Home | Literature | Një mbrëmje...

Një mbrëmje...

image
Nga njëri krah, sodisja perëndimin,
Nga tjetri, nëpër rërë, hijen time.

 

 

 

 

Jorgo Bllaci

 

 

Një mbrëmje, për t'u shlodhur, kisha dalë
E po shëtisja bregut me ngadalë.

Nga njëri krah, sodisja perëndimin,
Nga tjetri, nëpër rërë, hijen time.

Ajo u zgjat, u zgjat, e më së fundi,
Me muzgun befas njësh u bë dhe humbi.

Nuk di ç'm'u shkrep një çast e ndala hapat,
Të shija ç'gjurme kisha lënë prapa.

Po kot i hodha sytë nëpër rërë:
Në muzgun gri qe kredhur bregu i tërë.

Plaku i urës

Qëmoti, thonë, te një urë e gurtë
Tre vetë deshën t’iknin nga kjo botë
Por ua kuptoka mendjen një i urtë:
“Ç’e keqe ju ka gjetur?” – vjen u thotë.

Ia kthen m’i riu: “Miken që më deshi,
Një tjetri sot ia shpien me dasmorë…”
“Ja ti shpëtove, - foli plaku e qeshi, -
por kur të marrë vesh ajo e gjorë
Ç’ia gjeti mikun, pika mund t’i bjerë
Nuk t’ardhka pakëz keq?” Ky mbeti shtangur
Dhe në mendime ra një copëz herë,
Pastaj u ngrit e shkoi nga kish ardhur.

I vjen të dytit radha: “Mos më pyet!
Lirinë humba e kot që rroj në botë!” –
Rënkon së thelli, ky pa ngritur kryet.
“Po nuk ke humbur jetën! – plaku i thotë –
Dhe kur ke jetën, ke një lumë gjaku,
Paguaje me çmim të tij lirinë!”
U bind dhe ky nga fjalët që tha plaku
La urën pas e humbi në luginë.

I treti fillikat mbi urë mbeti
Nga pamja e vrarë, dukej më i mjeri
“Po ty, - i flet i urti, - ç’hall të gjeti?”
Ai mezi përgjigjet: “Humba nderin…”
Dhe seç kërkon të shtojë nëpër dhëmbë
Po nuk e lënë drithmat edhe lotët
Ahere plaku merr një gur të rëndë
Ia var në qafë e “Mos e zgjat!” – i thotë
“Mos është i ftohtë uji…” – mërmëriti
tek dridhej tjetri, por nga buza shkau!
Dhe s’tha njeri për të: “I ndrittë shpirti!”
As lumi që e mori nuk e qau.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00