Home | Literature | Kandidati

Kandidati

image
Dua t'i kthej fytyrën vendlindjes sime drejt progresit, drejt zhvillimit…drejt Europës. Shënonte e renditte. Një…dy…tre…Krah tyre, lart e poshtë, vizatonte luledele. E çuditshme? 

 

 

 


Nga Bahri Myftari

 

Shoqata me emrin "pelikanët", gjë që ende pak kush e dinte pse pikërisht quhej e tillë, shpalli një konkurs të paparë, të çuditshëm. Ajo ishte e mirënjohur si bashkësi gjithëpërfshirëse, pa dallim për nga seksi, raca, gjuha, për nga përkatësia fetare, madje edhe bindja politike, u vetëshpall sëfundi, si një organizatë e angazhuar, e njëanshme, a thua e pati lodhur mëvetësia, pavarësia dhe liria e gëzuar prej kohësh. Përmbajtja e konkursit iu bë me dije publikut, votuesve e më gjërë. Veç më direkt ajo u drejtohej të gjithë kandidatëve të cilët duhet t'i përgjigjeshin pyetjes: përse kandidonin? Kaq. Vërtetë pyetja ishte e shkurtër, por kjo nuk detyronte qe dhe përgjigjia të ishte e tillë. Kandidatët rreth pesëdhjetë syresh, të ndarë dhe të prezantuar ndër parti të ndryshme, ia dinin dhe ia njihnin fort mirë forcën e asaj shoqate. Në të bënin pjesë pinjollë familjesh të mëdha e me emër, që zinin fill qysh nga periudha e Rilindjes, Pavarësisë, Çlirimit dhe deri në ditët tona. Ishte një përzierije e madhe dhe autoritare profesorësh, studiuesish; të historisë e të gjuhës, mjekë, shkrimtarë, sociologë, artistë e sportistë, politikanë të sotëm e të rënë nga lavdia, pra, kuptohet, me ndikim në qytet por mik pas miku, ngjarje pas ngjarjes, bëma të reja dhe të vjetra, ndikimi dhe autoriteti i tyre, influenca dhe respekti, bridhte deri në Sopotin e largët, në Polisin e historive, shtrihej tej e tej Shpatit të Parë e të Dytë, hidhej përkëtej lumit deri në Çermenikë, Krrabë, zgjatej në Dumre e përfundonte në Darsi e në Vrap të Peqinit. Ia pra, të gëzoje tërë këtë mbështetje nuk ishte pak, përkundrazi, mund të festoje fitoren ende pa nisur gara.
Të gjithë kandidatët ia nisën punës. Të gjithë, secili për hesap të vet, zuri të studiojë e të hulumtoji mbi hallet, gëzimet, të mirat e të këqijat e asaj zone elektorale të pashoqe. Secili do të përpiqej të ishte fituesi i atij konkursi të famshëm. Marrja e asaj kurore, ashtu siç pohonin të gjithë, ishte gati e njëjtë me marrjen e mandatit të deputetit. Njëri syresh, i përfshirë në mënyrë shëmbullore në këtë garë, ishte dhe kandidati Aleks Murdaku. Atë cast, ai aty pranë tavolinës së shkrimit po përpilonte e po renditte përgjigjet e mundshme të pyetjes finale, të kërkuar. Dua t'i kthej fytyrën vendlindjes sime drejt progresit, drejt zhvillimit…drejt Europës. Shënonte e renditte. Një…dy…tre…Krah tyre, lart e poshtë, vizatonte luledele. E çuditshme? Kurrë se kishte vizatuar këtë lule. Eshtë mbarësi, të betohem është mbarësi! Lule fatëbardh. A nuk jemi rritur që në fëmijëri me këtë ndjesi! Arsimi, vazhdoi të shënoi, shëndetësia,asfaltim, këtu përdori një shifër sa dhe vetë i shqeu sytë. E ndreqi, iu kujtuan ato plakat e fshatit që hidheshin matanë Shkumbinit me një tel kavoje. Shënoi dy ura mbi lum…Bujqësia…Papunësia, tha, gjysma e popullësisë,…varfëria…një mut!E prishi fjalën e fundit deri në zhgarravitje letrës…U shplodh pak. Më pas zuri të shkruajë mbi një letër tjetër, në qejf të vetë. Nje mik i tij, deputet në legjislaturën e shkuar, i pati thënë se, nëse donte të shpëtonte prej mediokritetit të provincës, prej asaj page po aq mediokre prej ekonomisti provincial, do t'i duhej të luftonte fort. Ky shans nuk do t'i vinte më. Zhgarraviti diçka mbi letrën e re. Më tej shënoi, mediokritet provincial. Iu kujtuan dhe ca këshilla të tjera, si: në politikë ka rradhë; në politikë nuk ka të humbur; deputeti ka vetëm një komandë- vetveten, qeshi gjithë shënd, pasi e dinte se vetvetja më tepër se të komandon, të përkëdhel. Renditi gjithë privilegjet dhe përfitimet: shofer, sekretare, telefon, e më në fund e mbylli me shprehjen që e pëlqente aq shumë: vetvetja më tepër se të komandon, të përkëdhel. Një zile telefoni e ngriti nga vendi. Më pas u mor me gjëra të zakonshme nëpër studion e vetë.

Kur, fare papritur, prej komisionit të ngritur për vlerësimin e përgjigjeve, iu kërkua përgjigjia e vetë. Dhe, pikërisht mu këtu bëri një gabim fatal. Në vënd që të postonte letrën e duhur, letrën e përgjigjes, mbushur me ato vizatimet fëminore të luledeles, nisi tjetrën. Tjetrën që…Nuk i ra në sy ky gabim, as atë ditë, as në ditët që pasuan. Ndërkaq, komisioni vlerësues që i kishte marrë të gjitha përgjigjet e kandidatëve, nisi të bëjë vlerësimet për secilin. U punua në fshehtësi të plotë. Kutia ku do të hidhej vota e të nëntë anëtarëve ruhej në zyrën qëndrore të shoqatës "Pelikanët". Kur erdhi ora finale, ora e hapjes së kutisë, për habinë e të gjithëve, fitues unanim doli Aleks Murdaku. Aleks Murdaku fitues! Përgjigjet e tij, në krahasim me të të tjerëve, ca ëndërrimtarë pa cak, ca euforikë të papërmbajtur, a thua një El Dorado e re po ngrihej në ato anë, pra përgjigjia e tij ishte ku e ku më e sinqertë, ku e ku më e saktë. Megjithatë, ai kurrë nuk e mori vesh që ishte kampioni, që ishte fituesi. Jo vetëm ai por askush s'u njohë me të vërtetën. Rezultati nuk u dha, humbi. Ndërkohë, shoqata "Pelikanët", që kishte marrë me kohë një vendim, se nuk e duronte dot më mëbvetësinë, pavarësinë dhe lirinë e saj, nuk u vu në shërbim të atij që pati nxjerrë fitues, por bëri atë që njerëzit në përgjithësi bëjnë rëndomt, u vu në shërbim të atyre që po vetë i kishin skualifikuar, duke i quajtur të pasinqertë, mashtrues e genjështarë. 
      

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00