Kam një ëndërr
Lumturia është një zakon, një zakon që mund të përqëndrohet në gjëra kimike ose në qenie njerëzore, kur unë kam me vete pilulat e mia apo miqtë e mi, nuk kam nevojë për asgjë.
Përkthyer nga Urim Nerguti
"Le ta themi menjëherë : jeta, e tillë siç ajo është, nuk është e keqe. Ne kemi përmbushur disa nga ëndrrat tona. Ne mund të fluturojmë, të marrim frymë nën ujë, ne kemi shpikur aparate elektro-shtëpiake dhe kompjuterin. Problemi fillon me trupin e njeriut. Truri për shembull është një organ me një pasuri të madhe dhe njerëzit vdesin pa shfrytëzuar akoma të gjitha mundësitë e tij. Jo ngaqë koka është tepër e trashë por sepse jeta është tepër e shkurtër. Ne mplakemi shpejt dhe zhdukemi. Përse ? Ne nuk e dimë këtë, por edhe nëse do ta dinim ne do të ishim njëlloj të pakënaqur. Është fare e thjeshtë : qeniet njerëzore duan të jetojnë dhe megjithatë ato duhet të vdesin. Nisur nga kjo, dëshira e parë është të qenurit i pavdekshëm. Sigurisht, askush nuk e di me çka ngjan jeta e përjetshme, por ne mund ta imagjinojmë atë.
Në ëndrrën time të jetës së përjetshme nuk ndodh ndonjë gjë e madhe. Ndoshta ngaqë jetoj në një shpellë. Po, më pëlqejnë shpellat, atje bën errët dhe fresk dhe e ndjej veten të sigurtë brenda. Shpesh pyes veten nëse ka patur përparime të qenësishme qysh nga jeta nëpër shpella. Kur unë jam i ulur aty, duke dëgjuar qetësisht zhurmën e detit, i rrethuar nga krijesa miqësore, mendoj mbi atë çka do të doja t’i zhdukja nga kjo botë : mushkonjat, zogjtë grabitqarë, paranë dhe punën. Ndoshta dhe filmat porno dhe besimin në zot. Herë pas here, marr vendim për ta lënë duhanin. Në vend të cigareve, parapëlqej të marr pilula që kanë një efekt nxitës të ngjashëm mbi trurin tim. Veç kësaj, kam një larmi të madhe drogash sintetike dhe secila prej tyre zhvillon ndjeshmërinë time. Atëherë jam i aftë të dëgjoj ultra-tinguj, të shoh rreze ultra-violetë dhe gjëra të tjera që nuk i kuptoj aq mirë.
Kam ndryshuar pak tani, jo vetëm më i ri, trupi im është shndërruar, kam katër këmbë, më pëlqen kjo, mbahem shumë më mirë në këmbë, i kapur fort pas tokës. Edhe kur pi shumë, nuk kam frikë të bie. Në kundërshtim me njeriun primitiv, me kangurin dhe pinguinin, asgjë nuk më trondit aq lehtë. Dhe ka edhe më tepër : nuk kam më nevojë për rroba. Rrobat nuk janë praktike, çfardo qoftë forma e tyre, ato pengojnë frymëmarrjen e lekurës. Lakuriq ndihem më mirë. Më e rëndësishmja është që nuk jam as mashkull as femër – jam një hermafrodit. Më përpara nuk mundja tjetër veçse ta imagjinoja ndijimin e penetrimit, duke mos qenë homoseksual. Tani e kam njëfarë ideje mbi të, është një përvojë themelore që e prisja prej shumë kohësh. Nuk kam më asgjë për të shpresuar. Disa lexues pyesin veten nëse jeta, në shpellën më të bukur dhe me krijesat më të adhurueshme, nuk do të përfundonte së qenuri e mërzitshme pas mijëra vjetësh (madje qindra mijëra vjetësh në rastin tim). Jo, nuk besoj, të paktën jo për mua. Nuk më duket e mërzitshme të përsëris pafundësisht atë çka më pëlqen të bëj, madje do të shkoja hde më larg : lumturia e vërtetë është përsëritja, në rifillimin e përhershëm të së njëjtës gjë, siç në kërcim dhe në muzikë, për shembull Autobahn e Krafwerk. Njëlloj dhe për seksin : kur mbarojmë, neduam të rifillojmë. Lumturia është një zakon, një zakon që mund të përqëndrohet në gjëra kimike ose në qenie njerëzore, kur unë kam me vete pilulat e mia apo miqtë e mi, nuk kam nevojë për asgjë. Mërzia është alternativa e lumturisë, e përditshmja e rëndomtë, produktet e reja, informacionet edhe të paraqitura në mënyrë tërheqëse. E kam gjetur lumturinë në shpellën time, nuk kam asgjë më për të shpresuar, bëj dush kur më do qejfi. Jashtë bën nxehtë dhe shumë dritë, mendoj ndopak për Gjermaninë ku kanë jetuar së bashku njerëz në hapësira të ngushta dhe jam i lumtur që parajsa të mos njohë mbipopullimin. Njerëzit janë të lirë të zgjedhin varrin e tyre, ato i japin makinës aq shpejt sa ato duan.
Hap sytë dhe shoh që ëndrra ime është më tepër sipërfaqësore. Ndez një cigare tjetër, kafshoj pak filtrin, në fakt nuk ka harmoni në univers. Në çaste lumturie, për shembull duke vështruar një pejsazh të bukur, e di përnjëherë që unë nuk bëj pjesë aty, bota më shfaqet si diçka e çuditshme, nuk njoh asnjë qoshe ku të mund të ndihem në shtëpinë time. Zoti, as ai nuk mund ta zgjidhë këtë problem, madje nuk besoj në zot, nuk është e nevojshme, as këtu as në parajsë. Besoj në dashurinë, kjo është e vetmja gjë e vlefshme që ne të zotërojmë, më mirë sesa një program fitness, më mirë sesa sporti. Ndoshta që një ditë ëndrra ime e përjetësisë do të realizohet, do të jem atëherë një krijesë me këmbë, flatra apo tentakula, ndoshta gjetkë. Në kundërshtim me shumicën e njerëzve, nuk kam frikë nga vdekja, duke u mplakur unë rizbuloj rininë time, të harruar qyshkur dhe herë pas here kur gjërat shkojnë keq, mbyllem rehatshëm në punën time. Librat e mi më garantojnë tashmë një formë pavdekësie.
(Michel Houellebecq)
Comments (0 posted)
Post your comment