ketë dhënë ky bashkëbisedues. Por kush është ai? Një njeri çfarëdo i hasur rastësisht në një bar të Amsterdamit, një mik i tij, apo unë, ti, dhe të gjithë ata që e lexojnë këtë rrëfim? Romani i dytë që sapo është hedhur në qarkullim është gjithashtu romani i dytë i trilogjisë beckettiane: "Molloy" (botuar pak muaj më parë nga po e njëjta shtëpi botuese), "Malone vdes", dhe "E Paemërtueshmja". Kjo trilogji është shkruar në vitet 1947-1949 dhe përbën bërthamën e veprës romaneske të Beckett. Njëlloj si dhe “Molloy”, “Malone vdes” është ndërtuar si rrëfim, apo më tepër si lajthitje e një personazhi, që kësaj here nuk quhet më Molloy por Malone.
Megjithatë, disa shenja lënë të nënkuptohet se jemi në të njëjtën rrymë. Malone gjendet diku i shtrirë, në një shtrat me siguri, por që nuk dihet nëse është një burg, një spital, një azil apo tjetër. Dikush vjen të kujdeset për të, por ky dikush është krejt i papërcaktuar, pavetor dhe përkujdesjet e tij janë më se të përgjithshme. Atëherë Malone ndërmerr të na rrëfejë mendimet e tij, të hallakatura ç’është e vërteta, por që gjithsesi na japin njëfarë paraqitje të gjendjes së tij fizike dhe psikologjike. Malone do të vdesë së shpejti. Të paktën kështu e ndjen ai. Dhe kështu merr zotim të na rrëfejë tre histori: për një burrë, për një grua dhe për një send çfarëdo, për shembull një gur. Mirëpo, a do të shkojë gjithçka sipas planit të parashikuar? Padyshim që jo, mendimet këputen në mes të udhës, rreshtat ndërpriten papritur, sintaksa është e zbërthyer, një Macmann që nuk i dihet mosha vjen të futet papritur e papandehur dhe të marrë disa forma njëra pas tjetrës, ku është e pamundur të mos shquajmë ca shenja Molloy. Do të kemi një histori burri, të Sapos pikërisht, të Sapos të ri dhe pastaj tek familja Louis ku ai shkon rregullisht, pastaj Macmanni që përmendëm më lart, pastaj do të kërcejmë tek Lemueli që nuk dihet mirë si e pse, por ai kryen një vrasje. Ku është historia e gruas? Po ajo e gurit? E megjithatë, Malone na i kishte premtuar. Madje dhe listën e sendeve nën zotërimin e tij.
Por gjërat fashiten pa marrë vesh më tej. Vrasja në fund të romanit? E kemi parë tashmë këtë, në romanin tjetër të Beckett, “Udhëtim i mbyllur”, Mercier dhe Camier vrasin një polic, ashtu, thjesht, siç dinë të vrasin personazhet e Beckettit. Tek “Molloy” do të kemi vrasjen e plakut të panjohur në mal. Lemueli do të vrasë një bamirëse të moshuar. Vrasje tipike beckettiane.
Romani i tretë i trilogjisë, “E Paemërtueshmja”, do të vijë gjithashtu në shqip nga po e njëjta shtëpi botuese.
Comments (0 posted)
Post your comment