* * *
Çfarë nuk kanë parë kaushët e Argjiroshkretës. Që nga koha e asaj, që thonë se e bëri kala. Nga koha e Argjirosë. Kushedi sa e bukur do të ketë qenë malulja!
Faik Islami
Kishte ditë, që Ajet Rraku nuk ishte mirë. Gjithë ai gëzim i fitores, i shporrjes së gjermanit të fundit dhe i çlirimit të gjithë Shqipërisë, po i linte vendin ashtu sikurse ia lë drita hijes, një gjëndje gati apatije, veljeje. Jo tamëm veljes, sepse në fillim, i ngjante një boshllëku, një zbrazëtie, pastaj një si përzierjeje dhe më në fund asaj gjendjes së paravjelljes prej ngopjes nga ushqim i përzier. Në fakt ai e mendonte si veçori të organizmit të tij. Si gjëndje të “uxhutit”, si e kishte shprehur plot herë për trupin e vet, kur nuk arrinte të nxirrte një përfundim të saktë. Se kishte shumë të qartë; e kishte vërtetë të uxhutit apo i vinte prej arsyeve të tjera.
- E ç’të gjeti kështu, a i ç’kulur? - i fliste vetes. - Ç’e kam kështu këtë stomak, sikur të kem ngrënë një sheleg të pjekur?! Jo pak, por të gjithin. Me gjithë rrazhda. Sheleg, nga ata të protovjeshtës. Jo! Duhet të kem, i vrari, ndonjë gjë në këtë uxhut, se kështu, nuk e di, nuk e di, po... Sepse m’u thanë këmbët mua, vulëhumburit, e nuk u vara poshtë. Poshtë, a tu thafshin mu në rrëzë! Ja tek e ke doktor Vasilin! Këmbëtharë! - i thoshte vetes. Dhe tundte kokën në mënyrë të pakuptimtë.
Mëngjesin e asaj të shtune, u ngrit prapë herët. E dinte mirë, e kishte dëgjuar nga pleqtë, që gjumi i rregullt ishte treguesi më i mirë i gjendjes së trupit.
- Prapë me ike.. me gra të druve more i lanetisur gjumë? - foli, ndërsa kishte ndezur feksin, sikurse i thoshte llambës dhe pa akrepat e “seqirosofit”, orës që i kishte dhënë i ati, xha Zemani. Në fshatin e tij, ishte keq për dru zjarri.I bënin në Rehovë.Ngriheshin gratë e shkreta që në tre të mëngjezit, sepse do ecnin dy orë larg përvajtje dhe po kaqë kohë të ngarkuara me barrën e druve për tu kthyer.Ndaj kishte mbetur si punë sentense...Ikja e gjumit që me gra të druve...
- Ç’është kështu, o Ajet ziu? Dje në luftë, nuk kishe as kohë as kushte, për një gjumë të rehatshëm. Me mijëra herë i pate thënë vetes: “Kur do të vijë ajo dite që të fle nga akshëmi e deri sa dielli të jetë qepur tre-katër hostenë në qiell! Na, tashti! Ja tek e ke kohën që doje dhe... ja rrove b..... gjumit. Eh! Sa beduva ka i ziu njeri në këtë botë! Sa vujatje i ke dhënë robit, o Zot! Dhe gjumin mangut xhanëm? Njëri e kërkon e lutet, për të bërë rehat-rehat një sy gjumë. Një sy gjumë rehat e s`kërkojnë gjë më tepër. Të tjerë.. nuk kanë mundësi, kohë e nge, as për ta kërkuar gjumin. Se i pret... gjumi i madh. I madhi fare- fare! Kanë në rrezik kokën, jetën, jo shaka! Ah, botë, o botë gënjeshtare! Pse kështu xhanëm? Luftë me të huajt, luftë me të tutë, po dhe me vetveten luftë qënka kjo e shuar jetë, more që i b..... tëmën?
Fliste kështu, ndërsa ishte ngritur më këmbë. Si efekt i ritualit të zakonshëm, kishte rrëmbyer “zhiletin” e tij e po i vinte briskun. Qe rruar nja njëzet herë me atë brisk, por nga që nuk kishte tjetër lamë për t’ia zëvendësuar vazhdonte po me atë. Hodhi në sup një peshqir të trashë anglez, të ashpër nga përdorimi dhe të përvëlyshkur, ngaqë s`kishte kush të përkujdesej për ta futur në finjë.
- Do më bëhesh pëllumb sot more i shkretë! Ëëë? Pëllumb që le mos e nga!. Përc..! Do bëhem o posi! Ndërruar poturet, nga partizan në polic burgu..! Polic..?. Me pozitë, jo shaka! Jo keq. Kam të ha? Birko fare.
- Po ata..? Ata, të shkretë ç’bëjnë atje sipër? Si në hapsanë, qysh tjatër! Tërë natën pa gjumë. Të mavrosurit! E kanë dirë edhe këtë natë si të tjerat. Në pritje... të exhelit! Ah ky exheli! Sa i papërtuar qënëka more Ajet! Nuk përton fare. Rri ai. Pret e nuk mërzitet. As nuk nxiton. Pret ai, se atë urdhër i kanë dhënë. Të ishin të gjithë njerëzit, të papërtuar si ..exheli! Vjen e të gjen ku të jeshë. Vjen vetë apo e dërgon... Ai? Jo! Mua më duket se e thërret vetë njeriu. Hë! Vetë për atë Zot! Për këtë mëndjen time, njeriu e ka në dorë vetë, t`i vijë kur duhet exheli, apo para kohe. T’i vijë kur ka kohën apo kur ja ka hakë koka njeriut?. Eh moj palo jetë! Sa duhet të mendohet njeriu në këtë botë jallane! Në çdo veprim, në çdo hap që hedh, se exheli të rri pas kurrizi. Gati.
Jetën, i madhi Zot, ta ka dhënë ta shijosh, ta jetosh, për mirë e për mirësira. Ama, më parë të ka dhënë mësimin që ta ruash. Ta mbrosh nga e keqja. Nga çdo gjë e keqe. Se nuk paska një, dy apo e shumta tri të këqija, që i rrinë si pusi njeriut në jetë. Paska plot, more i hëngësha tëmën, kësaj viraneje jetë!. Jo ore jo, jeta është e tëra e mbushur me të këqija! Nga cila të ruhet më përpara i ziu njeri? Nga uji, nga zjarri, nga sëmundjet, nga gjarpëri apo... nga Zoti? Jo! Nga të gjitha, por mua sepse më është mbushur mëndja top që njeriu, insani, më përpara duhet të ruhet nga... qeverria. Shih! Nga qeverria thom dhe unë! Zër more gjuhën e mos e zë në gojë qeverrinë, se mund të të dëgjojnë dhe të piu pisua! Po kur nuk ka qeverri? Në haniberdushe(rrëmuja) duhet të mos ruhet robi? Ta hedhë tjatri festen përmbi sy dhe o burra tutje të bëjë ç`ti dojë e treta e qejfit? Jo e shofsh more Ajet!? Jo xhano, jo! Se nuk kish dje qeverri, nuk paska dhe sot, ja e shumta nesër e pasnesër, por vjen një ditë që fap e të fanepsen ca hundëleshër e të thonë: “Na, jemi të qeverrisë....! Do vishë pakë me neve zotrote, se kemi një çikë punë!” Njëçikë punë more...? Fap e të qindisin ca byrzylykë borë të bardhë, por që kanë një dreq zakoni që të tenosin mirë. T’i bëjnë qafat e duarve për të shkuar si përin në vërë të gjilpërës. Ja, si ja bëmë na, të shkretit Bexhet. Të Remziut e të... të gjithëve. U bëfshi lëmsh ju e unë bashkë me ju! Mo jemi të një fshati a mos qofshim të gjithë! Dëgjuat ju?
- Kështu fliste me vete, teksa, pa e kuptuar, po i jepte furçës me shkumë sapuni, tej e këtej faqeve. E ulte shpesh dorën, si t`i qe lodhur shumë dhe stepej duke parë atë masë të bardhë që kishte mbuluar gjithë qimet e furçës.
- Ja! Si kjo është jeta kur lind njeriu. Si bora majë Pusit, majë Leskës a në Konxhamë. Bus e bardhë! Mirëpo pakë rri ashtu e llamsur. Pakë. Mu si cipa e borës, delikate. Se dhe borën, aqë të bardhë, do ti more Ajet që edhe atë e.. ndyjnë, malukletrit, qentë!. Po, po e dhjesin qentë...! Ja që dhe bora prishet nuk është më ajo e para, e porsa rënë prej qielli, që të bën shehadet syri ta shohësh. Nuk mbetet më ashtu e paqme, e bardhë.. Kot i thonë e bardhë si cipë bore. Po more Ajet, po! Edhe jeta si cipa e borës lindet. Edhe ajo, pakë rri ashtu e bardhë, e paqme. Prishet jeta, prishet! Zë e prishet sapo njeriu fillon e flet mirë. Flet mirë thom dhe unë. Flet përçart thuaj. Njërit ia prish një tjatër, si puna e qëne, dëborën. Dikush e prish vetë, ja si ata, të mitë sipër. Ca ashtu e ca kështu, por ja që prishet e shkreta jetë. Ata të mitë, të fshatit tim, ata more që më rrinë tërë natën e natës nëpër mëndje. Se vuajnë atje ku janë. U është prishur zoia, jeta more të shkretëve. Dregjen, të mbyllur me byzylykë në qafa të duarve! Po kush ua prishi atë zoi jete? Vetja thom unë. Ç’patën, ç’deshën që vanë e u bënë me Ballin? More mirë me Ballin, se ashtu e menduan, por pse xhanëm m’u përzien me ata, që na i fitrosi djalli dhe i biri? Me të huajt pse u nakatosën xhanëm? Po këta qysh e gjykuan? Ç`patën që vanë e u bënë bashkë? Ja që nuk kanë gojë të ankohen, se u është prishur zoija, jeta. Se e kanë pëgërë vetë.
E kishte rruar mjekrën dhe po lahej. E teksa hidhet grushtat me ujë fytyrës, ndalej dhe për çdo gjë që prekte, gjente shkak, për të pyetur veten.
- Ja, i mirë është uji. Hem e pi, se ta ka të nevojshme trupi, e hem të lan e të shpëlan. Por, ama, jo çdo gjë e lan uji. Lahen dot me ujë bëmat e atyre sipër? Të gjithëve sa janë aty, në hapsanë? Jo! Nuk e besoj, të jenë të gjithë njësoj. Me të njëjta gjynahe? Pa dale një çikë, se aty ka shumë! Nuk janë përlyer e pëgërë të gjithë njëlloj. Kaushët e kësaj Kalaje, kurrë nuk kanë mbajtur njerëz me faje të njëllojta. Të njëllojtë kanë atë emrin që dhe u prish jetën: Atë që i bën të gjithë fajtorë.!
Çfarë nuk kanë parë kaushët e Argjiroshkretës. Që nga koha e asaj, që thonë se e bëri kala. Nga koha e Argjirosë. Kushedi sa e bukur do të ketë qenë malulja! Të vrafshin, që e vë në dyshim në ka qënë apo jo e bukur princesha jonë. Perri thuaj ! Ku bënte nonjëherë Gjirokatra kreun e burrave... një grua të shëmtuar. Meazallah! Kurrë! Në këtë kala janë futur burra më shumë. Dhe gra besoj, por jo dhe aqë, të shkretat gra. Kot i futën në hapsanë. Vetëm kur u ka ardhur në majë të hundës qeverrive se... kanë bërë nonjë të pabërë. Në këtë kala që kur është bërë me kaushë, ç`nuk ka hyrë e mbajtur brënda. Vjedhës, mynafikër, vrasës, tradhtarë, kriminelë të kallëpeve të ndryshme. Në kohëra të ndryshme i ka patur e mbajtur për arrësye të ndryshme. Kohët ndryshojnë pa njerëzia po ajo është.Herë u ikin mënd e herë u vinë ca më shumë. U vinë mënd atyre që nuk marrën udhën për... në këta kaushët. Atyre po. Mirëpo ja që u ikin atyre të tjerëve. Atyre si këta sipër. E moj botë që dhe vëndet si njerëzit i ke të ndryshëm.!
Erdhi turku e i mbushi me luftëtar lirie. Ëë! Pa dale! Atyre nuk mund t’u thoshje të hyrë aty për fëlliqësira! Jo, Ajet vëllai, - i drejtohej vetes, duke shtrënguar rripin e qillotave italiane.
- Erdhi greku i parë e i mbushi me labër, patriotë. Erdhi Italia e parë e i citosi po me luftëtarë. Edhe me njerëz që bënin fëlliqësira, por pakë fuste nga ata. I duheshin jashtë e jo brënda të tillët. Erdhi Zogu dhe i mbushi me kundërshtarë të tija. Futi, futi goxha dhe për punë të liga. Mirëpo atyre për punë politike, kundra regjimeve, nuk u ngjiteshin gjëra të liga përsipër. Kishin një nur të veçantë edhe brënda kaushëve. Se që nga përjashta, u vinte avazi i këngëve për ta. Erdhi italiani i dytë dhe i bëri dinga kaushët me djem të popullit. Nga ata që nuk u qe mbushur mëndja t`i prisnin me lule italinët e Duçes.
Erdhi dhe Jermani, po si asaj që i thonë. Më mëmë këllyer jermani. Pa le pa le, po na thoshin ca nga këta sipër, “...mos t`i cingrisim jermanët se jo vetëm janë udhëtarë, por jemi një rracë me ta. Lesh! Udhëtarë qenë a mu bëfsha mëmat. Pse nga fshati ynë, shtëpitë tona u prenë udhën që i dogjën e zhuritën tri herë, a mu bëfsha tëmat? Një rracë pa le! Një rracë, një rracë, por asnjë i huaj nuk na e futi më thëllë se jermani.! Siç ta fut yti! Naaa..! Kallame na i bëri, me shtëpira e me katandira. Të bukur rrace i shëmbëllejtë keshëm, a mi bëfsha tëmën!
Ja ku sosëm na tashtinaj, nga ajo nakatosi! Të kemi tanët, të gjakut vërtetë, kundërshtarë...! Dhe na more, se qysh bëjmë kështu!?Aa, jo, Ajet nuri! Nuk i kemi kundërshtarë, këta që kemi futur brënda! Pa dale një çikë! Ta shohëm mirë këtë punë! Na i kemi mbushur me kriminelë, që kanë bërë krime kur nuk kishte shtet. Këtyre po! Këta e kanë hallall, se ia u ka bërë koka e tyre! Në kohën që shkoi. Kur nuk kishim shtetin. Kur nuk kishte fare shtet. Ka patur që tej t’hu e do ketë akoma, njerëz që kohë të tilla përgjojnë. Kohën pa shtet. - foli i sigurtë
- Hë se nuk ka shtet dhe venë e vjedhin. Nisen e vrasin kë u del përpara apo kujt ia vënë syrin. Marrën udhën e ligë e rrjepin të pamundurit, ata që nuk kanë njeri e mbrojtje. Bëjnë të nëntëdhjetë e nëntat, me mendimin që nuk ka kush t’u thotë gjë. Por shteti është aty ku nuk ta sheh syri. I mëshehur, si në hije. Shtet është e drejta, syri e veshi i miletit, i popullit. Shteti është si buka. Kënaqësia më e madhe e njeriut në jetë. Si buka. Tre herë në ditë dhe nuk të veleritet. Qejfet e tjera... një herë, e shumta dy. Ja dhe një për qejf tënd o Ajet trimi dhe aha... Buka jo! Kurrë nuk të veleritet. Kot e ka thënë i pari “të vraftë buka”! Demek të vraftë e mira, e drejta... vehtja! Ajo që të vret nga nuk e pret. Të vret vërtetë buka. Se bereqetin e bën ara, që punon kau e bujku, e bluan mulliri i mullixhiut, e mban thesi e magjia a amvisës dhe më në fund e pjek zjarri. Në të gjitha këto ka duar njerëzish! Sy njerëzish, që i shohin të gjitha. Dhe kur i ligu matet të hajë nga ajo bukë i zihet në guxhumëne! Ja pse njeriu duhet të mendohet, të peshojë veprimet e tija në jetë, se i zihet në guxhumën, tek kjo kokrra që kemi në grykë! Doemos burrat, se gratë se kanë atë kokërr. Çoku, çoku e bëjnë veten dhe të shkretat gra për tu futur burgjeve. Mëne-mëne kjo botë! E që thua ti more Ajet, ja që të vret buka! E këta, të kësaj siraje, ajo më duket se po u vjen haku. Buka!
Këta e kanë hakë kaushin e dënimin. More dhe plumbin, vallahi që hakë e kanë ca të tillë. Po ata, ata të mitë, golëmasit e mi? Dhe ata ashtu të jenë? Të vrarë nga buka more? Nuk e di, nuk e di...
- Si u gdhive, shoku Ajet? - e ndërpreu një i njohur gjirokastrit.
- Si dreqi, ç’të dihem! - ia ktheu Ajeti, pa e kuptuar që tjetrin e bëri të habitej.
- Ç’pate, mo vëdha, unë vetëm të pieta?! - iu kthye ai.
- E jo, a i vrarë, nuk kam gjë me ty. Po ja, sesi jam kështu. Kam disa ditë që nuk bëj gjumë.
- Ua, po piet vëdhain, ti mo! Ta gjen vëdhai ti ilaçin, mo gaz! Ta çkoqit Baçua, ti. Si o më thuash ti? Kodhaj fare! Futi një dopio në darkë, vonë! Dëndi prapa një çaj nga ai i Golëmit, po të fortë ama! Ke për ta parë mo gaz, o flesh si qengj pastaja, - vazhdoi.
Por Ajeti kishte marrë përpjetë, Qafën e Pazarit, për tek kafeja e tij e preferuar, tek “Kurveleshi”.
- Një turke të fortë, Malo! - iu drejtua ai kafexhiut.
- Po folna një herë mo Ajet! Folna mo flori, ç’ke kështu sot? - e pyeti me buzën në gaz kafexhiu Malo.
- Jo more, nuk kam gjë, por më është përzier stomaku.
- O piç një gotë nga rakia e Suhës? Është mjaltë e ëmbël.
- Po bjere një të vogël! - i tha Ajeti që po tymoste cigare me të dredhur.
Duke pirë kafen, shoqëruar me gotën e rakisë, hodhi shikimin në rrugë. Po kalonin njerëz të mbështjellë mirë, me rroba të trasha. Disa kishin hedhur edhe shalle rreth qafës.
- Bën shumë ftohtë! - mendoi. - Po ata të shkretët! Tërë natën duke kërcitur dhëmbët. More, mirë ata, ordinerët, se për ata nuk më bëhet vonë, por këta, këta tanët, bashkëfshatarët e mi, golëmasit. Asnjeri për vjedhje, rrjepje e të këqija, që quhen fëlliqësi. Po pse more, pse këta? Kundërshtarë! Pse kanë qënë me Ballin? Jo, për atë Zot, nuk po e marr vesh! Se ata, nuk është se kishin ndonjë marrëveshje me ne dhe na dollën llafi, na e shkelën. Ata kishin mendimin e tyre, idenë e tyre dhe rrugën e tyre. Nuk u doli e mira e tyrja? Mirë, po nuk ka pse të vazhdojmë t’i quajmë kundërshtarë, armiq. Tek e fundit, të gjitha luftërat kane filluar me dyfek, por kanë përfunduar me kalem, në tavolina. Me të marrë vesh. Nuk e di po kështu më duket mua. Mos ma merr njeri për keq xhano, se nuk e kam me të keq. Thom se më duket se.... nuk ka fund e keqja. Urrejtja hyn thellë. Thellohet si ajo plaga kur i heq gjithnjë dregëzën. Nuk shërohet ajo plagë. Mbetet plagë e pambyllur. Mbetet për atë Zot! Po ku filloi kjo dreq plage, ku? Në Mukje? Djalli e marrtë si e mori, o! Se ku vatën e ma gjetën atë dreq fshati me këtë palo emër. Mukje! Mu sikur i thonë mykje! Aty krisi dhe mori të çarën. U thellua dreqi se eci poshtë e më poshtë. Mbeti muhabet i mykur ai i “Mukjes”!
E kishte pirë kafenë e rakinë, kishte dalë në sokak. Hodhi këmëbët, për lartë, nga “Qafa e Pazarit” dhe mori përpjetë kadërdhëmin, siç i thoshin gjirokastritët. Nuk fliste me zë, por bisedën me vetveten e vazhdoi. E kishte të gjithën me kundërshtimin. Kundërshtimin e qënies me mendimin.
- - “Se ja, - i thoshte mëndjes së vet. - i kemi futur brenda plot nga këta, të krahut tjetër.. Të gjithë nuk i njoh, por të mitë po.
- Kam të Mustafare, të Rroshe, të Alike. I njoh të gjithë. Kemi luajtur dokthi kur jeshëm fëmijë.Vëllezër, ç`e pyet! Kur i vajta Shefqetit të Mustafare, në Vlorë, ku kish një copë dyqan. Aty e gjeta. Mora ca gjëra që më kish porsitur mëma. Sa desha t’ia paguaja, nuk më la. “Ik, a i vrarë, më tha, kur desha t’i japja paratë. E ç’thua a i shkretë, ku të shpie mushka, mo jemi vëllezër.! Mua shyqyr që me shkeli në dyqan një i golëmas. Jemi një gjak a i ç’kulur.. Qysh kështu! Jemi gjak e të pandarë me njëri-tjetrin.” Ja kështu më tha. Ndërsa sot ai dergjet në atë vërën, sterrë pa asnjë feks, as një kandile. Dhe unë, vëllai i tij, Ajeti i Zemanit, i golëmasi që jemi rritur bashkë, nuk kam mundësi t’i jap asnjë cigare. Ç’të bëj? Nuk dua?Ah!
Ajo Mukja! Ajo na ndau. Jo se na ndau ajo, se na ndanë mënd e më të parëve, pa... Jo, jo! Do na kenë ndarë huqet, por edhe interesat. Po nuk më fle mendja që edhe ajo “Bubuzhina” e vjetër Ingliz k.... dhe ajo nuk është pa gjë në këtë gjellë. Nuk rri ajo pa njomur gishtin! Pa hedhur magarën e saj. Magare e madhe kjo, o Ajet... Kush e di deri ku do vejë të prishurit e saj! Dhe këta kokëqetë tanë vanë e i besuan. Hyri dreqi e na bëri palo çoparkë. Ca andej e ca këtej. Ca të mirë e ca të ligj. Jo mor` vëlla! Nuk di të flas për të tjerët, por golëmas të ligj nuk ka. Nuk ka pasur as dje dhe as sot. As bej e as aga, as tradhtarë as trutharë. Ka patur vetëm djem vendi. Birinxhi, të gjithë. Po ç’e do! Ja tek janë. Në kaush. Dhe mua, vëllait të tyre, partizanit të djeshëm, kapos së skuadrës së gardianëve, më duhet t’u vë tytën e pushkës! T’i lidh këmbë e duar! Le që edhe mund të më japin urdhër... tu këput nonjë koqe... Mos o Zot! Mbama dorën, se më mirë të vdes se të tërheq zemberekun, kundër vëllezërve të mi. Kundër të golëmasve. Meazallah! Jo, vetëm këtë jo! Jo vetëm që i kam të mitë, por unë as nuk kam bindjen që duhen dënuar, pa le dhe t’u marrë jetën pushka e shtetit. Dhe si pra... me gjishtin tim..! Me dorën time. Më mirë të të thahet kjo dorë, Ajet! E pse duhen vrarë? Se nuk qenë në një mendje me mua?! Jo more xhani i vëllait! Jo! - i shpëtoi një ton i lartë i zërit, ndërsa ngjiste kadërdhëmin, në të hyrë të portës së madhe të Kalasë.
- Ah moj hallemadhja kala! Ky kadërdhëm, si i thonë këta të Gjirokastrës time, nis që nga “Sokaku i të marrëve” për tek “sokaku” i këtyre që duam tu marrëm jetën! Na, të shtetit xhedit të ri! - sikur i foli asaj faqes, thikë sipër tij. - Sa ke për të folë ti, po të keshe gojë! Po ti hesht. Hesht e mban brenda këtij barku lubi vetëm dhembje, lot dhe vuajtjet e të gjallëve. Mba dhe lemerinë, kur i kërrejnë natën e i... prishin! Mirë në të shkuarat, po sot? Sot, me shtet, me fitore, me liri! Me gaz, që ia arritëm kësaj dite! Pak është kjo? Po sa mirë do qe, të mblidheshim, të qeshnim e të këndonim, t’ia merrnim këngës ashtu vënçe, me iso! Të tundej dheu prej valleve, që ato meset e nuseve e grave tona, të unjeshin gjer rrafsh me sheshin. Të gjithë si vëllezër! Pse ca të këndojmë e ca të vuajmë? Vëllezëri është kjo? Kjo është vëllezëri me gjishtat në b.... Mua, liria më është shfaqur në ëndërr si dasmë, për të gjithë! Tashti po e nisim duke... ia hequr shoqi-shoqit. Jo! Nuk më duket e drejtë! Se ja, unë nisem nga sa e si i zgjidhnin të parët tanë, golëmasit e parë, mosmarrëveshjet, ndarjet, grindjet. More dhe hasmëritë, gjaksitë. Me pleqësim, me falje.
Pse ka dalë falja? Ky llaf, pse të ketë dalë? Ma thotë dot njeri? Ma thua dot more komisar? Nuk ma thua dot. Lëre ahere se ta thom unë. Ka dalë, që më dalçin sytë mua, që të besoj tyja, për të gjitha sa më ke thënë e më thua, për të shuar të keqen, për të mbyllyr plagët.! Të dalçin dhe tyja, që i beson vërtetë ata që t’i thonë ato fjalë, të na i thuash neve! Falja ka dalë që të mos ketë njërëz të dënuar. Falja u jep mundësi të gabuarve a fajtorëve, të vetkorrigjojnë fajet e tyre. Po i vrave, ku do të korrigjohen? Ku? Në atë jetë?!
Ku rregullohet ajo jetë, po nuk u rregulluan gjërat këtu! Ja, këtu unë nuk shoh sahatin e hajrit. Ata bënë ato që bën e ju bëftë mu në grykë kush ka bërë të liga! Por ama kush ka bërë krime, ta pësojë! Ashtu posi! Jo pse ishin me Ballin e me... bishtin. Jo! Këtu unë nuk jam dakord! Ne kemi nevojë të pushojmë, të marrim frymë e të vëllazërohemi. Mjaft! Mjaft na kanë ndarë, mjaft na kanë vrarë! Nuk ka pse t’ia heqim edhe shoqi-shoqit! Përse? Për politikën, për atë që nuk kemi qënë në një mendje? Jo! Se dhe nëpër shtëpira, edhe vëllezërit, more dhe me babën e mëmën nuk kemi qënë gjithnjë në një mendje? Por nuk vritemi e pritemi se nuk jemi në një mëndje. Mëndjet janë si mëndjet. Të ndryshme a u q.... udhën! Jo të ndahemi deri sa t’ia heqim shoqi-shoqit. Ajo shtëpi vate! Nuk bën kurrë prokopi. Ja, kjo më shqetëson mua. Kjo më dhëmb. Hajri i shtëpisë së të gjithëve. Hajri i të gjithë vendit. Nuk do na vejë mbarë kjo që po bëjmë, se kemi fuqinë në dorë, jo! Mjaft plagë ka ky i shkretuar vend. Të mos hapim me duart tona plagë të reja. Plagë që nuk mbyllen, jo më për këtë brez, por as për atë që vjen...!
Ndenji pak para portës së madhe dhe hodhi shikimin tutje deri në Shëndriadhë. Ju duk i vjetër e i rrjepur ai shullëri karshi. Sikur dhe dheu ishte djegur.
- E shkretuar dhe kalaja! - mendoi. I vërviti sytë edhe më lartë, deri në Çajup. I lartë Çajupi e për mbi të e kërreu atë burrë që i dha emrin e vet.
- Ah si mi ka qarë ato këngët me vaje ai burrë! Çajupi i shkretë ! Për këtë kohën e sotme ta keshëm! - foli me zë. Pastaj i vari sytë anash, vargmalit për më tutje, deri në Mezhgoran. - Ah more Hasim trimi! Të të keshëm sot, se dhe ti mbase si unë do mendoje. Do jeshe në një medje me mua, vallë more? Ku i dihet! Po s’të la vdekja ty, joo! - I rrotulloi sytë majtas, për nga Mali i Gjerë. Në fillim të tij, në krye, ku ai e njihte mirë vëndin, ishte Cepua.
“Në Cepo tek Manastiri, sokëllin Sulo Beqiri...”, ia mori si me logatje asaj këngës që ishte kënduar në kohën e grekut të parë.
- Ja, ajo grykë të shpie lartë te Gryka e Kolonjës. Pastaj mu në fshat, në Golëm vete. Në fshatin tim dhe të këtyre që dergjen këtu. Pas kësaj dere tërë qedere - foli të fundit fjalë dhe hyri brënda...
- Hej, dynja, dynja! Ja erdha unë në detyrë sot. Unë, Ajet partizani. Nisa punën, domozdo! Do firmos tek ai defteri që sot... unë kapter Ajet Rraku, ditë e shtunë 23 shkurt 1945, mora në dorëzim... vëllezërit. Jo, nuk thuhet ashtu në atë mullallëk katërshoresh! Thuhet, që u thafsha unë me gjithë ata që janë tharë tërë natën e natës,... mora në dorëzim... të burgosurit Shefqet e Merqes Mustafai, Hariz Mëma, Bajon e Baje, kushëririn e parë, Fuzen, që qe në repartin partizan si dhe unë!. A le dha le! Të bukur të shkruar do bëj, a mu bëftë! Do firmos që mora në dorëzim të... burgosurin Hariz Lazo, babanë e tre djemve partizanë. Që të tre mu në brigadën e parë..! Do firmos, pika firmës time, për Bazen e Hamze, ajkën e Hamze, Lluqon, si ja kishin vënë atë emrin e dytë. Ashtu u kanë patur folë të gjithë djemurive në fshatrat tona. Atë djalën që kishte bërë goxha shkollë. Apo nuk i fliste ato gjuhët e huaja! Djalë e i derës më bujare të Golemit! Ja përse do hedh firmën, që më hedhshin valët e detit tej e përkëtej! Dhe pastaj do jap urdhër t’i kërrej pesë minuta në paidosë..!(dalja për ajër e të burgosurve). Doemos, unë zëmërgjëri, do hap derën, do fut pakë kokën në kaushët e tyre e do tu jap sihariqin e madh. Do tu them: “Dilnin ju tashti more, se u erdhi sahati i mbarë! Do tu kërrejmë në paidosë...të merrni frymë! Do bëni qejf që do të delni apo jo?” Të delni ju e... mua të më dalën të dy sytë, që më ra hasua të bëj këtë që më kanë vënë të bëj. Si ma ka dhe emrin! Me dosë pas... dose, marrja e disa kaçupeve me frymë, nga ata të shkretë! Pa le në pastë ardhur ndonjë urdhër tjetër!... Jo!
- Mirëmëngjes, kapter Ajeti! - e përshëndeti roja që hapi portën, - Qysh mu gdhive?
- Mirë po ti, si u dive Selman! - ia ktheu rojes, pa e ngritur kokën.
- Ç’kemi! - e pyeti pastaj si me frikë.
- Asgjë - ia ktheu roja dhe kërciti shulin duke mbyllur derën. Ajeti u dha këmbëve tutje, për nga korridori i gjatë i qelive, por nuk mundi të ecte edhe më. Ju prenë gjunjët. U kthye djathtas, për nga komanda.
- E ç’dreq dua atë hëna? - pyeti veten.
- Jo ore? Po rri në këtë potom, se po të më kërkojnë, më gjejnë. Le që përse do të më duan apo për të më rritur gradën!
Po dale, more ta marr më mirë vesh unë. Këta rrasën të gjithë njësoj, brenda, si ballistin, si kriminelin. Njëlloj me ta edhe pasunarin. Po këta pse? “Ky vendi ynë nuk ka pasunarë”, na tha komisar Alushi, në atë orën e politikës. Mirë, po pa pasuri ku do t’i gjejmë lugët e floririt, kur të hamë? Se ashtu sikur na kanë thënë. Do hamë me lugë floriri? Njerëzit, tërë punën e luftën për pasuri e kanë bërë. Dhe masumi, sapo del nga barku i mëmës qan se do të pijë vetë, jo për ndonjë malum tjetër. Po gishtat e dorës, pse mbyllen nga vetja dhe nuk mbyllen nga tjatri? Jo! Jo! Ca gjëra si marr vesh fare. Ja, p.sh, babai im, Zemani, kur thoshte se kishte dëshirë ta bënte stanin sa të Nesim Bedos, ia niste i shkreti: “Do ta bëj punën që hum arapi, për qenin, bymp këmbora e deshve,... phu Nesimi nga “Valet e Gjeshnikoshi”! Vërtet e thoshte me shaka, por brenda kishte dëshirën. Nuk e di, nuk e di! S’i jap dot dum, por Zoti bëftë punë! Ama, gjak, kurrë nuk duhet derdhur dhe mbi pasunarët sepse... janë të pasur. Le që është gjak vëllai.
- Komandanti i skuadrës së parë, shoku Ajet Rraku, të paraqitet - u dëgjua zëri si tel i sertë i komandantit të kompanisë, Xhevdet Becit, nga Nivica e Kurveleshit.
- Urdhëroni, shoku komandant! - iu përgjigj, Ajeti duke marrë qëndrim gatitu.
- Bëje gati skuadrën, se ka ardhur urdhri nga Tirana, për t’i përcjellë ata tre golëmasit! Për atje more ku e di unë e ku e merr me mëndje dhe ti... Bëji gati të dy vëllezërit e Mustafare dhe Hariz Mëmën...! - e urdhëroi komandanti.
- Qysh, qysh? Qysh më the more? T`i bëj gati... për? Hë, sikterr! - iu hakërrua i ndërkryer Ajeti.
- I ke berë ditët ti, të vësh golëmasit të vrasin golëmas, more?
Sytë e tij u zmadhuan, u skuqën si të një kafshe të tërbuar. Instiktivisht dora ju var tek koburja. Gryka edhe e lodhur nga tërë ai monolog, iu tha. I ndodhi ashtu siç e kishte parandier. Për orë të tëra këto kishte torrovitur nëpër mend, për të mos i ndodhur ajo që i ndodhi. Dridhej si purtekë.
- Njeriu i shkretë mendohet ta largojë atë që ka frikë se do t’i ndodhë! Dhe, ja, që më ndodhi! - arriti të belbëzonte të fundit.
Deri në këtë pikë ai vetëm kishte folur me vete, por kur i ndodhi, shpërtheu. Dhe shpërtheu duke i folur eprorit të tij një fjalë, një kundërshtim që kurrë nuk do ta kishte shkuar as ndër mend, pa le ta thoshte vërtet. Ai njeri i sjellshëm e engjëllor, shprazi tërë tërbimin me vetëm dy fjalë. Aq i madh kishte qënë afshi i brengës, nga ato mendime dhe ajo dhimbje që i dha ai monolog i gjatë. Shpërtheu ndaj eprorit që e donte shumë. Dhe iu duk se u lehtësua.
Dhe ai, Xhevdeti, komandanti i tij, heshti. Nuk u fye, sepse edhe ai lab ishte dhe traditën e njihte mirë. Nga thellësia e shpirtit ishte me Ajetin, por detyra ia donte ta shpinte në vend urdhrin. Pasi e shpuri në vend urdhrin, për netë të tëra edhe ai vetë nuk kishte më gjumë.
- Pse kështu? - fliste shpesh me vehten dhe instinktivisht i dilnin shumë pyetje.
(Marrë nga vëllimi “Rruga Gjer Tek Kthesa”)
Comments (0 posted)
Post your comment