Home | Literature | Djaj të lumtur

Djaj të lumtur

image
Në jakën e xhaketës së tij ndrisnin si të qëndisura me fije ari tri shkronja të mëdha, të ndara me pikë njëra nga tjetra: O. F. M.

 

 

 


Bahri Myftari

 

Grupi i burrave që do të pushkatohej ishte mbështetur pas murrit rrethues. Edhe moti me shiun e imët e të mërzitshëm, ku syri nuk shihte veçse një gri të murrme, dukej sikur merrte pjesë në këtë skenë të neveritshme. Herë pas here një patrullë naziste kalonte para këtij grupi duke rrahur plot tërsëllimë pllakat dhe ajrin. Burrat që ishin “taksur” për t’u pushkatuar, vërtet, burra ishin, por pritja e gjatë, koha e mërzitshme dhe ato hapa luftarake të patrullës dukej se po i s’qullnin dhe po i ligështonin. Po ç’i kishte çuar në atë pikë? Një akuzë sa pa vend e sa e pa drejtë, aq edhe e pamundur për ta pranuar.
Njëri mes këtyre burrave, se kush ishte duhej ta gjenin ata, pati qëlluar mbi një togë ushtarësh gjermanë. Një e qëlluar, por ama kishte bërë dy dëme: jo vetëm kishte rrezikuar jetën e ushtarëve, por ajo që ishte më e rëndë, pati shkelur marrëveshjen mes dy shteteve, e firmosur nga kryeministri i vendit dhe Fyhreri vetë. Në këtë marrëveshje shkruhej e zeza mbi të bardhë: forcat gjermane nuk do të sulmoheshin, pasi ato dhe bashkëkombësit e tyre nuk i konsideronin shqiptarët armiq. Raca e tyre ariane, siç predikonte ideologjia naziste, ishte një vlerë tepër e respektuar. Mirëpo, askush nga këta burra nuk guxonte te vinte gishtin mbi atë që kishte qëlluar.
Njëri prej tyre, djalë me llërë përveshur e me një mjekër të bukur e të zezë, kur e kish pyetur komandanti nazist, i kishte thënë:
- Unë jam bari... për mua rëndësi kanë fushat, livadhet, pyjet dhe tufa e madhe e dhenve...
Vërtet, ai ishte bari dhe, si i tillë, nuk e kishte shokun në atë krahinë... si bari, veç fyellit, kërrabës dhe një biçaku në brez, atij nuk i duhej gjë tjetër në këtë botë.
Tjetri, në krah të këtij djali, ishte një burrë i thyer, me kapele republike, një shenjë e mbetur prej kohës kur pati punuar si minator në Lion të Francës. Tashmë e njihte e gjithë zona si të vetmin mullis që kishin.
- Në ka ndonjë gjë që nuk më duhet, kjo është lufta! – kështu iu përgjigj ai pyetjes që i bënë.
Dy të tjerët ishin djemtë e kryeplakut. Njëri prej tyre, ai, më i madhi, kur e pa se komandanti nazist vazhdonte me të tijën, iu lut:
- Mirë mua po më mbani, po të paktën ma lëshoni vëllain e vogël.
Ndërsa çalamani, që rrinte disi i veçuar nga të tjerët, njihej prej të gjithëve si i roitur. Ai pati shërbyer dikur në kishën e Shën Markut. Për fat të tij, gjermani e kuptoi shpejt që ai qyqar kishte rrjedhur, se ndryshe do t’i kishte këputur një plumb kokës. Më i riu mes grupit, zor t’i kishte mbushur të 18 vjetët, ishte një bardhosh, pra, më tepër se një biond: edhe vetullat edhe flokët i kishte të bardha, fytyrën si qumësht dhe, nëse do t’i vishje një uniformë si ajo e ushtarëve të patrullës naziste, me siguri, do t’u shëmbëllente shumicës së tyre.
Komanda gjermane ndodhej në hyrje të krahinës, por lajmi i tragjedisë, që mund të ndodhte nga momenti në moment me grupin e burrave të kapur prej tyre, kishte fluturuar tej grykave të maleve.
Me ta marrë vesh lajmin njerëzit u alarmuan. Më të rëndë e patën sidomos ata të cilët kishin njerëz të tyre atje, mbështetur pas murit, gati për t’u pushkatuar. Pikërisht ata qenë të parët që zunë të vrasin mendjen se si e qysh të mbyllej kjo fatkeqësi. Ku të trokisnin? Te kryeplaku ishte e kotë. Ai e kishte më zi, më rëndë se të tjerët; të dy djemtë e tij ndodheshin së bashku me ata që mund ta paguanin me kokë.
- E gjeta! Te Zef Bilali të shkojmë, - tha njëri, me besimin se veç komisarit të policisë askush s’mund t’i ndihmonte.
- Mirë e ke, - u hodh një tjetër, - po ku ta gjesh Zefin se? Ai i mbathi matanë detit me fashistët me të kapitulluar ata.
Kështu vazhduan të mendonin derisa dikush u kujtua se në grupin që do të pushkatohej qenkësh edhe a i bardhoshi, një 18- vjeçar nga lagjja e sipërme.
- Bardhoshi është gjiton me at Shkrelin... ai e njeh djaloshin dhe e di fort mirë që është jetim...Imzot Shkreli si njeri i ditur dhe i nderuar në anët tona, duhet të bëjë diçka për farën e atij fisi.
- Nëse atë e grijnë plumbat, tërë fisi i tij bëhet hi e baltë!... - e forcoi një tjetër idenë e të parit.
Kaq u desh dhe, sikur t’i kish ndjekur njeri pas, të gjithë nxituan për në kishën e Shën Markut. Me ta edhe kryeplaku. At Shkreli, që u doli përpara, nuk po merrte vesh se ç’i thoshin, ngaqë flisnin të gjithë bashkë. Ai kërkoi urtësi, kërkoi radhë në të folur, po kush ia vinte veshin. Atëherë ndërhyri kryeplaku. Pasi e dëgjoi, prifti bëri mënjanë bashkë me të.
- Komshiu im, ai biondi, është nga ata të çetës, është partizan...
- Djalli me brirë nuk qenka?! – mallkoi kryeplaku.
- Ai mund të ketë qëlluar mbi gjermanët dhe... – at Shkreli s’e mbaroi dot fjalën se e ndërpreu kryeplaku:
- Vraftë veten, po ç’ faj kanë fëmijët tanë se?!
Nuk e zgjatën më... prifti para, kryeplaku pas dhe të tjerët me radhë morën rrugën për te komanda gjermane. At Shkreli ecte ngadalë... me shumë kujdes... a thua se poshtë me hapat e tij do të thyente vezë. Vërtet i vjetër në moshë, por kishte një trup të hollë e të lehtë si prej të riu që të shtonte besimin se diçka do bëhej. Në jakën e xhaketës së tij ndrisnin si të qëndisura me fije ari tri shkronja të mëdha, të ndara me pikë njëra nga tjetra: O. F. M. Kur ati kërkoi të takonte drejtpërdrejt komandantin, s’dihet se pse e vuri dorën mbi këto tri germa të qëndisura. Mjaftoi një si fshirje e lehtë që u dha prifti dhe ato lëshuan një shndritje vezulluese. Në atë ditë, me një mot thuajse gri, ato, tri germat, të kujtonin diellin. Ndërkohë dy ushtarë, sikur të mbinin aty, e morën priftin dhe e shoqëruan për te komandanti i tyre. U desh goxha kohë, derisa më në fund, komandanti dhe prifti shkuan e qëndruan përballë atyre burrave që, të mbështetur pas murit, pritnin me ankth...
- At Shkreli, - u dëgjua zëri i lartë i oficerit gjerman, - kam vrarë polakë, rusë, çekë, rumunë e bullgarë... i kam vrarë se kanë qenë armiqtë e mi. Po, ama, në secilin rast, ata që ma shtonin zellin dyfish për t’i vrarë kanë qenë përkthyesit, ca çapaçulë, gagaçë e injorantë që e flisnin gjermanishten si me qenë gjuhë harbutësh... Ndërsa ju, at Shkreli, më befasoni, më befasoni me ligjërimin tuaj në gjermanisht. Eh, më duhet t’iu falënderoj se e flisni gjuhën time plot muzikë e me fisnikëri. Kaq respekt më impononi, sa s’mund ta shpreh dot!...
I ngazëllyer heshti pak dhe përsëri lavdërimet e tij u derdhën lumë:
- Gjermanishtja që flisni ju... ah, një bukuri e pakrahasueshme! Më prutë në këta male prindërit, fëmijët dhe miqtë e miq që janë larg, shumë larg këtej. T’i duash gjuhën një populli tjetër, ashtu siç do gjuhën e popullit tënd, do të thotë t’i duash atij edhe mendjen, edhe zemrën!...
Ende s’kishte mbaruar se në çast iu kthye atyre, të shkretëve, që ishin ngjeshur pas murit, duke u thënë me zë të lartë:
- Faluni... faluni Zotit atje lart dhe këtij këtu, në krahun tim.
Mjaftonte kaq dhe në çast shpërtheu gëzimi si brenda e jashtë oborrit. Dy djemtë e kryeplakut e bardhoshi e morën at Shkrelin dhe, ashtu, duke e mbajtur mbi shpinë herë njëri e herë tjetri, e çuan deri sipër te kisha e Shën Markut.
Kaluan muaj dhe në vjeshtë të atij viti lufta mbaroi. Ajo mori me vete edhe këtë ngjarje së bashku me kujtimet rreth saj. Ngjarje të reja kishin rrjedhur: bariu, ai djali i fuqishëm, nuk e gëzoi dot lirinë. Mu në prag të saj, u vra aksidentalisht nga një bombë e fshehur në livadhet ku kulloste bagëtinë. Djemtë e kryeplakut kapërcyen kufirin... s’kishin si shpëtonin pas asaj që bënë: një nga pushtetarët e rinj, kokoroç nga bregdeti, që mbante ende gradat e luftës edhe pse kryente një detyrë civile, donte të përdhunonte të renë e Zef Bilalit, i cili ishte shpallur tradhtar. Ata bënë pushkë me kokoroshin dhe, për të shpëtuar jetën, u arratisën. Vetë kryeplaku nuk e kapërcente më pragun e shtëpisë. Mullisi, si gjithmonë te vendi i punës. Mbante pranë edhe çalamanin e kujdesej që ai fatkeq të mos roiste më tepër se atëherë, kur i qeshte kot së koti oficerit gjerman. Bardhoshi, sa i shpëtoi pushkatimit, nuk priti më, por qysh atë natë i ishte bashkuar çetës partizane. Betejë pas beteje e arriti çlirimin dhe, së fundmi, ishte emëruar komisar i krahinës. At Shkreli mbretëronte qetësisht atje, sipër, në kishën e Shën Markut. Mirëpo, nuk qe e thënë të vazhdonte kështu se, shpejt, shumë shpejt u prish qetësia, madje u prish rëndë. Një aksion për mbledhjen e armëve erdhi e u ul këmbëkryq edhe në kishën e at Shkrelit. E njëjta gjë po ndodhte në të gjithë objektet e të dy besimeve fetare të krahinës: e krishtere e ato myslimane. Ishte e njohur e vërteta që njerëzit, të cilët përfaqësonin fenë e të dy palëve, nuk i pritën mirë çlirimtarët. Një natë të errët, një togë policësh hyri në qelën e at Shkrelit. Nuk u shpjeguan për asgjë, veç i vunë prangat dhe, ashtu të lidhur, e shpunë në burgun lokal. Parandjenja e tij se feja dhe komunizmi do ta kishin të shkurtër rrugën së bashku, ndodhi, u pa, u prek. E lanë vetëm dy-tri ditë aty, në qelinë e burgut. Kështu që s’merrte asnjë informacion se ç’ ndodhte jashtë hekurave të burgut. Nuk e dinte se edhe plot kolegë të tij jo vetëm të kësaj krahine, por edhe më tej, në Jug e në Veri, i kishte përfshirë i njëjti fat.
Në fund të javës, një oficer, që iu paraqit si i ardhur nga kryeqyteti, pasi e hodhi fjalën dhe mendimin sipas qejfit, doli për aty ku pritej:
- Jeni arrestuar si bashkëpunëtor...
At Shkreli brofi në këmbë. Oficeri donte ta urtësonte, ndaj i tha:
- Ulu dhe qetësohu njëherë, - por më kot se ishte e pamundur ta bindte.
- Unë bashkëpunëtor?! Çfarë bashkëpunëtori! Me kë... më thoni me kë?
- Duhet të më dëgjosh...-Por at Shkreli e ndërpreu përsëri:
- Të të dëgjoj?... E për çfarë... për, për... -U duk sikur u zbut disi, por nuk pushonte së foluri: -Mirë, shumë mirë, do të bëheni pishman për çka po më punoni mua. - E ndërsa fliste kishte ndërmend komisarin...
- Kërkoj një takim me komisarin e krahinës, ndryshe edhe unë edhe ti lodhemi kot. - Ndërsa tha këto fjalë, më tepër se i frikësuar prej akuzës, ndihej i turpëruar dhe i fyer.
Seanca e marrjes në pyetje u mbyll. Të nesërmen at Shkreli përsëriti të njëjtën kërkesë.
- Zotëri, zotëri, - iu drejtua hetuesit, - nuk flas as sot e as mot. Të thashë, më lajmëro komisarin.
- Ç’ kujtoni ju, at? –ndërhyri oficeri, - mund të ketë mbetur njeri në krahinë, që nuk e ka marrë vesh se ku gjendeni ju?!
At Shkreli u shtang. Nuk e priste atë fjali të gjatë e të padëshiruar, e vërteta e së cilës i dogji thellë, deri në kockë. Duke e kapur këtë dobësi, oficeri hetues e përdori për ta shfrytëzuar tjetrin pa mëshirë.
- Dua t’ju pyes: Pse nuk ua shoh më në jakën e xhaketës ato tri shkronjat e mëdha, O. F. M.?
- Ato janë shkronja të shenjta, - ia ktheu prifti, - dhe mbahen varur në xhaktën e shërbesës, dhe jo në këtë... në këtë të burgut tuaj.
- E ç’ tregojnë ato?
- Ordine Fatrum Minorum,- i shqiptoi të plota ato shkronja at Shkreli dhe kur hetuesi kërkoi kuptimin e tyre në shqip, ai i përktheu: - Urdhri i Fretërve të Vegjël.
Hetuesi qeshi dhe murmuriti: Me këtë emërtim nuk i shpëton jetën një qeni nga nazistët e jo më pesë burrave. Nuk foli me zë... Iku dhe seancën tjetër të pyetjeve nuk e hapi më në zyrën e vet. Ditë më pas at Shkreli u gjend në një sallë gjyqi të improvizuar. Tri shkronjat O. F. M., sipas dëshirës së oficerit hetues, u përkthyen: Oficer Fashist Madhor. Kjo ishte edhe akuza dhe kaq e pat gjyqi... At Shkreli e humbi paq! Edhe dënimin me 20 vjet heqje lirie e mori vesh në fund të javës. Kërkoi edhe një herë, madje këmbënguli për një takim me bardhoshin, por përsëri hetuesi bëri qorrin e shurdhin...
Atë ditë që po e transferonin nga burgu lokal për diku, s’dihej se ku, i zunë sytë mullisin me çalamanin. Ata qyqarë, qysh prej ditës së parë që at Shkreli ndodhej aty, vinin nga larg e uleshin aty, përballë dritareve të burgut. Mirëpo, ç’ mund të bënin ata?! Ishin krejt të pafuqishëm për ta ndihmuar atin. Kështu që bënin atë që kishin në dorë: lotonin e qanin për orë të tëra!.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00