* * *
Lavdi! Ç'është kjo fjalë nga mbërriti tek unë, si ka dalë ?
Mimoza Ahmeti
I thyer, i errët, i vrertë
qëndroj dritë lëshoj,
mjaltë rrjedh nga vrujet e mija
e thyer në pikën më të dobët
të të mbeturit vetëm
që askujt s’i sjell dëm,
por mua më mbaron
prej dhimbjesh
që kullojnë ëmbëlsi
gjaku të shtypur
në vetmi.
Oh, gjeniale është kjo gjendje
kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur
lumturinë e pafundme ndjej
të qenies sime
që e kam në dorë,
atë,
që s'mund të ma dhurojë
asnjë lavdi, kurorë.
Lavdi! Ç'është kjo fjalë
nga mbërriti tek unë,
si ka dalë ?
(Me siguri ndonjë ambicion i dobët
i panatyrë.)
Kthehem nga kthehem nga natyra mbërrij
qëndroj, dua të gjykoj,
prap tërhiqem.
Kaq i bukur dhe njëhershëm i vdekshëm
njeri.
Kaq i zemërt dhe prap i vetmuar.
Kaq fuqi dhe po aq dyshim
Oh, padyshim,
shtjella inerte rilevon në ikje
çdo absolut relativ papritur.
Vetëm bukuria, ajo ka të drejtë
të pretendojë.
Përse ikni prej meje krijesa reale?
Në një përshkrim të ikshëm e sotmja
në të djeshme ndërroi
aq shpejt sa dot s'e konceptova
(thua ka jetë pa konceptim).
Dëshira uritet për një të nesërme
që nuk është imja.
Përse ikni prej meje krijesa reale?
jetoj një jetë sendesh gjithmonë të paqenë
dhe vetëm vetveten e kam në duar...
Oh, nuk ka lumturi si kjo,
por as pikëllim si ky s'mund të ketë.
Comments (0 posted)
Post your comment