Home | Literature | Vilsoni dhe Genci

Vilsoni dhe Genci

image
“Nuk do ta harroj kurrë atë natë. Patëm marrë urdhër që të mos i qëllonim përnjëherë të dy të dënuarit me vdekje, por vetëm njërin. 

Nga Bedri Çoku



“E tmerrshme! E tmerrshme!”, - bërtiste daja i Genc Lekës, poetit të pushkatuar, teksa kthehej në shtëpi i dërrmuar shpirtërisht. “Ishte i zbehtë dhe gati i vilanosur, kur po ngjiste shkallët e verandës”, - tregon e bija.“Më sillni një gotë ujë”, - kishte thirrur, duke u mbajtur me zor te parmakët e verandës. “I kanë vrarë barbarisht, i kanë masakruar, djemtë tanë, poetët tanë”. “Çfarë thua, more baba?” “Vetëm pasi u qetësua dhe u rehatua në divan, e morëm vesh se pse ishte tronditur aq shumë babai. Ai kishte blerë gazetën, ku gjendej një artikull i Bedri Blloshmit dhe kishte shkuar për ta, lexuar në një stol të lulishtes përpara parlamentit. Aty, përkarshi, ulur ndodheshin edhe dy burra të tjerë, pak a shumë të thyer në moshë. Njëri nga të cilët, pasi kishte parë babain që po mblidhte gazetën e lexuar me artikullin e Bedriut, i qe lutur t’ia jepte edhe atij “për t’i hedhur një sy”.

Ndërkohë, ky, sapo kishte parë titullin e artikullit të vëllait të poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmit, çuditërisht, kishte filluar menjëherë t’i tregonte shokut sesi ishin pushkatuar dy poetët në Përroin e Firarit, në Librazhd. “Kam qenë pushkatar”, - tha ai. “Nuk do ta harroj kurrë atë natë. Patëm marrë urdhër që të mos i qëllonim përnjëherë të dy të dënuarit me vdekje, por vetëm njërin. Në fillim do të qëllonim mbi trupin e Lekës. Nuk e dinim pse. E kuptuam, kur Leka u var mbi krahun e Vilsonit, duke rënkuar nga dhimbjet e mëdha. Çudi, nuk i doli shpirti menjëherë, ndoshta ngaqë plumbat nuk e kishin goditur në zemër. Ai rënkonte, gjithmonë rënkonte, ndërsa komandanti ynë pyeste Vilsonin se, a do të pranonte bashkëpunimin me organet e Sigurimit që të mos e pushkatonim. E kam parasysh edhe tani sesi Vilsoni rrinte gjysmë i përkulur nga pesha e trupit të Lekës, lidhur në dorën e tij dhe kundërshtonte. Ishte shumë kurajoz. Kokëfortë.

Vallahi, nuk e di çdo të ndodhte me mua, sikur të isha në vend të tij, pas krismave të automatikëve dhe rënkimeve të shokut të ngushtë, që klithte vazhdimisht, ndërsa gjaku i dilte çurg nga trupi. Me siguri, unë do të isha dorëzuar. Do të kisha pranuar. Vallahi, jeta qenka e dhimbshme. Sidomos, kur e sheh vdekjen me sy. Unë do të kisha pranuar”. “Po Vilsoni, çfarë tha?”, - pyeti shoku me padurim. “Ndoshta ai s’ishte në vete atë çast, fliste kot më kot. Nuk thoshte gjë tjetër, veç përsëriste: “Jeni të poshtër. Jeni kriminelë. Më mirë i vdekur sesa spiuni juaj. Më mirë pleh për të ushqyer bimët sesa m... juaj. Qëllomëni edhe mua, maskarenj! Ç’prisni? Pse e torturoni Lekën? Që të lemerisem unë? Kot e keni. Ne kemi qenë shokë në këtë jetë që s’po na lini ta jetojmë dhe do të jemi të pandarë në atë tjetrën”. Na çuditi të gjithëve qëndrimi i tij. Pritëm gati njëzet minuta që të ndërronte mendje, por ishte e pamundur. Edhe kur na u dha urdhri, të them të vërtetën na erdhi keq, na u dhimbs, që po ekzekutonim atë djalë aq trim e besnik i shokut të tij.

Madje, e sharruam njëherë në mes, sepse ashtu donte komandanti. Ky i shkoi te koka dhe i tha: “Nuk deshe të jetoje në Paris apo në Nju-Jork, por deshe të vazhdoje jetën tënde me krimbat dhe shokun tënd të pandarë. Rrugë të mbarë!”. Dhe e qëlloi me një plumb në ballë. Atë bëri edhe me Lekën që ende s’i kishte dalë shpirti. Babai, kur dëgjoi këtë histori, u trondit aq shumë sa s’kishte pasur më fuqi për të pyetur e mësuar, qoftë edhe emrin pushkatarit të Gencit e Vilsonit. Vetëm kishte fshirë lotët, ndërsa rrëfimtari ishte larguar qetë-qetë nga lulishtja e parlamentit, ku pak muaj më parë u sanksionuan ligjet për dënimin e krimeve të komunizmit.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00