* * *
" Vend i mallkuar, mendoi ai i nxehur paq, e përse djallin duhet të më ndodhte mua kjo histori, mua që sapo kam mbërritur në këtë vend ? "
Përkthyer nga Drita Klosi
...
Hyri aty me hapa të ngadaltë, i përndjekur nga një imazh që i ishte gdhendur thellë gjatë paradites dhe që e shihte si kyçin e tërë çështjes : vështrimet e Slatterit dhe kapterit që ai i kishte kapur, ndërsa ata kundronin kufomën tek këmbët e tyre, vështrime pothuaj histerike që shprehnin zemërim dhe tmerr, nuk i shqiteshin për asnjë çast. U ul dhe çoi dorën te koka e cila dukej gati për të shpërthyer, pastaj u ngrit dhe shkoi të kërkojë në një raft tërë pluhur të kuzhinës, një shishkë farmacie që mbante etiketën « Brandy ». Piu ca gllënjka : gjunjët dhe kofshët e tij kishin zënë të dridheshin, ai ndihej i dobët dhe nuk provonte tjetër, veç neveri për këtë barakë të vogël të frikshme që dukej se mbyllte ndërmjet katër mureve dhe deri në tullat dhe çimentin e saj tërë tmerrin dhe mallkimet e kësaj vrasjeje. Befas, e ndjeu se nuk mund të rrinte aty, jo, asnjë minutë më tepër. Ngriti sytë drejt çatisë prej llamarine që shndriste, e nxehur në përvëlim, dhe iu hodhi një sy orendive të zvenitura, pllakave të dyshemesë : ca tulla të pluhurta të mbuluara me lëkura të grisura kafshësh dhe ai u habit që Dick dhe Mary qenë nënshtruar të jetojnë për kaq vite në një vrimë të tillë. Kasollja e vogël e mbuluar me kashtë ku vetë ai kishte jetuar prapa fermës, ishte sigurisht më pak e mjerë. Si kishin mundur ata të rrinin aty ditë pas dite, muaj pas muaji pa hedhur qoftë dhe një tavan përsipër kokave. Cilitdo do t’i kishte luajtur tepeleku i kokës në një vapë të tillë.
Pastaj, duke u ndjerë disi i trullosur (alkooli kishte vepruar në çast nga vetë kjo temperaturë), ai zuri të mendojë se si dhe kur kishte filluar kjo çështje. Slatteri dhe serxhenti mundoheshin më kot, Tony ishte i bindur se filli duhej ndjekur mjaft lart, me qëllim që të zbuloheshin shkaqet e dramës ; dhe kjo ishte fundja e vetmja gjë që kishte rëndësi. Çfarë lloj krijese ishte Mary Turner përpara mbërritjes së saj në këtë fermë ku varfëria, vapa dhe vetmia ia kishin humbur mendjen pak nga pak… Po vetë Dick Turner, ç’njeri kishte qenë ? Po zezaku ? I mbërritur në këtë pikë të refleksioneve, Tonyt iu desh t’i pohojë vetes se ai ishte i paaftë të përfytyronte ç’mund të ishin mendimet e një zezaku. E kaloi dorën mbi ballë duke u përpjekur dëshpërimisht, dhe për të fundit herë, që të përfytyronte një tablo të plotë e cila t’i mundësonte formimin e një ideje të qartë mbi vrasjen dhe qëmtimin e saj, në njëfarë mënyre nga rrëmuja dhe misteri që e rrethonin ; por nuk ia arriti ; ishte kjo vapë e tmerrshme, dhe kujtimi acarues i qëndrimit të mbajtur nga të dy burrat vazhdonte ta ngacmonte. Po i merreshin mendtë. « Kjo dhomë është një furrë e vërtetë », mendoi ai i nxehur, por duke u ngritur, mundi të vërejë se e kishte të vështirë të mbahej në këmbë – e megjithatë nuk kishte pirë më shumë se dy lugë gjelle Brandy. « Vend i mallkuar, mendoi ai i nxehur paq, e përse djallin duhet të më ndodhte mua kjo histori, mua që sapo kam mbërritur në këtë vend ? Ja ku jam i ngatërruar në këtë çështje të mallkuar aq të vështirë për t’u zbërthyer ; por fundja nuk mund të më detyrojnë të jem gjykatës dhe i betuar, dhe mbi të gjitha, një zot i mëshirshëm ! » Ai doli me një hap të lëkundur dhe u fut në verandë ku natën e kaluar kishte qenë kryer vrasja ; një njollë e kuqërremtë përhapej mbi dysheme, dhe një pellg shiu dukej në ngjyrë të purpurt. Të njëjtët qen të mëdhenj me brinjë të dala të cilët, para pak, shkonin pas hapave të Dick Turner, lëpinin tani cepet e pellgut : u larguan duke u zvarritur kur Tony zuri t’iu bërtasë. Ai u mbështet për muri dhe vështrimi i tij u lëshua mbi « veld » me tone të blerta, të kuqe dhe të kafta, ende shndritëse nga shiu, mbi « kopjes » që dukeshin fare blu, pas shiut. Kishte rënë me litarë gjatë pothuaj gjysmës së natës ; por do të kishim thënë se ai nuk e dëgjonte zukatjen e gjinkallave, u desh që ajo të bëhej fare e afërt, e mprehtë dhe që ta rrethonte nga të gjitha anët dhe atëherë ta dëgjonte, i përhumbur siç ishte në mendime ; por sapo erdhi në vete, kjo kërcitje e mprehtë, e papushueshme, që vinte nga pemët dhe shkurret, ia cingëriti nervat : « Do të iki që këtej, ia bëri ai befas, jam ngopur me këtë histori, dua t’i jap fund. Do të shkoj të ngulitem në një cep tjetër të vendit dhe atje, do të mund t’i laj duart nga kjo histori. Slatterët dhe Denhamët le të veprojnë si të duan, kjo çështje nuk më përket më dhe s’kam asnjë lidhje me të. »
Ai i mblodhi në çast të gjitha plaçkat e tij dhe vajti tek Slatterët për ta njoftuar Charlien se kishte vendosur të ikte. Ky i fundit e priti lajmin me shpërfillje, madje me njëfarë lehtësimi. Ai mendoi se fundja nuk kishin ç’të bënin me një mbikqyrës, aq më tepër që Dick Turner nuk dukej të rikthehej.
Duke filluar nga ajo ditë, ferma e Turnerëve u pushtua nga një pjesë e bagëtive të Charliet ; ato kalonin nëpër toka dhe ngjiteshin deri në majë të kodrinës ku ngrihej shtëpia që kishte mbetur e pabanuar dhe që nuk vonoi gjatë për të rënë në gërmadhë.
Tony u rikthye në qytet dhe shëtiti aty për ca kohë, duke vajtur nëpër bare dhe hotele me shpresën mos gjente një situatë që t’i shkonte përshtat, por ai e kishte humbur moskokëçarjen rinore dhe nuk arrinte të ngulitej. U mor në provë në disa ferma por nuk qëndroi gjatë : zanati i fermerit nuk e tërhiqte më.
...
(Doris Lessing)
Comments (0 posted)
Post your comment